E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjiknuri: PS e hapur për rishikimin e sistemit zgjedhor

TIRANË Bashkëkryetari i komisionit për reformën zgjedhore, Damian Gjiknuri, deklaroi dje se sistemi zgjedhor mbetet një debat i hapur. “...Sistemi ynë ka probleme të mëdha përsa i përket proporcionalitetit të votës, që në një farë mënyre është edhe një princip i rëndësishëm demokratik. Për ta shpjeguar më qartë, kjo ka të bëjë me atë që një sistem zgjedhor duhet të synojë që vota e hedhur të jetë sa më në proporcion me mandatet e prodhuara. ǒështë e vërteta, ky sistem, siç e ka thënë edhe ironikisht vetë zoti Bertisha, u ka rënë në qafë partive të vogla. Jo më larg se para dy muajsh ai bëri thirrje që jam i hapur që të rishikojmë sistemin zgjedhor, megjithatë ne presim që atë që ka thënë se është i hapur, ta bëjë realitet në momentin kur të dëgjojmë propozimet për sistemin zgjedhor”, - tha dje Gjiknuri për PS TV. Për pasojë, Gjiknuri shtoi se Partia Socialiste është e hapur për rishikimin e sistemit, sa kohë që kjo është edhe kërkesa kryesore nga partitë e vogla. “Janë shumë parti të vogla që e kanë ngritur këtë çështje dhe ne do t’i dëgjojmë dhe një nga arsyet se pse ato do të jenë pjesë e tryezës është edhe për të dëgjuar shqetësimet dhe argumentet e tyre në lidhje me sistemin zgjedhor. Patjetër që edhe ne kemi qëndrimin tonë. Mund ta them fare qartë që ne jemi të hapur për të rishikuar sistemin zgjedhor drejt një mase, një forme të korrektimit kombëtar për aq sa është e mundur, duke ruajtur edhe përfaqësimin rajonal, por edhe proporcionalitetin e votës në rang kombëtar, në mënyrë që edhe partitë që kanë një peshë elektorale të ndihen të përfaqësuara. Kjo do të jetë një punë në proces”,- tha Gjiknuri.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›