Edi Rama spekulon me termat e partneritetit - veprime të gabuara që krijojnë probleme

Deputeti i PD dhe njëherësh ish-ministër i Jashtëm, Tritan Shehu
“Partnerët tanë strategjike, n.q.s do t’i quajmë të tillë, janë ata që përbëjnë motorët kryesorë për të na shtyrë në këtë drejtim, drejt Europës së Bashkuar. Janë SHBA-të, partneri ynë kryesor gjeostrategjik, që po na mbështesin e po shtyjnë, jo vetëm ne, por të gjithë Ballkanin Perëndimor, drejt Brukselit
Deputeti i Partisë Demokratike, Tritan Shehu këmbëngul se deklaratat e mazhorancës së re për krijimin e disa “trekëndëshave” partnerësh, nuk janë serioze. Sipas tij, këto duken si tentativa për të lajkatuar me lugë bosh dikë ose për të anashkaluar dike tjetër. Në një postim të tij në Facebook, ish ministri i Jashtëm thekson se “ajo që është e qartë, është fakti se, së paku kemi të bëjmë me një amatorizëm politik, keqpërdorim e mos kuptim të thelbit të shprehjes “partneritet strategjik”, apo tendencë për të treguar se “historia fillon me mua”. “Ne kemi shumë partnerë, fqinjë e jo fqinjë, shumë të rëndësishëm e më pak të rëndësishëm këta. N.q.s ne duam të përdorim termin “partner strategjik”, duhet ta përdorim drejt e pa spekuluar. Ky është përdorur, dhe mendoj se mund të përdoret, vetëm për ata partnerë, që na ndihmojnë konkretisht në ecurinë tonë drejt atij nocioni, që ne së bashku e kemi përcaktuar si “objektivi i ynë madhor strategjik”. Dhe për të gjithë ne, të majtë e të djathtë, aktualisht ky sot është vetëm një, integrimi i plotë i yni në familjen perëndimore, anëtarësimi përfundimtar në BE, objektiv ky shumë kompleks e i larmishëm. Pra dhe partnerët tanë strategjike, n.q.s do t’i quajmë të tillë, janë ata që përbëjnë motorat kryesorë për të na shtyrë në këtë drejtim, drejt Europës së Bashkuar”- thekson Tritan Shehu. Pikërisht, anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, z.Shehu e cilëson si fryt të partneritetit strategjik të Shqipërisë me vendet perëndimore. Sipas tij, mbështetje të madhe dhe të fuqishme për anëtarësimin në NATO kanë dhënë Shtetet e Bashkuara të Amerikës. “Ne ditëm të rreshtohemi krahas miqve tanë më të mëdhenj, SHBA, pa të cilët nuk do të mund të arrihej asnjë prej këtyre arritjeve tona. Fatmirësisht kjo nuk vlen vetëm për të shkuarën, kjo vlen dhe për të ardhmen. Janë po SHBA-të, partneri ynë kryesor gjeostrategjik, që po na mbështesin e po shtyjnë, jo vetëm ne, por të gjithë Ballkanin Perëndimor, drejt Brukselit. Mos të kemi asnjë iluzion, pa SHBA, kjo do të ngelte një ëndërr e pa realizuar, ashtu si do ishte sot për ne anëtarësimi në NATO, akoma një “mollë e ndaluar”- thotë ai.
Reagimi i deputetit të PD vjen pas vizitës së Edi Ramës në Turqi dhe deklaratat e tij atje lidhur me “partneritetin strategjik”. Në vlerësimin e tij, marrëdhëniet e Shqipërisë me Turqinë nuk fillojnë sot dhe as nuk mund të zgjerohen me deklamime spekulative. “Unë jam krejtësisht dakord me idenë se gjithmonë ka vend për te aktivizuar hapësira te reja bashkëpunimi, edhe me Turqinë. Kjo është për tu përshëndetur dhe askush nuk e ve në diskutim këtë vullnet pozitiv e universal. Por këto marrëdhënie nuk fillojnë sot për herë të parë dhe as më pak nuk mund te zgjerohen me deklamime spekulative, as me dhënien e ndonjë “titulli” jashtë kontekstit konkret të përdorimit të tij. Këto janë veprime të gabuara e veçse krijojnë probleme”.