Rama: Dokumenti i Politikave të Arsimit të Lartë 2030, kontribut për transformimin e mëtejshëm të arsimit

TIRANË, 18 shkurt /ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se, Dokumenti i Politikave të Arsimit të Lartë 2030 është kontribut i brendshëm në funksion të një transformimi të mëtejshëm të një sektori strategjik, siç është arsimi.
Në fjalën e tij në Konferencën Kombëtare për Arsimin e Lartë ku u prezantua Dokumenti i Politikave të Arsimit të Lartë 2030, me vizionin për të përafruar standardet e arsimit të lartë shqiptar me ato të Bashkimit Evropian, Rama tha se, “ky dokument politikash nuk është kërkim shkencor, por në fakt është ekzaktësisht gjëja që ne duhet të presim dhe nga kërkimi shkencor. Kontributi i brendshëm në funksion të një transformimi të mëtejshëm të një sektori strategjik siç është arsimi. Atëherë çfarë na pengon dhe çfarë e pengon universitetin që të njëjtën gjë të ndihmojë edhe për sektorë të tjerë, qoftë në makro, qoftë dhe në mikro për gjëra të veçanta”.
“Besoj që është plotësisht e mundur dhe besoj që kjo do ta gjallëronte shumë edhe trupën universitare. Do ta motivonte shumë, sepse patjetër që do të vinte edhe me një shpërblim ekstra financiar për punën. Do ta afronte shumë universitetin me realitetin dhe realitetin me universitetin, institucionet e tjera dhe patjetër do të krijonte perspektiva të tjera dhe për studentët. Besoj që në këtë pikë duhet të gjithë së bashku të bëjmë më shumë”, tha Rama.
“Kemi parë disa zhvillime shumë pozitive në këtë drejtim, por duhet të vrapojmë për të rritur volumin dhe për ta kthyer këtë në një marrëdhënie konsistente, të vazhdueshme, të pandërprerë mes qeverisë, universitetit dhe tregut”, u shpreh kreu i qeverisë.
Rama nënvizoi se, “në qoftë se kjo nuk merr një formë përfundimtare dhe në qoftë se tregu, nevojat e tregut, dhe kur them tregu, flas jo thjesht për tregun privat, në sensin e tregut jashtë jetës institucionale, flas edhe për aktorët institucionalë si pjesë e një tregu të cilit universiteti duhet ta shohë si tregun e vet. Në këtë kuptim, është e domosdoshme”.
/r.e/a.f/