E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: Ftesa, meritë e qytetarëve

Ftesa që Samiti i NATO-s i dha dje Shqipërisë u cilësua prej kreut të opozitës, Edi Rama, si sukses i qytetarëve. "Kjo është një ditë e re në historinë e vendit tonë, sepse shqiptarët po kthehen në familjen e tyre natyrale", theksoi dje Rama. Sipas tij kjo është një ditë e re, që lind nga një ëndërr e vjetër për të cilën u sakrifikuan, flijuan, pushkatuan, burgosën, syrgjynosën dhjetëra mijëra shqiptarë. "Kjo është një ditë e re që, e ribashkon Shqipërinë me frontin e madh të popujve të lirë për të mbrojtur demokracinë, lirinë individuale, barazinë para ligjit nga armiqtë e tyre, ashtu si dikur në frontin e madh antifashist të Luftës së Dytë Botërore", nënvizoi kreu i PS-së. Në vlerësimin e Ramës është një ditë kur duhet të përulemi me respekt përpara heronjve dhe dëshmorëve të Luftës Nacionalçlirimtare e me mirënjohje ndaj veteranëve të asaj lufte të lavdishme. "Kjo është një ditë e re, që hap për Shqipërinë kapitullin e shumë ëndërruar prej të gjithë atyre, të cilët pas Luftës së Dytë Botërore u përpoqën për demokracinë, lirinë individuale dhe barazinë para ligjit dhe gjetën vdekjen, humbën plot e plot vite të çmuara jete nëpër burgje apo kampe internimi", u shpreh Rama. Kjo, shtoi ai, është një ditë e re, që hap një epokë të re, pas një epoke të errët ku populli shqiptar i kthyer në skllav jetoi me mohimin e demokracisë, lirisë individuale dhe barazisë para ligjit. "Siç është dita për të kuptuar se për politikën shqiptare, kjo është një përgjegjësi më shumë ndaj popullit dhe ndaj partnerëve e miqve tanë ndërkombëtarë", tha Rama. Ai u shpreh krenar për rolin e Partisë Socialiste në këtë proces, për kurajën me të cilën ajo po ndryshon politikën në Shqipëri dhe për kontributin që ka dhënë deri këtu, për marrjen e ftesës. "Ashtu si kundër më lejoni të nënvizoj vendosmërinë time dhe të PSSH-së për të vazhduar t‘i japim këtë kontribut, duke marrë pjesë në një proces për anëtarësimin përfundimtar të Shqipërisë në NATO", siguroi Rama. Duke ju referuar transformimit të politikës shqiptare nga një pazar politikanësh, në një politikë të interesave të vendit e të qytetarëve, si një shprehje e vetëdijes sonë të re që, është pasqyrë e vetëdijes së re të vendit. Lideri i opozitës konstatoi se ftesa është suksesi i qytetarëve shqiptarë, i atyre që s‘janë më dhe i atyre që sot e gjithë ditën përpiqen në të gjitha fushat e jetës me këtë aspiratë unanime të anëtarësimit në NATO, si dhe në BE, dhe barra e re e përgjegjësisë për politikën shqiptare. "Që sot, duhet më shumë se sa të festojë të mendojë seriozisht për sfidat e jashtëzakonshme që na presin, në mënyrë që anëtarësimi përfundimtar të mos vonojë dhe shqiptareve dhe shqiptarëve të mos u humbet asnjë ditë për shkak të politikës", vijoi Rama.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›