E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: Financat vendore, të mbrohemi nga kthetrat e qeverisë

Kryetari Partisë Socialiste, Edi Rama, njëherësh edhe kryebashkiaku i Tiranës, paralajmëroi sot reagimin e krerëve lokalë për politikat fiskale të ndërmarra nga qeveria. "Ne vuajmë sot kthetrat e qeverisë të vëna në fyt dhe vuajmë goditjen shumë të madhe të të ardhurave të vendorëve në funksion të një politike krejtësisht regresive", tha Rama në një prononcim për mediat, pasi inspektoi nga afër ecurinë e punimeve për rikonstruksionin e rrugës "Ibrahim Rugova" në Tiranë. Rama vuri në dukje se nuk do të pranohen këto plane të Berishës dhe se do ta kundërshtojë me çdo mjet politik këtë. "Ne do ta kundërshtojmë shumë ashpër dhe do ta kundërshtojmë me çdo mjet këtë politikë që synon tkurrjen e financave vendore në funksion të planit pa plan dhe rrugës pa rrugë të Kryeministrit të Shqipërisë", vijoi ai.
Dy ditë më parë, deputeti socialist, Eduard Shalsi, tha se qeveria po u merr frymën buxheteve të bashkisë, për shkak të ligjeve antikushtetuese. Ndërsa disa ditë më parë, kreu socialist, Rama, gjatë një takimi që pati me krerët lokalë paralajmëroi se do të ankimohet ne Gjykatën Kushtetuese vendimi i qeverisë për taksat vendore. "Ai vendim shkel vijimësisht Kushtetutën, shkel vijimësisht kartën europiane të autonomisë vendore, shkel vijimësisht të drejtat që burojnë nga ligji. Ne do të vazhdojmë të ndjekim rrugën që kemi ndjekur deri më sot, duke i kontestuar në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë këto masa flagrante antikushtetuese", tha ai. Nga ana tjetër, edhe krerët lokalë kanë nisur përpjekjet e tyre për të kundërshtuar nismat, duke zhvilluar takime me ambasadorë të huaj për të shprehur shqetësimin e tyre. "Shprehim shqetësimet lidhur me shkeljet flagrante të vazhdueshme, që qeveria dhe mazhoranca vazhdon të kryejë në dëm të autonomisë lokale, duke shkelur hapur Kushtetutën e Shqipërisë, Kartën e Autonomisë Lokale, si edhe ligjin për pushtetin lokal", u shprehën krerët e bashkive socialiste. Ndërsa Kryeministri ka kërkuar bashkëpunimin e të zgjedhurve vendorë për mbledhjen e taksave lokale, si dhe për vendosjen e taksës së pronës në të gjithë vendin. Ai ka garantuar se angazhimi i qeverisë do të jetë mbështetja e të gjitha njësive administrative. "Ne kemi bërë disa lëvizje fiskale, të cilat mund t‘ju kenë prekur juve. Llogarisni me faturë sa jeni prekur dhe që të gjitha do t‘ua kthejmë nga buxheti", tha Berisha. Debatet për pushtetin lokal kanë sjellë përplasje të herëpashershme mes Kryeministrit Berisha dhe kryetarit të opozitës, Edi Rama, duke qenë se është edhe në rolin e kreut të bashkisë së kryeqytetit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›