E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: E dua tokë të djegur Shtetin

13-08-2013 / Gazeta 55

I shqetësuar se po i dorëzohet një shtet në rregull, Edi Rama shpik në një ditë vatra proteste përpara policisë së Shtetit, ministrisë së Mbrojtjes dhe bashkisë së Tiranës. Nxitja e disa OJQ-ve për të protestuar përballë institucioneve është në sinkron me deklarata e PS për auditim ndërkombëtar të financave, për ngritjen e një byroje hetuesie dhe për dublimin e Bankës së Shqipërisë me një bord të posaçëm. Këto manovra të tokës së djegur i nevojiten Ramës për të përligjur shthurjen e shtetit dhe thurjen e një strukture surrogate
 
Edi Rama ndezi ditën e djeshme tre vatra proteste në Tiranë. Nëpërmjet disa organizatave jo qeveritare opozita në detyrë lëshoi me njerëzit e saj parulla përpara drejtorisë së Policisë së Shtetit, përpara ish-shtëpisë Qendrore të Ushtrisë dhe përpara Bashkisë Tiranë. Formalisht protestat nisën si sensibilizim në mbrojtje të dhunës ndaj grave, në mbrojtje të pronave të ushtrisë dhe në mbrojtje të komunitetit rom, por që shumë shpejt dolën në slogane kundër kryeministrit Berisha, kundër kryetarit të Bashkisë Tiranë Lulzim Basha dhe kundër drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit.
Padyshim, personat që hidhni parulla të forta e denigruese përpara Bashkisë Tiranë nuk ishin të komunitetit rom, por eksponentë të majtë të infiltruar në OJQ-së e mirëpaguara që heshtën për 11 vjet kur kryebashkiak ishte Edi Rama. Mjafton të shikoje fytyrën e atyre që flinin dhe të kuptoje që nuk ishin rom në pikë të hallit. Po ashyu ish-ushtarakët  që hidhnin parulla kundër kryeministrit Berisha betoheshin me grushbashkuar dhe në fjalimet e tyre nisnin “të dashur shokë, jemi sot këto për të mbrojtur atdheun”. Zëvendministri i Mbrojtjes së Ramiz Alisë (1982-1990), Bajram Mane dhe ish- ushtarakë nostalgjikë të traktatit të Varshës hidhnin parrulla me të njëjtën flakë që bënin përpara Enver Hoxhës. Po ashtu tre njerëzit që protestonin përpara drejtorisë së Policisë ishin të punësuar tek OJQ-ja e gruas së një ministri pa portofol në qeverinë Rama.
Kuptohet vetiu që qëllimi i këtyre vatrave të protestës në muajin gusht të këtyre njerëzve është halli i Edi Ramës që kërkon të bëjë një “tokë të djegur” përpara se të marrë qeverinë. Edi Rama është i shqetësuar prej dorëzimit me rregulla të pushtetit nga ana e kryeministrit Berisha dhe së djathtës. Ai kërkon që të vijë në pushtet si “shpëtimtar i kombit”, si një rilindas, dhe po investohet të paraqesë një Shqipëri të destabilizuar në çdo segment të jetës publike. Pra, protestat e ndryshme kanë karakter politik që ushqejnë një imazh të përçudnuar të vendit dhe diskursit publik.
Gjithashtu këto protesta ordinere janë zgjatime të asaj çka deklarojnë deputetët socialistë për falimentin të Shtetit, të Prokurorisë, të Financave, të Arsimit, të Energjisë. Deklarata për auditime ndërkombëtare të financave, të dhënies së doganave një kompanie të huaj, të ngritjes së një byroje hetimesh, të një bordi mbikëqyrës së Bankës së Shqipërisë, etj,  janë pjesë së strategjisë për të fikur shtetin dhe ndërtuar një tjetër nga e para sipas midesë së Ramës. Dhe për të bërë këtë fikje të shtetit, Edi Rama kërkon tu thotë për ditë qytetarëve se policia e Shtetit nuk bën kështu siç është, Forcat e Armatosura nuk bëjnë kështu siç u anëtarësuar në NATO, bashkia nuk punon pa Edi Ramën në krye, ejt.          
Ndërkaq alternativa e Edi Ramës është hapja e zyrës së punës në Partinë Socialiste dhe filialet e tyre në zyrat e deputetëve në qarqe, cka janë në antagonizëm me shtetin duke krijuar struktura paralele të panevojshme që krijojnë tensione sociale për shkak të diferencimit partiak të të punësuarve. Padyshim kazma  ndaj institucione shtetërore sapo ka filluar sepse Edi Rama po kërkon ta shthurë krejt arkitekturën shtetërore me ngritjen e ministrive të reja, të agjencive të reja, të zyrave të punësimit në Partinë Socialiste për të bërë një shtet personal. Ai po sillet si një kryeministër në antagonizëm me shtetin e sotëm duke krijuar struktura paralele si zyra punësimesh socialiste që synojnë të kontrollojnë tërësisht administratën, Byro Hetimesh Kombëtare që synojnë kontrollonin apo neutralizimin e  prokurorisë, Borde Financiare që synon të kontrollojnë apo neutralizojnë Bankën e Shqipërisë, Agjenci për zhvillimin e Bregdetin që synon kontrollin e ndërtimeve në bregdet për llogari të interesave personale dhe të lobistëve afër deputetëve biznesmenë të PS.
Sido që të jetë, Edi Rama ka nevojë t’i përligjë publikisht  këtë ndryshime strukturore që shkatërrojnë shtetin për të ndërtuar një surrogato personale. Dhe për ta realizuar këtë dëshirë shkatërruese atij i nevojitet poshtërimi i institucioneve. Protestat e vogla me njerëz por të fryra mediatikisht shpërndajë një imazh të deformuar të realitetit që është shumë ndryshe nga ajo çka mendon Edi Rama.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›