E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tetë ministrat, nën shënjestrën e PS

SHKRUAN: Dardan Malaj 17-01-2011 10:20

Ilir Meta është i teti ministër i kabinetit qeveritar “Berisha 2”, që u bë shënjestër e aksionit opozitar. Më herët, disa prej eksponentëve kryesorë të qeverisë së koalicionit, të përbërë nga Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim, kanë kaluar nën “grykën” e sulmit opozitar. I vetmi ndryshim është se në rastin e Metës, presioni publik i opozitës u pasua me aktin e dorëheqjes, ndërsa në rastet e mëparshme nuk ka pasur një reagim të tillë.

Meta

Një bisedë e regjistruar mes Ilir Metës dhe Dritan Priftit, e cila u realizua nga ky i fundit, çoi në dorëheqjen e zv.kryeministrit. Në materialin e bërë publik, dy personazhet e Lëvizjes Socialiste për Integrim flisnin në mars të vitit 2010 për ato çka u cilësuan afera me tendera, HEC-e dhe emërime në administratën publike. Sapo u publikua video, opozita kërkoi dorëheqjen e Metës por diçka e tillë erdhi vetëm 72 orë pas transmetimit. Kreu i LSI-së mohoi vërtetësinë e saj, duke e cilësuar si një montazh dhe akuzoi liderin e opozitës, Edi Rama, si regjisorin e saj dhe ish-ministrin Prifti si një çimkë. Më herët, Meta ishte në qendër të akuzave për pasurinë e tij duke marrë shkas edhe nga disa deklarata publike, të bëra në drejtim të tij prej ish-nënkryetarit të LSI-së, Dritan Prifti. Një tjetër trajektore sulmi, që synonte Metën, kishte të bënte me mandatin e marrë prej tij në Tiranë, në zgjedhjet e 28 qershorit, pasi PS pretendonte se votat janë manipuluar.

Bregu

Sulmi i parë publik ndaj ministres së Integrimit, Majlinda Bregu, kishte të bënte me dhënien me koncesion për 35 vjet të disa hidrocentraleve. Partia Socialiste deklaroi se vendimi për dhënien e koncesionit të hidrocentraleve në lumin Zall i Okshtunit, ku akuzohet për favorizim kunati i ministres Majlinda Bregu, është marrë më datë 11 qershor 2009. PS insistoi se vlera totale e këtij investimi kap shifrën e 32 milionë Euro, për ndërtimin dhe vënien në punë të hidrocentraleve. Çështja e dytë, e ngritur në drejtim të Bregut, ishte pasuria e saj pasi socialistët pretendonin se në deklarimin e pasurisë së bashkëshortit të ministres, rezulton që vlera me të cilën janë blerë apartamentet e tyre, të jetë 530 Euro për metër katror. Sipas çmimit të referencës, çmimi për apartamente banimi në të njëjtën zonë e kalon dyfishin e kësaj vlere, 1300 Euro për metër katror, ndërkohë që vlera e tregut është 2000 Euro metri katror, pra afër katërfishi i asaj që bashkëshorti i ministres së Integrimit ka deklaruar pranë organeve kompetente. Së treti, opozita sulmoi Bregun pas arrestimit në Vlorë të një të dyshuari si bos i mafies italiane “Sacra Corona Unita, Albino Prudentino. I biri i tij, Anxhelo, ishte ortak në disa biznese në Shqipëri me kunatin e ministres Bregu, Ervis Gjençaj. Duke e akuzuar për lidhjet me mafien italiane, opozita kërkoi dorëheqjen e ministres së Integrimit, por kjo e fundit mohoi çdo akuzë në drejtim të saj dhe nuk dha dorëheqjen.

Ruli

Qendra e akuzave të opozitës ndaj ministrit aktual të Bujqësisë, Genc Ruli, i referohet kohës kur ai ka mbajtur postin e ministrit të Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës. PS ka akuzuar Rulin për shkelje në disa vendimmarrje të këtij dikasteri, duke favorizuar firma të veçanta në dhënie kontratash për shfrytëzim HEC-esh, ndërsa është përmendur kontrata e dhënë për familjarët e deputetes së Partisë Demokratike, Rajmonda Bulku. Ish-ministri i Ekonomisë dhe Energjetikës, Genc Ruli, akuzohet se në korrik të vitit 2009, vetëm dy ditë pas kërkesës së kompanisë koncesionare, ka firmosur ndryshimin e marrëveshjes koncesionare, pa e kaluar atë më parë për miratim në Kuvend, çka lehtësoi kompaninë nga gjoba prej 1.6 milionë eurosh dhe detyrimet e investimeve të parealizuara. Opozita ka kërkuar nisjen e hetimeve nga prokuroria, duke dyshuar për një aferë të dyshimtë nga ministri Ruli, e cila i ka kushtuar buxhetit të shtetit një dëm prej disa miliona eurosh.

