E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topi dhe Berisha: Të vendosur për të përmbushur angazhimet

Krerët e shtetit shqiptar përshëndesin ftesën e NATO-s për Shqipërinë. Në Samitin e Bukureshti, Presidenti Bamir Topi dhe Kryeministri Sali Berisha kanë vlerësuar ndihmën e SHBA-së dhe veçanërisht, Presidentit Xhorxh Bush, duke premtuar se do të vijojnë bashkëpunimin për të konsoliduar reformat e kërkuara nga Aleanca e Atlantikut të Veriut. Kreu i shtetit e cilëson ftesën e NATO-s si ngjarjen më të madhe historike, ndërsa Kryeministri Berisha shprehet se "kjo është ngjarja më e rëndësishme pas pavarësisë". Dy krerët e shtetit premtojnë se do të angazhohen për të përmbushur detyrat e lëna nga NATO-ja.

Topi

Kreu i shtetit, Bamir Topi, i cili kryesoi edhe delegacionin shqiptar në Bukuresht, përshëndeti dje vendimin që mori Aleanca e Vendeve të Atlantikut të Veriut për të pranuar Shqipërinë në NATO. Kreu i shtetit ka dhënë vlerësimin e tij më të madh për vendet mike që kanë ndihmuar në anëtarësimin e Shqipërisë, ku ka veçuar në këtë mes, Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Presidenti Topi e cilëson tashmë Shqipërinë si një vend që është në rrugën e saj të pakthyeshme për të ndërtuar një shtet demokratik dhe të së drejtës. "Ne jemi të vendosur të mos ndalemi përpara kësaj sfide, në emër të një të ardhmeje më të mirë, më të sigurtë dhe më të begatë për fëmijët tanë, ku çdo sakrificë është e përligjur", theksoi Topi. Krahas vlerësimeve, Presidenti Topi është ndalur edhe te reformat që priten të bëhen në Shqipëri. "Reformat e rëndësishme politike dhe ekonomike, reformat në sistemin e drejtësisë, në sistemin zgjedhor, në sistemin e sigurisë, në Forcat e Armatosura, në modernizimin e institucioneve, reformat për çrrënjosjen e korrupsionit dhe luftën kundër krimit të organizuar, të cilat janë kontribut i të gjitha forcave politike, pozitës dhe opozitës, i të gjitha qeverive të mbas vitit 1992, por sidomos i vetë popullit shqiptar, janë procese të pandalshme, të qenësishme dhe të domosdoshme edhe për një vend anëtar të Aleancës", tha Topi.

Berisha

Kryeministri Sali Berisha, i emocionuar gjatë fjalimit të tij, ka përshëndetur vendimin e 26 vendeve anëtare të Aleancës së Atlantikut të Veriut për të përfshirë Shqipërinë në NATO. Kryeministri ka theksuar faktin se 95% e shqiptarëve e duan anëtarësimin në NATO të vendit të tyre. "Vendimi i Kryetarëve të Shteteve dhe Qeverive të vendeve anëtare të NATO-s, për të ftuar Shqipërinë, është vlerësim dhe afirmim i përpjekjeve dhe arritjeve të shqiptarëve në shndërrimin e Shqipërisë", tha Berisha. Trupat ushtarake shqiptare janë të vendosura aktualisht së bashku me trupat e forcave të NATO-s në Kabul dhe Herat dhe sipas kreut të qeverisë, "këto trupa do të jenë kudo ku NATO-ja të ketë nevojë". Berisha zotohet përpara 26 krerëve të 26 vendeve të NATO-s se "Shqipëria vlerëson besimin tuaj dhe zotohet me përgjegjësi të ndërmarrë çdo reformë për të miratuar dhe zbatuar çdo vendim dhe ligj, për të arritur dhe konsoliduar standardet politike, ekonomike, sociale dhe ushtarake të vendeve anëtare të NATO-s". Kreu i qeverisë ka mbyllur fjalimin e tij me një ndjesi personale të tijën, duke u shprehur se "në këtë pallat, historia e të cilit është tashmë e njohur, ftohet për t‘u anëtarësuar në NATO vendi, që u sundua nga diktatori më i egër i Evropës së pasluftës, i cili, për më shume se 4 dekada me radhë, ndërtoi aq shumë bunkerë në qytetet, fshatrat, fushat, malet e brigjet e vendit, që po të mblidheshin së bashku, mund të ndërtonin dy herë piramidat e Egjiptit".



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›