E Martë, 3 Nëntor 2026

Rama: Filmi “Adoleshenca” të shfaqet për nxënësit në të gjitha shkollat e vendit

TIRANË, 2 prill /ATSH/ Kryeministri Edi Rama propozoi sot që filmi “Adoleshenca” të shfaqet për nxënësit në të gjitha shkollat e vendit.

Në fjalën e tij në një takim në shkollën “Besnik Sykja” në Tiranë, Rama u shpreh se, ky film flet ekzaktësisht se për çfarë sfidash bëhet fjalë për prindërit dhe mësuesit dhe sesa pak kuptojmë nga fëmijët tanë.

“Faktikisht jam shumë i dhënë pas kinemasë dhe do ju sugjeroja të gjithëve ju, që jeni  këtu dhe të gjithë ata që dëgjojnë që të shikoni një film që ka dalë së fundmi që duhet “Adoleshenca” edhe do t’ju sugjeroja që ta ndani me sa më shumë të tjerë”, tha Rama.

“Do ishte shumë mirë nëse ne do mund të bënim dhe shfaqje të filmit për nxënësit në të gjitha shkollat. Mund të përdorim palestrat për të bërë shfaqje të organizuara sepse është një film që ka tronditur mbarë botën edhe flet ekzaktësisht se për çfarë sfidash bëhet fjalë për ne sot edhe sesa larg jemi ne dhe kur na duket sikur në fakt jemi afër dhe sesa pak kuptojmë ne dhe kur në fakt na duket sikur kuptojmë shumë nga fëmijët tanë”, theksoi kreu i qeverisë.

Për fat të keq, shtoi Rama, jetojmë në dy universe paralele.

“Ata hyjnë e dalin në universin tonë, ndërsa ne nuk kemi akses në universin e tyre dhe në universin e tyre zhvillohen situata dhe zhvillohen ngjarje që ne, as nuk kemi idenë dhe për fat të keq kur diçka nga ato zhvillime aty del në mexhlis në formën e një ngjarje shumë të rëndë, ne tronditemi të gjithë”, u shpreh Kryeministri.

Por, vijoi Rama, “ajo që ndodh është që në fakt është çdo minutë dhe unë prandaj besoj shumë që mbyllja e TikTok nuk është se ka zgjidhur gjithë këtë problematikë, por ama ka qenë hapi i duhur dhe unë i falënderoj të gjithë mësuesit dhe prindërit, 95% e tyre na kanë inkurajuar që ta hedhim këtë hap”.

“Nuk ka qenë një hap i lehtë. Ne s’jemi as Amerika, as Britania, ne jemi një vend i vogël dhe TikTok është sa shumë shtete si ne të bëra bashkë, por besoj që kemi bërë gjënë e duhur dhe kemi bërë detyrën”, tha Rama.

“Nga ana tjetër po ashtu, unë besoj që mbase nuk kemi forcat që të përballemi me këtë universin paralel, ku fëmijët tanë jetojnë një pjesë të madhe të kohës së tyre dhe ku ne e kemi të pamundur që të penetrojmë, por nga ana tjetër nuk duhet të dorëzohemi dhe e vetmja rrugë që unë shoh, që ne shohim është që të ngremë në një nivel tjetër ndërveprimi mes shkollës, prindërve dhe institucioneve”, u shpreh Rama.

/a.f/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›