E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Rama: Kemi dyfishuar financimet për arsimin, të bëhet më tepër për rritjen e cilësisë së stafit akademik

TIRANË, 18 shkurt/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama tërhoqi sot vëmendjen për faktin se nuk bëhet një sforco e mjaftueshme për rritjen e cilësisë së stafit akademikë, që sipas tij sjell edhe rritjen e cilësisë së studentëve.

Gjatë Konferencës Kombëtare për Arsimin e Lartë, kryeministri Rama theksoi se “të gjithë jemi në funksion të rritjes së cilësisë së studentëve, por rritja e cilësisë së studentëve kalon doemos nga rritja e cilësisë së stafit akademik”.

Kryeministri theksoi se është folur shumë për vite me radhë për nevojën e zgjerimit të bazës financiare.

Në këtë drejtim, Rama theksoi se vetëm nga buxheti i shtetit është zgjeruar baza financiare dyfish për arsimin dhe është 5-fishuar baza financiare për kërkimin shkencor.

Po ashtu, kryeministri kërkoi që të bëhet një ndarje më e lehtë kur vjen fjala mes universiteteve publike dhe atyre jopublike, që në fakt, sipas mendimit të tij, janë universitete publike me financim privat.

“Kur rektori tha: Universiteti i Durrësit dhe Universiteti i Tiranës dhe një tjetër universitet jopublik, këtij nuk ia përmendi emrin, e trajtoi si diversant. Ndarja duhet të bëhet pak më e lehtë se duket sikur universitet publike janë të nënës, ndërsa ato që quhen jopublike janë të njerkës. Në fakt janë publike me financim privat, përderisa nuk janë organizata fitimprurëse, por janë jofitimprurëse dhe të gjitha fondet që gjenerojnë i rinvestojnë në arsim”, tha Rama.

Kryeministri vlerësoi po ashtu se dokumenti i paraqitur sot për Politikat e Arsimit të Lartë 2030, është i rëndësishëm pasi vjen si një produkt i brendshëm dhe nuk imponohet nga qeveria.

“Nuk është një përkthim apo një recetë e marrë nga ata që zakonisht i quajmë partnerët tanë strategjikë, por është një prodhim i brendshëm, i përbashkët i gjithë universiteteve, qofshin ato publike apo publike me financim privat. Kjo është një bazë shumë e mirë për të besuar se edhe plani i veprimit dhe zbatimi i tij ka shumë shanse të jenë procese të suksesshme”, shtoi Rama.

Kryeministri theksoi se do të duhet një punë e përbashkët po kaq intensive dhe e fokusuar edhe për të bërë adresimet e duhura në Ligjin për Arsimin e Lartë, sepse sipas tij, “ka kaluar gjithë koha e nevojshme për të rishikuar kuadrin ligjor”.

“Jam shumë krenar që si qeveri kemi thyer murin ndarës mes BE-së dhe vendeve jashtë BE-së. Shqipëria ka qenë në pararojë të kësaj beteje dhe faktikisht në samitin e bërë këtu në Tiranë me BE-në u vendos që edhe për universitetet europiane që nuk janë në BE të hapet mundësia e futjes në Aleancën Europiane të Universiteteve”, shtoi Rama.

/r.e/a.f/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›