E Diel, 1 Nëntor 2026

Topalli premtim grave të Kombinatit: Punë, punë!

Kryetarja e Kuvendit takohet me gra të lagjes Kombinat, në kryeqytet. "Në mandatin e dytë fokusimi ynë, do të jetë: e para, punësimi, e dyta, punësimi, e treta, punësimi", tha Topalli duke mos kursyer kritikat per Ramen. 

TIRANË- Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli gjatë një takimi me gra të lagjes së Kombinatit në kryeqytet, premtoi se "në mandatin e dytë çështja e punësimit do të jetë prioriteti kryesor i yni".
Zyra e shtypit e Kuvendit njoftoi sot se në kuadër të turit "Gratë për fitoren", Topalli, njëkohësisht nënkryetare e PD-së, vuri në dukje arritjet e prekshme dhe premtimet e mbajtura të Qeverisë në këto katër vite. Ajo theksoi se prioriteti kryesor i mandatit të dytë do të jetë punësimi.
"Në mandatin e dytë fokusimi ynë, do të jetë: e para, punësimi, e dyta, punësimi, e treta, punësimi. 160 000 vende pune, është një premtim që do të mbahet, sepse vetëm të kontraktuara nga Kryeministri Berisha dhe vetëm nga marrëveshjet ekonomike, të votuara në Parlament, janë 5 miliardë euro të tjera. Dhe kjo do të thotë punësim dhe të ardhura", tha nënkryetarja e PD-së.
Duke iu referuar deklaratave të kryebashkiakut të Tiranës, Edi Rama, që është njëkohësisht dhe kryetar i PS-së, Topalli tha se "ai nuk pranoi të hyjë në listën e deputetëve, pasi karrigen e deputetit e konsideron një vend që nuk të jep dot 15% ".

(d.b/BalkanWeb)



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›