E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: Fyhreri Berisha po mban peng vendin


Lidhur me akuzat e kryeministrit Berisha, Rama u shpreh: "Nuk i përgjigjem baltës me baltë"


TIRANË- Në përkujtimin e 65 vjetorit të çlirimit të Shqipërisë nga pushtuesit nazi-fashist, dhe kur tonet e komunikimit politik mes mazhorancës e opozitës janë acaruar së tepërmi, kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, deklaroi dje se Kryeministri Berisha po mban peng vendin me politikën e tij.


Sipas Ramës, lideri i mazhorancës, nëpërmjet kultivimit të politikës së tij të vjetër, po mbjell urrejtje dhe ndasi mes shqiptarëve edhe për një datë që bashkon kombin shqiptar.


Kreu i opozitës vuri në dukje, se Berisha ngjan me një fyhrer që hyri në sistemin demokratik, nëpërmjet të kaluarës së tij komuniste. "Në dëm të demokracisë që s'mund të ketë urrejtjen për lëndë të parë, në dëm të shtetit të së drejtës, që për të qëndruar në këmbë s'mund të ketë mohimin e së drejtës.


Dasia jonë e përvitshme në çdo datë çlirimi me ceremoniale e ndara në ditë të ndryshme edhe për datën që bashkon çdo komb të vetëdijshëm e vend të qytetëruar, është në fakt jo vetëm rikonfirmimi simbolik i ndasisë, që politika e vjetër e urrejtjes ushqen në të 364 ditët e tjera të vitit, po edhe shëmbëlltyra rrëqethëse e rrethit vicioz ku e shkuara mban peng shoqërinë tonë përmes një palofyhreri që hyri në partinë e demokratëve shqiptarë nga korridori i diktaturës komuniste", - tha dje Rama, në konferencën e organizuar nga PS-ja


me temë: "Nga Antifashizmi në Demokraci Funksionale". Megjithatë, edhe pse Berisha ka përdorur një gjuhë aspak etike ndaj tij, Rama theksoi se ai nuk do t'i përgjigjet në këtë mënyrë, duke shtuar se forca politike, që ai drejton nuk do t'i kundërvihet baltës me baltë.


"Por dasia që dita e çlirimit nxjerr dhimbshëm në pah është edhe barra jonë e përbashkët për tu ndarë nga kjo politikë e për të shpëtuar të ardhmen nga kthetrat e së shkuarës, duke mos iu përgjigjur baltës me baltë dhe duke mos hequr asnjë çast dorë nga forca e arsyes përballë arsyes së forcës", - u shpreh Rama.


Kryetari i opozitares, Rama nënvizoi gjithashtu, se gjuha e ashpër dhe denigruese që po përdoret ndaj opozitës, sipas tij, është shfaqja e sistemeve totalitare në foltoren e Kuvendit të sotëm shqiptar.


"Partia Socialiste e socialistët shqiptarë dhe diktatura komuniste nuk janë vazhdim i njëri tjetrit. Ndërsa njehsimi i tyre në gjuhën e politikës së vjetër të ditës, s'është kurrgjë veç keqpërdorimi i vuajtjeve të djeshme njerëzore për përfitimet e sotme politike për pushtet e para përmes pushtetit.


Nuk janë vazhdim i njëra tjetrës as Lëvizja Demokratike e demokratët shqiptarë me diktaturën e re të korrupsionit në Shqipëri. Ndërsa gjuha e urrejtjes mohuese, përjashtuese, denigruese që shfaqet ndaj opozitës sot, s'është asgjë tjetër veçse fantazma e fashizmit të vjetër që shfaqet deri në foltoren e Parlamentit me tërbimin e vet karakteristik në të gjitha vendet e kohërat", - pohoi ai.


Sipas Ramës edhe pse ekzistojnë ndasitë për festën e çlirimit ka vetëm një datë që sipas tij, është ajo 29 nëntorit të vitit 1944. "Nuk ka dy data çlirimi, ka vetëm një: 29 nëntori i vitit 1944", - shtoi ai.


Lideri i së majtës, theksoi se mosnjohja e kësaj date, është vazhdimi i një ndasie, që nuk lidhet me luftën e djeshme të popullit shqiptar për lirinë e tij, por sipas Ramës, me luftën e sotme për pushtet.


