E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: I pavërtetë lajmi për debatin

24/01/2012  Asambleja e PS-së, kreu socialist nxiton të sqarojë situatën

Asambleja Kombëtare dhe debati që gjeneroi ky forum në mbledhjen e dy ditëve më parë solli përpara opinionit publik dy qëndrime të kundërta nga vetë përfaqësuesit e Partisë Socialiste. Kjo lidhur me një nga çështje e programit të takimit, që kishte të bënte pikërisht me ndarjen e zonave që do të kenë nën mbikëqyrje anëtarët e kryesisë socialiste. Kreu i PS-së, Edi Rama, nxitoi dje të bënte një sqarim përmes një editoriali të gjatë mbi atë çfarë përfaqësonte në vetvete kjo mbledhje. Ndërkohë deputetët socialistë dhanë një tjetër panoramë mbi këtë çështje.

Sqarimi

Në shkrimin e tij për të sqaruar këtë mbledhje kreu socialist e përqendron vëmendjen në atë çfarë përcollën mediet, përfshirë këtu ato vizive dhe të shkruara. Por në këndvështrimin e tij në takim jo vetëm që nuk kishte debat apo pakënaqësi mbi përcaktimin e zonave për këta anëtarë nga ana e lidershipit socialist, përkundrazi, ishin mediet ato që mbiprodhuan lajme. Madje, përveç një përcaktimi të tillë kryetari i PS-së shkon më tej në sqarimin e tij, ku ajo çfarë u shkrua në gazeta apo u transmetua në ekranet televizive ishte shtysë dhe ndërhyrje e shumicës në pushtet. “Është nevoja e pushtetit për të cenuar frymën e brendshme të PS-së dhe imazhin e saj, duke krijuar edhe nga asgjëja diçka që të prishë shijen e publikut për PS-në, si një shtëpi ku s’ka ditë që të mos ketë sherr, çka në fakt është krejt e pavërtetë”, - shkruan Rama në editorialin e tij. Në këtë mënyrë, kryetari i PS-së përjashtoi çdo mundësi për mos rënie dakord mes anëtarëve të forumit socialist lidhur me ndarjen e zonave. Gjithashtu kreu socialist argumentoi dhe një tjetër çështje të trajtuar nga mediet, e konkretisht atë të përfshirjes së ish-kryetarit Nano në listën e të deleguarve nga Asambleja. “Kanë vrapuar edhe të lajmërojnë me të madhe ‘rikthimin’ e Fatos Nanos në PS. Edhe ky një lajm i prodhuar jashtë kontekstit. Fatos Nano, si gjithë ata përfaqësues të PS-së që kanë pasur detyra të larta shtetërore, për shembull, Rexhep Meidani, Servet Pëllumbi, Ylli Bufi, po edhe si ish-kryetar i PS-së është anëtar ex-officio i Asamblesë Kombëtare. Si i tillë, ka qenë gjithnjë në listën e delegimeve në bazën e partisë të të gjithë anëtarëve të Asamblesë Kombëtare. Pra zyrtarisht de jure s’e ka larguar kush më parë dhe as e ka rikthyer kush dje. Tjetër gjë si kanë rrjedhur gjërat e çka zgjedhur të bëjë ai vetë de facto në gjithë këto vite duke u distancuar larg nga PS-ja, por kjo s’ka të bëjë gjëkundi me mbledhjen e djeshme”, - argumentonte Rama.

Reagimet

Por ndryshe u konceptua kjo mbledhje dhe kjo pikë e axhendës së saj nga përfaqësuesit socialistë. Deputeti socialist Eltar Deda e konceptoi në këtë mënyrë mbledhjen: “Në këtë mbledhje me keqardhje them se u zhgënjyen socialistët e Vlorës.” Gjithashtu dhe deputeti Ilir Gjoni reagoi mbi këtë pikë, duke theksuar se “nuk kuptova racionalen e këtyre lëvizjeve, që për mua ishin krejt të panevojshme dhe me asnjë impakt pozitiv politik, përkundrazi, veçse krijojnë pështjellim”. Kritik ishte dhe deputeti Erion Braçe.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›