Rama: Greva dëshmoi se në PS ka fuqi morale
Gjatë turit në bazë, Kryetari i PS-së, Edi Rama, përforcoi qëndrimin se në rast se nuk ka zgjidhje të krizës, atëherë opozita do t'i kthehet protestave
Korçë - Kryetari i PS-së, Edi Rama, ka përforcuar qëndrimin e tij gjatë turit në bazë se në rast se nuk ka zgjidhje të krizës, atëherë opozita do t'i kthehet protestave.
Nën logon "Hap kutitë, liro vizat, çliro ekonominë", Rama i shoqëruar dhe me deputetë të tjerë të rajonit juglindor si Mimi Kodheli, Arben Ahmetaj Olta Xhaçka etj., është takuar gjatë ditës së djeshme me socialistë të qarkut të Korçës, duke folur me ta lidhur me situatën politike në vend.
Ai ka deklaruar se greva e urisë e zhvilluar nga deputetët dhe përfaqësuesit e opozitës, dha efekt mjaft pozitiv në dobi të forcimit të idealit të së majtës.
"Greva e urisë na dha mundësi të flasim për ideale, ajo dëshmoi se në Partinë Socialiste ka fuqi morale të jashtëzakonshme", - tha Rama nga qyteti i Korçës.
Ai shtoi: "Vendi edhe sot po vuan pasojat e votës së mbyllur, megjithatë ne nuk do të ndalemi në betejën tonë për hapjen e kutive. Do ta bëjmë transparencën realitetin më të ri të Shqipërisë".
Sipas tij, nëse kjo e drejtë mohohet, atëherë rruga e zgjidhjes do të jenë sërish protestat. Nga ana tjetër, Rama përsëriti se opozita është e vendosur për dialog dhe kompromis me mazhorancën qeverisëse.
Rama theksoi se qëllimi i PS-së nuk është bojkoti, por kompromisi për zgjidhjen e krizës politikes që, sipas Ramës, po thellohet çdo ditë e më tepër. Po dje, kryetari i PS-së, Edi Rama, zhvilloi një bashkëbisedim në qytetin e Elbasanit.
Nga teatri "Skampa" i Elbasanit, kryetari i PS-së ka falënderuar të gjithë pjesëmarrësit në grevën e urisë, si dhe kryetarët e njësive vendore, kryetarët e rretheve, drejtuesit e organizatave dhe të gjithë socialistët për mbështetjen e protestave, duke theksuar se greva ishte zemra e një proteste, të cilën e quajti aq të madhe dhe aq të bujshme sa arriti të sensibilizojë botën mbarë.
Edi Rama është ndalur edhe në kauzën e madhe për hapjen e kutive, duke theksuar se Berisha po rrezikon integrimin dhe liberalizimin e vizave duke mbajtur kutitë mbyllur.
"Sali Berisha është i vetmi njeri që thotë se jam fitimtar dhe nuk ka kurajë të pranojë fitoren e tij. Është i vetmi fitimtar që i frikësohet fitores së tij, duke i hapur kutitë e duke i treguar të gjithë popullit se nga buron fitorja e tij.
Sepse Sali Berisha e di shumë mirë çfarë ka në ato kuti dhe Sali Berisha na tregon se e vërteta është shumë më e rëndë sesa ne e imagjinojmë, përderisa merr përsipër t'u rrezikojë shqiptarëve procesin e integrimit, t'u rrezikojë liberalizimin e vizave vetëm e vetëm që t'i mbajë kutitë mbyllur.
Por sa më shumë ato kuti qëndrojnë të mbyllura, aq më shumë ato kuti hapen, sepse aq më e fortë del e vërteta e madhe, që brenda atyre kutive qëndron diçka e madhe që ky pushtet dhe zoti Sali duan me çdo kusht ta fshehin", - tha Rama.
Kryetari i opozitës i drejtoi një apel të drejtpërdrejtë, kryeministrit Berisha: "Sali Berisha të mos i ikë të vërtetës, sepse sa më shumë i ikën aq më shumë do ta ndeshë përballë. Dhe me kurajë t'i japë zgjidhje këtij problemi të madh që duke u shtyrë me idenë se mund të harrohet, vetëm zmadhohet dhe vetëm rëndohet.
Ne jemi të gatshëm ta zgjidhim këtë problem, por me një kompromis që i hap rrugën transparencës... Sali Berisha duhet ta kuptojë se po përsërit një gabim historik të tij duke i ikur të vërtetës, duke iu shmangur ballafaqimit me të vërtetën dhe duke menduar se ata që ka përballë do t'ia hapin rrugën. Ne nuk ia hapim rrugën, përderisa ai nuk i hap rrugë transparencës që ne kërkojmë".