E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: Edhe 25 ditë për të legalizuar rrethinat e Tiranës

 

Aristir Lumezi

Kryetari socialist prezantoi dje në lagjen Kombinat në Tiranë programin qeverisës të PS-së. Duke folur përpara banorëve të kësaj zone, ku një pjesë e mirë e saj përfshihet në zonën informale të kryeqytetit, Rama premtoi përfundimin e procesit të legalizimeve dhe urbanizimit të ndërtimeve pa leje përmes një plani konkret. “Edhe 25 ditë për të ngritur Komitetin Shtetëror të Zhvillimit të Rrethinave, nën varësinë e drejtpërdrejtë të Kryeministrit të vendit, për t’iu dhënë të gjithë të ardhurve që jetojnë në mjerimin e zonave informale, politikën e re të integrimit urban, e cila do të fillojë me mbylljen e plotë të procesit të legalizimeve të shtëpive dhe me hapjen e një fondi të posaçëm për kanalizimet, ujësjellësit, rrugët, çerdhet, kopshtet, shkollat dhe gjithçka duhet, për t’i kthyer këto zona në njësi të reja të Tiranës evropiane”, u shpreh Rama. Sipas tij, përfundimi i këtij procesi do të kthejë Tiranën në një metropol evropian.   
“Edhe 25 ditë mbeten nga ndarja me të shkuarën, edhe 25 ditë për të inauguruar rrugën e politikës së re në qeverisje. Edhe 25 ditë për t’i dhënë më në fund Tiranës të gjithë fuqinë, që i duhet për t’u zhvilluar me shpejtësinë e ëndrrave dhe me thellësinë e shpresave të qytetarëve e qytetareve të saj. Edhe 25 ditë për ta çliruar ujin nga duart e paafta të qeverisë dhe për ta çuar 24 orë pa ndërprerje në çdo shtëpi të Kombinatit, Laprakës, Ali Demit, Alliasit, Kodër Kamzës dhe kudo ku jetojnë familjet e këtij Qarku. Nga qendra e Tiranës, në Farkë, Sauk, Paskuqan, Ndroq, e deri në Golem, Rrogozhinë, e Kavajë”, u shpreh Rama. Duke folur në emër të ekipit qeverisës të PS-së pas 28 qershorit, Rama i përsëriti banorëve të Kombinatit se do të jetë kryeministri i ardhshëm i qeverisë së re. “Unë jam sot këtu si kandidati për të qenë në 28 qershor Kryeministri i ndryshimit dhe i shpresës. Unë jam sot këtu, sepse dua që bashkë me ju të sfidoj historinë e vjetër, që një grusht politikanësh e shkruajnë prej 18 vjetësh sipas interesave të tyre dhe të hap një faqe të re, ku së bashku të shkruajmë një histori të re, duke shumëfishuar shpejtësinë e ndryshimit të Tiranës, lokomotivës sonë të ndryshimit dhe duke tërhequr me shpejtësi pas kësaj lokomotive rrethinat e Tiranës, fshatrat e Tiranës, Rrogozhinën, Kavajën dhe të gjithë Shqipërinë. Unë jam sot këtu sepse është misioni ynë i përbashkët ta çlirojmë Tiranën nga duart e paafta e të papërgjegjshme të kësaj qeverie, që frenon vrapin e saj drejt Evropës”, tha Rama. Duke shprehur bindjen në fitoren e 28 qershor Rama tha se Berisha do të marrë përgjigjen e tretë nga populli i gjithë Shqipërisë. “Tre herë e ka marrë përgjigjen nga populli i kryeqytetit për prapambetjen e tij dhe nuk ka mësuar asgjë. Kjo është një arsye më shumë që në 28 qershor Tirana do të votojë fundin e së vjetrës në pushtet dhe me votën e saj do t’i japë jetë një pushteti të ri të së resë”, tha Rama.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›