Berisha: Rama e mori këngën nga çetnikët serbë
Kryeministri Berisha ironizon këngën “Çohu”, e cila është edhe slogani elektoral i Partisë Socialiste. Nga qyteti i Vlorës, ku PD-ja hapi dje fushatën elektorale, kreu i qeverisë i bëri thirrje sërish kundërshtarit të tij politik që të kandidojë në zgjedhjet e 28 qershorit. “I bëj nga ky shesh thirrje zotit Rama. Vendose emrin në krye të listës së partisë tënde. Dil në shesh të burrave, mos bëj atë që nuk e ka bërë ndonjë lider partie i një vendi të lirë. Eja këtu dhe në këtë shesh dhe mburru këtyre qytetarëve dhe thuaju se cili lider evropian nuk ka pranuar pavarësisht nga humbja që e pret të mos jetë në krye të listës. Ti me këtë kthehesh mbrapa shumë. Këngën “çohu, çohu” e ke marrë nga internacionalja socialiste, apo këngë të çetnikëve serbë, këtë nuk e di”, u shpreh Kryeministri Berisha. Në fjalën e tij kreu i ekzekutivit theksoi se në katër vite u bë e mundur aplikimi i Shqipërisë për të marrë statusin e vendit kandidat në Bashkimin Evropian si dhe anëtarësimi me të drejta të plota në NATO. Gjithashtu, kreu i qeverisë kujtoi para qytetarëve të mbledhur në sheshin e Flamurit dyfishimin e pensioneve për fshatin dhe rritjen e pensioneve 50%-70% në qytet. “Katër vitet që vijnë janë vitet e Vlorës metropol rajonal. Në këto katër vjet, ju qytetarë të Vlorës dhe të gjithë qytetarët shqiptarë, gëzojini ato të drejta, atë begati, atë zhvillim që kanë jo dy, por gjashtë vende anëtare të BE-së. 4 vitet që vijnë do të jenë vitet e punës, e mundit, e djersës sonë më të madhe. “Shqipëria në punë”, do të jetë motoja jonë. Shumë flasin për punën, por ku do t’i punësojnë. A mund të punësojnë ata të dashur vlonjatë që votuan kundër marrëveshjeve koncensionare, me të cilat punësohen së paku 100 mijë shqiptarë?”, u shpreh Kryeministri Berisha, teksa shtoi se vetëm në portin e Vlorës do të punësohen deri në 50 mijë qytetarë, ndërsa në kaskadën e Devollit do të punësohen 5-7 mijë qytetarë. “Shqipëria evropiane dhe Vlora evropiane është që ju të dashur qytetarë të lëvizni në mbarë Evropën pa viza. Unë zotohem para ju se vitin e parë të mandatit të dytë do të lëvizni në mbarë Evropën pa viza. Unë shpreh mirënjohjen time më të thellë 1 milion e 300 mijë shqiptarëve që aplikuan për dokumentet e reja të identitetit, dokumentet evropiane”, theksoi më tej kreu i qeverisë. Berisha premtoi se në katër vitet e ardhshme pensionet dhe rrogat do të rriten në masën që do të kalojnë gjashtë vende anëtare të Bashkimit Evropian. Takimi u hap nga kryetari i PD-së, dega Vlorë Ardain Kollozi, i cili në fjalën e tij kërkoi votën vlonjatëve, pasi sipas tij kjo forcë, kanë dhënë prova tek vlonjatët me investimet e kryera. Ndërsa Astrit Patozi, i cili kryeson listën e Vlorës, iu bëri thirrje vlonjatëve të tregojnë se Vlora dëshiron vazhdimin e ndryshimit të iniciuar nga PD-ja, dhe nuk do të shkojë pas akuzave apo mungesës së alternativës së PS-së. q.b
Zv.ministri Urso
Duke folur në këtë ceremoni, zv/ministri për Zhvillim Ekonomik i qeverisë italiane, Adolfo Urso, vlerësoi reformat e ndërmarra nga qeveria shqiptare si dhe kontributin personal të Kryeministrit Berisha në këto reforma dhe u shpreh se Shqipëria po ndryshon çdo ditë në të gjitha drejtimet. “Shqipëria është duke ndryshuar. Ajo do të ndryshojë edhe më shumë, do të ndryshojë me punën e shqiptarëve dhe me ndihmën e investitorëve të huaj”, u shpreh ai. Duke iu referuar inaugurimit të sotëm të terminalit të depozitimit të karburanteve, Urso u shpreh se kjo vepër bën që qyteti i Vlorës, sot të jetë qyteti që i ofron investitorëve të huaj mundësi të mëdha dhe siguri për investimet e tyre.