E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjykata, 10 ditë afat për "trafikantët" e artit

Pesë të arrestuarit si trafikantë veprash arti do qëndrojnë 10 ditë në burg. Prokuroria të provojë vlerën e objekteve


ELBASAN- Prokuroria e Elbasanit ka vetëm dhjetë ditë kohë që të vërtetojë se objektet që i janë kapur të dyshuarve si trafikantë veprash arti janë me të vërtetë me vlera kombëtare. Pesë të arrestuarit e tre ditëve më parë kanë dalë para gjykatës për vlerësimin e masës së sigurisë, përballë gjyqtarit Bujar Musta.


Prokurori i çështjes, Ritvan Suta, kërkoi burg pa afat për shtetasit Ilir Kera, 36 vjeç, Reshit Hyseni 29 vjeç, Nebi Guracaku 49 vjeç, Gramoz Porshja 34 vjeç dhe Armand Meta 26 vjeç që të gjithë me banim në Elbasan, duke i akuzuar ata për veprën penale të trafikut të objekteve me vlera kombëtare.


Por avokati mbrojtës, Altin Ago ka thënë se objektet që janë sekuestruara nuk janë të vlerave të deklaruara nga policia. Ato nuk kanë asnjë certifikatë shoqëruese, nuk dihet kujt i përkasin dhe nuk është vërtetuar vjetërsia e tyre. Avokati mbrojtës e ka quajtur arrestimin e pesë të dyshuarve si një bllof të policisë. Ai tha gjithçka e ngritur ndaj pesë të arrestuarve nuk ka mbështetje ligjore. Avokati Ago tha se duhet t'i kërkohet organeve të specializuara të vendosin mbi vlerën e vërtetë të këtyre objekteve.


Pasi ka dëgjuar pretendimet e palëve gjyqtari Musta vendosi të lërë në burg për 10 ditë, pesë të arrestuarit derisa prokuroria të sigurojë prova për vlerën e objekteve të sekuestruara. Verifikimi i vjetërsisë dhe rëndësisë së objekteve të kapura do të bëhet nga Ministria e Kulturës.


Pesë të arrestuarit nga policia akuzohen për trafik të objekteve të artit. Policia e Elbasanit ka sekuestruar një kambanë bronzi me peshë 50 kg që mendohet se i përket viteve 1700. Tre piktura të gdhendura në material bakri të përmasave të ndryshme që mendohet se i përkasin shekullit 18-19, një ikonë kishe si dhe sende e objekte antike të ndryshme të gdhendura në serm, monedha të vjetra që mendohen me shumë vlerë dhe se po punohet për zbardhjen e prejardhjes së tyre.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›