"Asnjëherë ky popull nuk do të reshtë së qeni mirënjohës për ata që e bënë Luftën Antifashiste dhe e çliruan Shqipërinë në 29 nëntor, pa kursyer as jetën e tyre, duke e rreshtuar atdheun tonë përkrah forcave të së mirës kundër së keqes, dhe duke u bërë të gjithë brezave pasardhës nderin e paçmueshëm të të qenit natyrshëm pjesë e një historie të madhe, që i bën nder Shqipërisë së vogël.


Lufta e partizanëve shqiptarë dhe krimet e regjimit komunist nuk janë vazhdim i njëra - tjetrës. Ndërsa, mosnjohja e 29 nëntorit është vazhdimi në rrugën e një dasie të egër që nuk ka të bëjë me luftën e djeshme për lirinë, po vetëm me luftën e sotme për pushtetin", - theksoi Rama.


Duke bërë përgjegjëse qeverinë, si shkaktare për mosliberalizimin në kohë të vizave me Bashkimin Evropian, kreu i opozitës evidentoi faktin se edhe ende sot pas 65 vjetësh nga çlirimi i Shqipërisë dhe pas 19 vjetësh, pas rënies së komunizmit, vendi ynë gjendet larg barazisë para ligjit që ekziston në botën ku Shqipëria kërkon të integrohet.


Për këtë gjendje, sipas Ramës, përgjegjësi kryesor është Kryeministri Berisha, cili si pjesë e së shkuarës komuniste, e mohoi të ardhmen me gjuhën e tij të ashpër e denigruese.


"Përpara 19 vjetësh diktatura komuniste u shemb, përsëri nga fryma antifashiste dhe Shqipërisë iu hapën dyert e lirisë dhe të përparimit, por në krye të vendit erdhi një partiak i vockël komunist, një shërbëtor i asaj diktature, një zëdhënës i së shkuarës që iu drejtua së ardhmes me gjuhën e urrejtjes mohuese, përjashtuese e denigruese.


E ja ku kemi mbetur sot të fundit në Ballkan që ende nuk lëvizim dot pa viza në Europë të cilës i përkasim dhe ata që na keqqeverisin e quajnë suksesin e tyre që Europa, shumë bujarisht, do t'i hapë më në fund kufijtë edhe për shqiptarët që mbetën të fundit pas mureve të ambasadave në radhë për një vizë që shumica s'arrijnë ta marrin kurrë në vitin 2009, në shekullin e 21", - u shpreh më tej Rama.

******************************

E ëma e Edi Ramës: "Unë kam ardhur të nderoj dhe respektoj kujtimin e vëllait tim"


Aneta Rama: Nuk dua të flas për akuzat e Berishës

TIRANË- E ëma e liderit socialist Edi Rama, Aneta Rama, nuk ka dashur që të komentojë akuzat e Kryeministrit Berisha drejtuar familjes së saj, nga foltorja e Kuvendit, duke përmendur episode nga jeta private e familjes Rama.


Gjatë ceremonisë së organizuar me rastin e 65 vjetorit të çlirimit të vendit, duke shoqëruar të birin, Edi Rama, Aneta Rama e pyetur për akuzat e bëra nga Kryeministri Berisha, evitoi dhënien e një kundërpërgjigje ndaj fyerjeve të Berishës, duke thënë se ajo ishte në këtë ceremoni për të nderuar dhe respektuar kujtimin e të vëllait e saj.


"Unë sot kam ardhur të nderoj dhe respektoj kujtimin e vëllait tim, që e kam dëshmor. Me këtë rast uroj gjithë familjet e dëshmorëve!", - tha dje Aneta Rama. Ndërsa e pyetur nga mediat mbi akuzat e Berishës drejtuar familjes së saj, ajo u përgjigj shkurt:"Nuk dua të flas për këtë".


Vetëm disa ditë më parë në mbledhjen e radhës së seancës plenare, Kryeministri Sali Berisha lëshoi një lumë akuzash ndaj kryesocialistit Rama, si dhe përmendi nënën e këtij të fundit. Kreu i qeverisë, me një gjuhë që ngjasonte me atë të viteve të dikurshme të tij, solli në vëmendje episode nga jeta e familjes Rama, duke i bërë publike, sipas versionit të tij, në Parlament.


Ndërkaq, i menjëhershëm ishte edhe reagimi i kryetarit të Partisë Socialiste, Edi Rama, i cili iu kundërpërgjigj Berishës, duke thënë se Kryeministri është një i humbur, që ka humbur mendjen duke shpifur në emër të tij dhe pjesëtarëve të tjerë të familjes së tij.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›