Imami

Në korrikun e vitit 2010, Ministri i Mbrojtjes Arben Imami u akuzua nga Partia Socialiste se është bërë pjesë e një prej aferave më të mëdha korruptive, duke nxjerrë në shitje qindra objekte e mijëra katrorë sipërfaqe toke, asete shtetërore. Opozita aludoi publikisht se këto asete do të përfitoheshin nga ata që cilësohen klientë të pushtetit dhe qeverisë “Berisha”. Socialistët fillimisht akuzuan ministrin Imami, për planin për të shitur truallin e Fushës së Aviacionit në kryeqytet dhe më pas u akuza edhe për truallin e një reparti ushtarak në Kamëz. Thelbi i akuzave të socialistëve insistonte në faktin se Ministria e Mbrojtjes kishte identifikuar dhe i kishte dërguar Ministrisë së Ekonomisë një listë me mbi 700 objekte për të kaluar në procedurë privatizimi.

Vasili

Partia Socialiste denoncoi hartimin e listës së barnave spitalore, që sipas selisë rozë është hartuar nga firma farmaceutike e Rrasim Hamzarait, një i afërm i ministrit Petrit Vasili. Kjo listë barnash, sipas deputetëve të opozitës, është kundërshtuar nga specialistët e QSUT-së. “Mund t’ju them se Mega Farma është rreth i familjes tuaj dhe drejt kësaj kompanie dhe këtij distributori janë drejtuar të gjitha tenderët. Na rezulton se edhe pronari i Mega Farmës, Rasim Hazmaraj, është personi që ka blerë pasurinë e ministrit Dritan Prifti, prej 1.8 milionë euro”, akuzoi Partia Socialiste ministrin Vasili. Ky i fundit, në reagimet për median, i konsideroi të pabaza akuzat duke sqaruar se prej 4 vitesh ministria nuk merret me tenderët e ilaçeve.

Prifti

Sulmi i parë ndaj Priftit mbërriti menjëherë pas përmbytjeve të shkaktuara në qarkun e Shkodrës. Hapja e digave dhe menaxhimi paraprak i tyre ishin thelbi i kritikave të opozitës për ministrin e atëhershëm të Ekonomisë, Dritan Prifti. Më pas, socialistët i mëshuan fort deklaratës së pasurisë së Priftit, duke e akuzuar se brenda një viti kishte vënë një pasuri prej 1.8 milionë eurosh. Pikëpyetjet në lidhje me burimin e kësaj pasurie, të shënuar në formularin e depozituar në Inspektoratin e Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive, i lejuan opozitës të ngrinte akuza publike për korrupsion. Ministri bëri të ditur se paratë kanë ardhur si pasojë e shitjes së aksioneve që kishte në një kompani, ku kishte qenë bashkëortak. Sulmi tjetër erdhi për faktin se personi që kishte paguar 1.8 milionë eurot, dhe blerë aksionet e kompanisë, ishte pjesëtar në bordin e OST-së.

Basha

Mosgjykimi i Lulzim Bashës, për akuzat e ngritura nga Prokuroria për abuzimet me fondet në ndërtimin e rrugës Rrëshen-Kalimash, mbeten në shënjestrën e opozitës. Basha u akuzua nga Prokuroria e Përgjithshme për "shpërdorim detyre" dhe "favorizim në tenderë", lidhur me fondet për ndërtimin e rrugës Rrëshen-Kalimash, gjatë kohës kur drejtonte ministrinë e Punëve Publike. Dëmi i shkaktuar, sipas Prokurorisë, nga ish-ministri dhe ish-drejtori i Rrugëve është 232 milionë euro. Por, Gjykata e Lartë i cilësoi të pavlefshme hetimet për ish-ministrin e Transporteve, duke deklaruar se këto hetime janë jashtë afateve ligjore. Kolegji Penal vendosi që ministri të mos jetë më i pandehur, duke hedhur poshtë kështu aktin e Prokurorisë për të.

Mediu

Imuniteti i fituar përmes zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit, i shërbeu Fatmir Mediut që të përfitojë nga vendimi i Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë, që pranoi kërkesën e avokatëve mbrojtjes për pushimin e çështjes penale ndaj tij. Ish-ministri i Mbrojtjes ishte marrë i pandehur nga Prokuroria, me akuzën e “shpërdorimit të detyrës”, në vendimin për të përcaktuar Gërdecin si vend për demontimin e municioneve”. Kuvendi i kishte hequr imunitetin Mediut, por mandati i deputetit që u fitua në zgjedhjet e 28 qershorit 2009 i dha sërish imunitet ish-ministrit të Mbrojtjes, duke çuar në pushimin e çështjes ndaj tij. Partia Socialiste e cilësoi këtë si një manovër të Mediut, për t’ju shmangur hetimit dhe vijimësisht akuzon ministrin aktual të Mjedisit, se nuk është gjykuar nga drejtësia për tragjedinë e Gërdecit, ku vdiqën 26 persona dhe u plagosën qindra të tjerë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›