E Diel, 1 Nëntor 2026

Ulliri, ëndrra e Shqipërisë komuniste dhe asaj demokratike

Historia Që nga vitet ’60, qeveritë kanë propaganduar mbjelljen e ullinjve.

Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, këmbënguli disa herë gjatë vitit të kaluar se vendi ynë duhet të përqendrojë forcat në rritjen e prodhimit të ullinjve dhe vajit të ullirit, një ide pompoze e reklamuar me bollëk. Kjo qe një ide e re për publikun e gjerë, por aspak e re për ekspertët e fushës, të cilët tregojnë se si edhe Ramiz Alia mbajti një fjalim të ngjashëm më 12 shkurt 1988, ku prezantoi praktikisht të njëjtën ide.

“Pesëfishimi i fondit për ullirin është një nga zotimet më ambicioze të qeverisë në katër vitet që vijnë. Ne duhet të mbjellim në 4 vjet 20 milionë rrënjë ullinj, për të hapur perspektivën e së paku 30 milionë të tjera gjatë viteve në vazhdim,” deklaroi Berisha më 17 nëntor të vitit të kaluar, në një nga takimet e shumta mbi temën e ullirit.

“Dyfishimi i prodhimit të ullirit duhet të konsiderohet vetëm si hapi i parë në kthesën që duhet bërë për ullirin”, deklaronte Ramiz Alia në vitin e largët 1988.

Fjalimet, megjithëse janë mbajtur në 22 vjet distancë, janë të ngjashme jo vetëm në idenë kryesore, por edhe në detaje.

“Projekti i ullirit është një projekt kompleks, ambicioz, i cili synon në radhë të parë një përmirësim të rëndësishëm të fondit të ullishtës ekzistuese dhe një përpjekje të gjithanshme për rritjen e prodhimit të saj. 5 milionë rrënjë ulliri kanë një prodhim 4-5 herë më të ulët se në Greqi, Spanjë apo Itali. Por ka një mundësi reale, nëpërmjet shërbimeve dhe mbrojtjes, rritjes së sistemit të vaditjes, që prodhimi në këta ullinj së paku të katërfishohet”, deklaron Kryeministri Berisha sot.

“Arritjet e deritanishme janë larg mundësive potenciale të kësaj bime. Ulliri jep vetëm një të pestën e të ardhurave të pemëtarisë, ndonëse zë gati gjysmën e tokës së mbjellë”, thuhej në fjalimin e liderit të fundit komunist të vendit më shumë se dy dekada më parë.

Qeveria komuniste në atë kohë besonte se me vajin e ullirit do të rriste të ardhurat nga eksporti dhe për këtë arsye këmbëngulej që kjo kulturë të konsiderohej si “kulturë intensive”. Të njëjtën gjë beson edhe qeveria e sotme, e cila e beson se ullishtaria duhet të futet “në rrugën e zhvillimit intensiv”.
Ndërkohë, eksportet e vajit të ullirit nga Shqipëria janë praktikisht zero.

#

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›