Enver Petrovci: Unë, njeri i vetmuar
Aktori kosovar Enver Petrovci shprehet se e gjen veten në skenat e vogla, në teatro jo institucionalë. është kjo një deklaratë që i ka paraprirë ngjitjes së sotme në skenën e Teatrit të Metropolit të pjesës “Sonte jam vetëm”, me regji të tij. Ende i shqetësuar për pozitën e tij si aktor, regjisor, por edhe për situatën teatrore në Kosovë, Petrovci shprehet se i qëndron ende idesë për t’u shpërngulur në Tiranë. Ndërsa pjesa e dramaturgut francez Andre-Pol Antoan është një katarsis edhe për vetë Petrovcin që deklaron: Unë jam një njeri i vetmuar.
“Sonte jam vetëm” është prezantimi i parë i juaji për publikun shqiptar si regjisor. Kur ndodh që ju vendosni të merreni me regjinë?
Unë kam punuar që herët me regjinë, por nuk e bëj shpesh. Ndodh vetëm kur një tekst më pëlqen aq shumë sa e shoh se si aktor nuk mund ta shpreh gjithë atë emocion që kam. Atëherë vendos të bëj regjinë dhe dashurinë që kam për tekstin ia fal aktorëve. Sigurisht pas premierës mund të lakmoj për të qenë pjesë e shfaqjes, por është vonë.
Kur e keni bërë fillimisht rolin e regjisorit?
Ka qenë fillimisht me studentët me pjesën “Dëshmitari” të Peter Bates. Por unë gjithmonë kam bërë regji në rolet që kam interpretuar. Rreth 80-90% e roleve të mia kanë qenë kryesore e dashur pa dashur, idetë e mia kanë qenë më të lexueshme për publikun se sa të vetë regjisorit. Njëkohësisht kam parë se aktorët i duan vërejtjet e mia dhe më pyesin shpesh. Të them të vërtetën, nuk kam dashur të merrem me regji. Më duket se është punë e lodhshme dhe kam nevojë të jem pak më rehat, të mos merrem me skenografi, muzikë, ndriçimet. Këto më bëjnë nervoz. Mirëpo kur diçka më pëlqen shumë, atëherë dua që gjithçka të ketë nga mendimet e mia.
Vepra e regjisorit dhe dramaturgut francez Andre-Pol Antoan ishte një zgjedhje e menduar më parë apo e rastësishme?
Drejtoresha e Teatrit në Novi Pazar (Serbi), ku unë jam pedagog, më dha të lexoja këtë tekst, të cilin ajo e ka përkthyer vetë. Më pëlqeu aq shumë teksti, sa nuk kam shkuar në provimin e studentëve derisa e mbarova. Atëherë vendosa që këtë pjesë duhet ta vija në skenë. Më vonë kam dëgjuar për një tekst tjetër të të njëjtit autor, “Aktoren mos e vrit, mbyte” dhe brenda një teksti të vetëm kam kombinuar një komedi të lehtë dhe një material më serioz. E bëra këtë, sepse për mua teatri nuk është as komedi, as tragjedi. është të dyja bashkë, sepse tragjikomedia është jeta jonë dhe unë e dua atë zhanër.
Bëhet fjalë për një pjesë që shtron pyetje ekzistenciale si vetmia, koha, udhëkryqi i njeriut mes të dyjave. Janë këto pjesë e jetës suaj?
Unë jam shumë i vetmuar dhe mendoj se të tillë ndihen shumica e njerëzve. Nuk kam hyrë në analiza se pse, por e di se jam shumë i vetmuar. Nuk kërkoj as përgjigje, përndryshe ndoshta do të kryeja vetëvrasje. Tentoj si çdo njeri të dal nga vetmia dhe kur si motiv më shërben dikush, prapë shoh vetmi edhe atje. Ndoshta është tipar i profesionit, por besoj se të gjithë jemi kështu.
Ju ka ndihmuar teatri?
Patjetër. Nuk kam qejf të filozofoj mbi këtë çështje, sepse kjo shfaqje tashmë është realizuar dhe ajo që do flas është më e vogël nga ajo që shihet. Nëse do të më kishe pyetur më parë, do të filloja të flisja se si e kisha menduar unë shfaqjen.
Në mbyllje të 2009-s ju u shprehët se dëshironit të shpërnguleshit në Tiranë. I qëndroni ende kësaj ideje?
Po, veçse m’u prish Kalimashi. Kisha gjetur banesë në Tiranë, bëra disa biseda me Akademinë e Arteve dhe Teatrin Kombëtar, por të gjitha ngelën pezull, për shkak të mbylljes së tunelit. Megjithatë kam obligime ndaj Prishtinës, sepse atje jam pedagog e nuk mund t’i tradhtoj studentët e mi. Akademinë e Arteve ma ka mbyllur Ministria e Arsimit e po drejt mbylljes është edhe Teatri i Babës, sepse nuk janë të interesuar për teatër. Ndoshta kam dashur që këtë shfaqje ta shpëtoj duke ardhur në Teatrin e Metropolit.
Për ju, situata artistike është më e mirë këtu se në Kosovë?
Nëse teatri i Kosovës ka qenë shumë më përpara se teatri i Shqipërisë para 15 vjetësh (kjo ka ndodhur edhe për fusha të tjera të artit), tashmë ai ka mbetur aty ku ka qenë dhe kjo për shumë arsye. Sot nuk ka dallim që prej kohës së regjimit të Millosheviçit. Përveçse nuk na vrasin, në fushën e kulturës ka mbetur e njëjta gjë, sërish të mbyllur.
Ju kanë mirëpritur institucionet e artit apo edhe kolegët nga bisedat paraprake?
Po. Këtu mund të gjesh njerëz që dinë të çmojnë atë që është art, në Kosovë nuk është ashtu. Do të thosha vetëm një shembull të thjeshtë për marrëdhëniet ndaj artit në Kosovë. Së bashku me Nexhmije Pagarushën ishim ftuar për të përcjellë në aeroport fëmijë që shkojnë në Perëndim të operohen nga zemra në sajë të fondeve të mbledhura përmes fondacionit “Nënë Tereza”. Në të njëjtën kohë në aeroport u shfaq një politikan jo i rëndësishëm. Gjithë vëmendja shkoi ndaj tij. Kjo është situata sot.
Shfaqja juaj do të ngjitet në një skenë të vogël krahasuar me ato të Teatrit Kombëtar. është më intim komunikimi në hapësira të tilla?
Në të gjitha vendet ku kam shkuar të interpretoj, teatrot kombëtarë kanë një tjetër organizim. I ngjajnë më tepër një fabrike ku ka prodhim, ka rroga, ka politikë dhe pak entuziazëm. Ndërsa në teatro më të vegjël ka tjetër entuziazëm, ka më pak politikë, ka edhe urrejtje, por nga ato të bukurat. Unë e gjej veten në teatro të tillë, sepse nuk i përkas teatrit institucional.
Cilat janë projektet e ardhshme?
Kam një tekst timin që kam menduar ta realizoj në Tiranë. Do të bëj regjinë dhe do të interpretoj. Bëhet fjalë për një profesor dhe studente para luftës e pas luftës në Prishtinë. Titullohet “Valsi i fundit në Prishtinë”.
#