E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Detyrimi im, t'i jap siguri opozitës

Përpos qëndrimit të opozitës, Kryeministri Berisha deklaroi se zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit ishin unike


BERLIN - Me gjithë apelin e faktorit ndërkombëtar dhe thirrjet e njëpasnjëshme të opozitës për të bërë transparencën e zgjedhjeve, Kryeministri Sali Berisha vazhdon t'i bëjë jehonë qëndrimit të tij se zgjedhjet e qershorit ishin të lira e të ndershme, në një kohë kur kriza politike është zyrtarizuar edhe në rang ndërkombëtar.


Gjatë referimit të tij në kryeqytetin e Gjermanisë mbi sigurinë globale dhe sfidat në rritje të saj, kreu i qeverisë shqiptare theksoi se zgjedhjet e 28 qershorit ishin unike, pasi ato u realizuan përmes një teknologjie të re.


Për sa i përket kërkesave të opozitës për transparencën e zgjedhjeve përmes hapjes së materialeve zgjedhore dhe shqyrtimit të fletëve të votimit, Berisha është përgjigjur se detyra e qeverisë së tij është për t'i dhënë siguri opozitës.


Ai vuri në dukje se ky është një detyrim moral ndaj opozitës, ndërkohë që nuk ka përmendur sesi po procedohet me përfaqësuesit e së majtës për zgjidhjen e situatës politike në një kohë kur ka përfunduar edhe afati i vendosur nga eksponentët e Bashkimit Europian në darkën e Strasburgut.


"Këto zgjedhje ishin unike në historinë e vendit tim. Ato u mbajtën në një situatë totalisht të ndryshme, me një teknologji totalisht të re, lista votuesish dixhitale, pasaporta biometrike dixhitale e karta identiteti. Unë vendosa të pranoj çdo propozim të opozitës dhe kisha të drejtë.


Pyetjeve të bashkëpunëtorëve të mi, unë iu përgjigja se detyra e qeverisë sime është t'i jap siguri të plotë opozitës. Kështu, ne futëm një ligj plotësisht konsensual, rregulla dhe instruksione në këto zgjedhje dhe të drejtën e vetos, për çdo komisioner, çdo observues. Unë jam shumë i bindur se si qeveri duhet të bëjmë çdo gjë që t'i japim sigurinë më të mirë opozitës.


Ky është një detyrim moral dhe ne do ta bëjmë. Unë mbetem i përkushtuar ndaj idealeve të mia të para në jetën time politike, të cilat ishin shumë të thjeshta: votë e lirë, fjalë e lirë", - ka thënë Berisha.


Përgjatë këtij referimi, Berisha ka folur edhe mbi procesin e integrimit të vendit në Bashkimin Europian, por ka harruar faktin se ky proces nuk mund të bëhet i mundur pa plotësimin e kriterit politik që kërkon qëndrueshmëri politike.


Kryeministri e ka cilësuar integrimin në BE një projekt të dytë madhor të Shqipërisë pas zgjedhjeve të kaluara, në një kohë kur ndërkombëtarët e kanë bërë të qartë se Shqipëria nuk mund të përfitojë statusin e vendit kandidat nëse vazhdon akoma kjo situatë politike.


Kreu i shumicës nuk ka harruar ta quajë sukses të madh edhe zhvillimin e deritanishëm të procesit të vizave, ndërkohë që ky proces është vënë në dyshim nga disa vende të BE-së, për shkak të kohës së pamjaftueshme të plotësimit të kritereve të mbetura, si dhe për shkak të moszgjidhjes së krizës politike.


Për këtë arsye, edhe komisioneri për Zgjerimin evropian, Shtefan Fyle, ka kërkuar zgjidhjen e ngërçit politik përpara shqyrtimit të çështjes së vizave nga Parlamenti Europian. "Ne po punojmë në një projekt të dytë madhor, i cili është integrimi në BE. Gjatë këtij viti, ka pasur shumë vendime vendimtare për vendin tim.


Pas zgjedhjeve, ministrat e BE-së votuan për Shqipërinë për të hapur negociatat për statusin kandidat. 2284 pyetje iu dhanë vendit tim, të cilave ne iu përgjigjëm, ia dërguam Komisionit Europian dhe tani po presim për vlerësimin e tyre.


Në mes të muajit maj, Këshilli i Komisionerëve të BE vendosi të rekomandonte heqjen e vizave për Shqipërinë. Pa dyshim, ne bëmë çdo gjë për të përmbushur çdo standard", - është shprehur numri një i qeverisë.


Kryeministri Sali Berisha ishte pjesëmarrës dhe folësi kryesor në panelin e takimit të 27-të ndërkombëtar mbi sigurinë globale, në Berlin të Gjermanisë, ku trajtohej tema mbi sigurinë globale dhe sfidat në rritje të saj.


Patok, Berisha në bazë për vizat


TIRANË - Pas vizitës së tij në Gjermani, kryeministri Berisha iu rikthye prerjes se shiritave, fillim i një turi thuajse njëmujor që do të ndërmarrë ai në kuadër të procesit për liberalizimin e vizave. Ai ka inauguruar përfundimin e punimeve Laç-Patok, me një gjatësi 9.5 km, ku janë investuar 260 milionë lekë.


Nga Fushë-Kuqja, Berisha ka kritikuar punën e Edi Ramës si kryebashkiak, duke bërë një krahasim, ku, sipas tij, në Fushë-Kuqe janë ndërtuar 26 km rrugë, ndërsa në Tiranë 12 km rrugë.


Kryeministri Berisha deklaroi se Rama nuk do të arrijë të ndalë zhvillimin e vendit me çadra që ngre, dhe i ftoi qytetarët që të vazhdojnë të mbështesin "qeverinë e djathtë, të integrimit".


Berisha theksoi se "jemi në një prag historik, atë të liberalizimit të vizave", duke premtuar si në çdo takim rrugë të tjera , ujësjellës, shkolla dhe qendra shëndetësore.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›