Rama: Gati për përfundimin e negociatave brenda vitit 2027

TIRANË, 7 nëntor /ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se progresraporti i Komisionit Evropian ka vlerësuar me superlativa përparimin e pashembullt të Shqipërisë në proceset e anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Duke folur në rubrikën “Shënimet e Javës”, në podkastin “Flasim”, lidhur me gjetjet e progresraportit 2025 të KE për Shqipërinë, Rama u shpreh se, “progresraporti i Komisionit Evropian ka vlerësuar me superlativa atë që është quajtur përparimi i pashembullt, progresi i pashembullt i Shqipërisë në proceset e anëtarësimit në BE, me hapjen e 5 nga 6 grup-kapitujve për negociatat në vetëm 11 muaj”.
“Uroj dhe besoj që do të hapim dhe grup-kapitullin e 6-të përpara përfundimit të këtij viti”, tha Rama.
“Duke ju kujtuar të gjithëve se si disa e përqeshnin, apo e nënçmonin atë që unë thoja, se në 2027-ën do të mbyllim negociatat me BE-në, duke më thënë se kjo ishte një shpikje dhe kjo nuk kishte asnjë lidhje me vullnetin e Bashkimit Evropian, progresraporti e thoshte shprehimisht që ne kemi treguar se jemi gati të plotësojmë teknikisht kushtet për përfundimin e negociatave brenda vitit 2027”, theksoi Rama.
“Pse? Sepse këta jemi ne, ky jam unë, kjo është PS”, nënvizoi Rama.
/gj.m/j.p/r.e/