E Shtunë, 31 Tetor 2026

Uidhers: Anëtarësimi, triumf i të gjithëve

Ambasadori i SHBA-së në Tiranë, Xhon Uidhers, ka përgëzuar për ftesën që Shqipëria mori dje për t‘u bërë anëtare e NATO-s. Në një deklaratë për mediat, ambasadori amerikan tha se "sot është një ditë gëzimi, si për Shqipërinë, ashtu edhe për Shtetet e Bashkuara. Është një ditë me domethënie historike, si për shqiptarët, ashtu edhe për amerikanët. Shqipëria, së bashku me Kroacinë, mori ftesën për në Aleancën e NATO-s. Siç tha Presidenti Bush, më herët, Shqipëria do të jetë një anëtare e shkëlqyer e Aleancës. "Jam këtu për të shprehur përgëzimet e mia për Shqipërinë dhe popullin shqiptar, jo vetëm në emrin tim, por edhe në emër të qeverisë sime dhe popullit amerikan. Sot, ne, populli amerikan, mes anëtarëve të tjerë të Aleancës, ju thërrasim ju, popullin shqiptar, të hyni në Aleancën më të rëndësishme të politikës së jashtme në historinë tonë. Kjo ishte Aleanca që përbënte shtyllën tonë të sigurisë gjatë gjithë Luftës së Ftohtë, kur ekzistonte kërcënimi i përplasjes bërthamore. Kjo është një Aleancë që, në kushte ekstreme, na përkushton t‘ju ndihmojmë edhe me jetët e ushtarëve tanë. Siç tha Presidenti Truman në vitin 1949, me rastin e themelimit të Aleancës së NATO-s, ‘Siguria dhe mirëqenia e secilit anëtar të kësaj bashkësie varet nga siguria dhe mirëqenia e të gjithëve. Asnjë prej nesh, i vetëm, nuk mund të arrijë begatinë ekonomike dhe sigurinë ushtarake. Asnjë prej nesh, i vetëm, nuk mund të sigurojë vazhdimësinë e lirisë‘". Por, ftesa e Shqipërisë në NATO nuk ishte vepër e jona. Kjo ftesë nuk ishte çështje fati apo vendndodhjeje gjeografike. Nuk ishte as një çështje përllogaritjesh gjeopolitike. Kjo ftesë, thënë thjesht dhe qartë, është një triumf i popullit shqiptar; i asnjë partie apo një tjetre, por i të gjithë shqiptarëve, të të gjitha partive, që punojnë dhe sakrifikojnë së bashku. Është një prej angazhimeve më të rëndësishme që ne mund të marrim përsipër për popullin shqiptar. Dhe ky angazhim njeh përkushtimin e të gjithë shqiptarëve ndaj demokracisë, sundimit të ligjit, dhe një të ardhmeje më të mirë për vendin, pas natës së errët të komunizmit.

Një poeteshë e njohur shqiptare, duke rrokur diçka nga fryma e arritjes historike që Shqipëria shënoi sot, shkroi vargjet e mëposhtme: Kishim shumë për të hedhur tutje, Kishim shumë për të fituar, Papritur, nga errësira, Lindi një ditë e re. Nëntë vjet më parë, gjatë zgjerimit të parë të NATO-s, Presidenti Klinton iu drejtua të sapoftuarve të atëhershëm, "Mirëserdhët në shtëpi, në bashkësinë e lirisë". Sot, unë ju them ju, "Mirëserdhe, Shqipëri".



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›