Rama: Duhet rilindje, jepini fund besnikërisë qorre ndaj partisë
Tiranë- Kryetari Partisë Socialiste, Edi Rama, ka zhvilluar sot pasdite një bashkëbisedim me qytetarët e njësisë nr.7 në kryeqytet, ku ka bërë prezantimin e partisë së tij në zgjedhjet e 23 qershorit.
Kryesocialisti ka kërkuar që këtë vit ti jepet fund besnikërisë qorre ndaj partisë, duke thënë se ka ardhur koha e rilindjes.
23 qershori, është dita për ti qëndruar besnik aspiratave të Shqipërisë dhe me votën për Aleancën për Shqipërinë Evropiane të rilindim edhe Partinë Demokratike, duke e çuar në opozitë,- tha ai.
Më tej Rama tha se niveli arsimor dhe shëndetësor në vend është tepër i ulët, ndërsa ka thënë se historitë e trishta për shëndetësinë nuk kanë fund. Sipas tij gjithçka do të ndyshojë pas 23 qershorit.
Kur nuk ka punë, nuk ka as sigurime dhe çdo vizitë bëhet me lekë në dorë. Tarifat janë pesëfishuar. Në Shqipëri harxhohen rreth 800 milionë dollarë në vit, shpenzim i përgjithshëm. Vetëm 7 % dalin nga skema e sigurimeve shëndetësore, 66% dalin drejtpërdrejtë nga xhepat e shqiptarëve ,- deklaroi Rama.
Sipas tij, PS-ja do të heqë skemën e sigurimeve dhe do të sigurojë shërbim shëndetësor falas për çdo qytetar, edhe pse kjo duket e pabesueshme nga PD-ja, u shpreh ai.