E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Rama: Realitet i ri akademik në Universitetin Bujqësor përmes partneritetit me Universitetin Boku të Vjenës

TIRANË, 18 shkurt /ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se në Universitetin Bujqësor të Tiranës po ndërtohet një realiteti i ri akademik përmes partneritetit me Universitetin Boku të Vjenës.

Në fjalën e tij në Konferencën Kombëtare për Arsimin e Lartë ku u prezantua Dokumenti i Politikave të Arsimit të Lartë 2030, me vizionin për të përafruar standardet e arsimit të lartë shqiptar me ato të Bashkimit Evropian, Rama tha se, “një nga zhvillimet më të bukura që ne po përjetojmë është zhvillimi në Universitetin Bujqësor”.

“Universiteti Bujqësor dukej si një realitet i destinuar të mbetej si realiteti i provincës së botës universitare shqiptare, si një realitet i destinuar të mbetej si një lloj kampi refugjatësh që nuk arrinin dot të aksesonin botën universitare për shkak të nivelit shumë të ulët edhe të mblidheshin tek Universiteti Bujqësor me pesa.

Falë kurajës dhe angazhimit të rektorit dhe ekipit atje, ne arritëm së bashku që të fusim Universitetin Bujqësor në një trajektore komplet tjetër, duke e bërë praktikisht vendin ku po ndërtohet një realitet i ri akademik përmes partneritetit me Universitetin Boku të Vjenës dhe me ambicien që deri në 2030-ën diplomat e Universitetit Bujqësor në Tiranë të jenë diplomat e BOKU-t në Vjenë dhe anasjelltas. Pra me ambicien që në Universitetin Bujqësor të Tiranës studentë nga Shqipëria, nga rajoni dhe nga Evropa të vijnë për të marrë diplomën e BOKU-t të Vjenës.

Rama u shpreh se kjo, “është plotësisht e realizueshme, është plotësisht në rrugën e ndërtimit, dhe këtë nuk e them unë, e thonë partnerët austriakë”.

Në këtë drejtim, nënvizoi Rama, duhet të ecë edhe Universiteti i Shkodrës.

“Unë kam shumë shpresë që një lojtar “i blerë” nga universitetet jopublike, i cili tani luan me fanellën e Universitetit publik të Shkodrës, Tonin Gjuraj, një produkt i Partisë Demokratike dhe Universitetit Evropian të Tiranës, se shkojnë të dyja bashkë këto – UET është vendi ku shpëtohen ata që prodhohen nga PD-ja dhe kthehen në asete kombëtare – shpresoj që do të ndodhë e njëjta gjë edhe me Universitetin e Shkodrës”, tha Rama.

/r.e/a.f/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›