PS dhe të familjarët homazhe për viktimat e 21 Janarit
Partia Socialiste u rikthye dje në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, kësaj here jo për të protestuar, por për të nderuar kujtimin e 4 qytetarëve që gjetën vdekjen në protestën e 21 Janarit, gjashtë muaj më parë. Kreu i socialistëve, Edi Rama, deputetë të grupit parlamentar, si dhe familjarët e viktimave kanë kryer homazhe në bulevard, në vendet ku u vranë Ziver Veizi, Faik Myrtaj dhe Hekuran Deda dhe ku u plagos për vdekje i riu nga Lezha, Aleks Nika, i cili vdiq më pas nga plagët e marra. Fillimisht deputetët socialistë dhe familjarët e viktimave janë takuar në selinë rozë, nga ku nisën rrugëtimin e tyre drejt bulevardit. Me fotot e katër viktimave të kësaj ngjarje në duar, familjarët të shoqëruar dhe nga përfaqësuesit e lartë socialistë kanë kaluar nëpër bulevard, ndërsa policia është kujdesur që të sigurojë lehtësirat e duhura duke bllokuar në disa raste trafikun. Kortezhi fillimisht është ndalur në vendin ku u vra protestuesi nga Fieri, Faik Myrtaj, në anën e poshtëm të bulevardit, ku kanë vendosur lule, ndërsa të afërmit e viktimës nuk i kanë përmbajtur dot lotët dhe vajin. Më pas homazhet janë zhvendosur në vendin ku më 21 Janar u vra Ziver Veizi, afër portës hyrëse të Kryeministrisë. Këtu të afërmit e Veizit, teksa kanë vendosur buqetat me lule, kanë hedhur edhe thirrje kundër qeverisë. “Qëlloni me lule dhe jo me plumba” – u shpreh njëri prej të afërmve të Veizit ndërsa ka hedhur lulet që mbante në dorë në drejtim të Kryeministrisë. Më pas të pranishmit në këtë ceremoni kanë vendosur lule në heshtje edhe në vendin ku u vra Hekuran Deda dhe u plagos për të vdekur më pas Aleks Nika. Megjithëse kjo ceremoni u organizua nga grupi parlamentar socialist, në të binin në sy mungesat e një numri të konsiderueshëm deputetësh, si Blendi Klosi, Ben Blushi, Marko Bello, Tom Doshi apo Alfred Dalipi. Lidhur me ngjarjet e 21 Janarit mazhoranca akuzoi opozitën se kërkoi të merrte pushtetin me dhunë, ndërsa Kuvendi ngriti dhe një komision hetimor që u drejtua nga Eduard Halimi, i cili dje në 6 mujorin e kësaj ngjarje u votua si ministër i Drejtësisë.