Ristani: Prishja e zgjedhjeve, vetëvrasje për partitë
“Jam përpjekur në mënyrë të vazhdueshme që të jem i barazlarguar nga partitë politike dhe e vetmja mënyrë është respekti ndaj ligjit dhe zbatimi strikt i tij”. Kështu u shpreh dje kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Arben Ristani, sipas të cilit interpretimi i tij për nenin, për djegien e fletëve në Kodit Zgjedhor, është ligjor e që nuk lë vend për të qenë interpretim ndryshe. Në intervistën e tij për “Top Channel”, Ristani konstatoi se partitë bënë Kodin Zgjedhor dhe në fund të dhjetorit të 2008-s e miratuan me konsensus, ku vunë edhe një nen në fund, ku pas zgjedhjeve arkivohen materialet dhe fletët do të digjen. “Mua më caktuan zbatimin e këtij kodi”, pohoi Ristani, i cili insistoi se e gjithë buja e për djegien e fletëve ka ardhur nga politika. Ristani shpjegoi edhe qëndrimin e tij, përsa i përket mandatit të nënkryetares, Dëshira Subashi, në KQZ. “Kodi Zgjedhor ka një nen që thotë se mandati i anëtarëve të KQZ-së, përfshirë postin e nënkryetarit dhe kryetarin, përfundon me moshën e pensionit. Mosha e pensionit është 60 vjeç, dhe duke qenë se Subashi mbush 60 vjeç, unë thjesht kam informuar Kuvendin dhe për sa i përket zgjidhjes që do t’i japë ky institucion këtij problemi, unë jam krejtësisht indiferent”, shtoi kryetari i KQZ-së. Më tej Ristani foli për procesin e zgjedhjeve për pushtetin vendor që do të mbahet më 8 maj. Ai u shpreh i bindur se forcat politike nuk do ta prishin procesin zgjedhor, pasi sipas tij kjo do të ishte një vetëvrasje politike. “Nuk besoj që beteja do të jetë vetëm për Tiranën. E shoh si një betejë të përgjithshme. Partitë do të luftojnë për të gjithë territorin. Tirana ka rëndësi pasi është kryeqyteti. Besoj që zgjedhjet nuk do të prishen, pasi për mendimin tim do të ishte vetëvrasje për të gjitha forcat politike. Pavarësisht se luftojnë me njëra-tjetrën, besoj se e duan vendin. Besoj se do të përpiqen të bëjnë zgjedhje të mira e ne do të përpiqemi të zbatojmë rregullat tona”, nënvizoi Ristani. Duke folur për elementët e sigurisë, që përbëjnë procesin zgjedhor në Shqipëri, Ristani tha se ato janë të tepruara, që nga fletët e votimit, që sipas tij, përsa i përket elementëve të sigurisë mund të krahasohen me një kartmonedhë, e deri tek kutitë e fletëve të votimit. Të gjitha këto elementë, tha ai, nuk vërehen në vendet e tjera dhe në vendin tonë janë më shumë për shkak të paranojës së forcave politike.