E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: Iku Meta, sistemi i korruptuar mbeti

Dorëheqja e Ilir Metës nuk ka larguar mundësinë e keqpërdorimit të pasurive kombëtare, për sa kohë në krye të ministrisë së Ekonomisë është përzgjedhur të drejtojë sërish një përfaqësues i Lëvizjes Socialiste për Integrim. Dy ditë pas aktit të dorëheqjes, kryesocialisti Edi Rama gjatë një bashkëbisedimi të zhvilluar me studentë të Akademisë Politike të Partisë Socialiste, në qytetin e Durrësit, ka parashtruar gjatë analizës së tij veprimin e fuqishëm opozitar, përballë një skandali qeveritar, pas të cilit nuk qëndron thjesht një njeri si një individ i shkëputur, por që mishëron një kulturë dhe moral qeverisës. Duke iu referuar videoskandalit dhe dorëheqjes që e pasoi, Rama e konsideroi aktin e ish zv/kryeministrit dhe ish-ministrit të Ekonomisë, thjesht si një lëvizje të detyruar, ku ka ndërruar vetëm emri i individit, por dikasteri i ministrisë së Ekonomisë mbetet sërish një pronë që duhet ta mbajë LSI. “A ka shembull më kuptimplotë sesa edhe manovra, ku pavarësisht asaj që njerëzit panë e dëgjuan me sytë dhe veshët e tyre, pavarësisht largimit të një aktori në këtë skandal, ministria e Ekonomisë trajtohet si një domen i një partie, e cila është futur në një bashkim kusarësh e matrapazësh, siç rezulton nga faktet dhe nuk trajtohet si ministria e Ekonomisë Shqiptare. Trajtohet ministria e Ekonomisë si të ishte nën në statutin e ndjesë pastë LSI-së, që i përket kësaj partie dhe që pa këtë kjo parti nuk ekzistoka. Kjo është e vërtetë dhe kjo e vërtetë është e tmerrshme. Jo vetëm s’ka pohim, jo vetëm s’ka ndjesë, jo vetëm s’ka reflektim, po ka një manovër, nga e cila ka një rezultat që tregon se në thelb s’ka ndryshuar asgjë, pasi ka ikur Meta ka mbetur blloku aty”, tha Rama gjatë fjalës së tij në bashkëbisedimin me studentët. Kjo, sipas tij, provon se “këtu nuk kemi të bëjmë me çështjen e një personi që deri dje ishte zv/ kryeministër dhe sot nuk është më pjesë e kabinetit qeveritar, po këtu është çështje e një sistemi të kalbur tërësisht qeverisës, i cili duhet zhbërë pasi ky kalbëzim rrezikon të çojë vendin në një katastrofë të plotë ekonomike dhe shoqërore”. Rama në këtë bisedë, nga Durrësi, ka ftuar të gjithë ata që, sipas tij, nuk janë pjesë e këtij “oborri kusarësh e matrapazësh”, të gjithë ata që ndjehen të fyer ndaj faktit se si sillet ky pushtet ndaj popullit të tij, të gjithë ata që ndjejnë revoltë ndaj mënyrës se si përdoren zyrat e shtetit shqiptar, për të qenë më 21 janar në demonstratën që do të zhvillohet pa flamuj e simbole politike e partiake. “Ky nuk është për ne një rast për të marrë pushtetin, ky për ne është rasti kur të gjithë shqiptarët dhe ata që nuk janë pjesë e kampit tonë opozitar, të reagojnë dhe të protestojnë për të ndryshuar rrjedhën e këtyre ngjarjeve dhe për të rivendosur sistemin, duke garantuar që qeveria dhe qeverisja të rifuten në kontroll. Rifutja e tyre në kontroll vjen nga vota”, përfundoi Rama bashkëbisedimin e tij.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›