Rama: Fullani kandidaturë e gabuar, PS nuk do ta votojë

“Kandidatura më e gabuar”, kështu e ka cilësuar dekretimin e Ardian Fullanit si Guvernator i Bankës së Shqipërisë nga Presidenti Topi, kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama.
Në një qëndrim zyrtar, Rama shpreh keqardhje për kandidaturën e zgjedhur nga Presidenti i Republikës për Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë.
Më tej Rama shprehet se, “Në këndvështrimin e Partisë Socialiste nuk është kandidaturë e gabuar, është kandidatura më e gabuar. Mundësia e një mandati të dytë për zotin Fullani, është pamundësi për të riparuar dëmet e konsiderueshme të mandatit të tij të parë. Për interesin e financave kombëtare dhe të popullit shqiptar, uroj që rrjedha e rrezikshme ku kanë hyrë punët me financat e këtij populli të ndalet një orë e më parë”.
Rama thekson gjithashtu se Presidenti Topi bashkë me votuesit e mundshëm në Kuvend të kësaj kandidature 100% të gabuar, të mos kenë asnjë arsye të pendohen për këtë zgjedhje nga mënyra si mund të precipitojnë gjërat edhe për shkak të drejtimit e politizuar dhe të papërgjegjshëm të Bankës së Shqipërisë.
Në përfundim ai ka sqaruar edhe votën e ligjvënësve socialistë në parlament: “Partia Socialiste do të votojë kundër kësaj kandidature”.