E Shtunë, 31 Tetor 2026

Buxheti, sot debate në Kuvend

SHKRUAN: Fejzi Braushi 17-01-2011 10:19

Kuvendi çel sot sesionin e katërt të legjislaturës së XVIII të tij. Ndryshe nga sa ishte paracaktuar, në projekt-kalendarin e miratuar disa ditë më parë nga Konferenca e kryetarëve, seanca plenare që do hapet në orën 17:00 pasdite, pritet të ketë një axhendë jo krejt formale, pasi në të do të diskutohet dhe miratohet edhe Akti Normativ për ndryshimin e Buxhetit të Shtetit 2011, ndërsa në pritje mbetet dhe votimi i dekreteve të disa ndryshimeve në kabinetin qeveritar.

Seanca

Seanca e sotme plenare, e para këtë sesion të ri, pritet të hapet nga Kryetarja e Kuvendit jo thjesht me procedurën e zakonshme, por duke mbajtur dhe një fjalë të shkurtër, ku përveç urimit drejtuar deputetëve pritet të shfaqë dhe disa nga detyrat që duhet të përmbushë legjislativi gjatë kësaj faze. Për rrjedhojë, në sallë pritet të jenë të pranishëm dhe përfaqësues të Trupit Diplomatik, si dhe përfaqësues të institucioneve kushtetuese. Më pas, seanca do të miratojë Programin e Punës të Kuvendit për periudhën 17 janar – 17 mars 2011, si dhe të kalendarit trejavor (17 janar - 3 shkurt 2011). Nga ajo që shihet në projekt-kalendarin trejavor të punimeve, Kuvendi në tre seancat e radhës do të ketë një aktivitet thuajse formal, pasi gjatë tre javëve të ardhshme ai do të miratojë vetëm tre projektligje në kuptimin e vërtetë, ndërsa i gjithë aktiviteti tjetër do të jetë ratifikim marrëveshjesh, apo aderim në konventa të ndryshme. Kështu tre seancat e radhës, Kuvendi do të diskutojë dhe miratojë vetëm projektligjin “Për plehrat e përdorimit bujqësor”, “Për krijimin e Shoqërisë “Nxitja e Biznesit Social SH.A” dhe nismën tjetër ligjore “Për ndërmjetësimin në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve”. Ndërkohë që në kalendarin tre mujor janë përfshirë të gjitha nismat ligjore, të mbartura nga sesionet e shkuara dhe që kanë mbetur pa u miratuar, për shkak se kërkojnë një votë të cilësuar. Mungon këtu vetëm projektligji “Për disa ndryshime në ligjin për SHISH, pavarësisht se miratimi i tij kërkon një shumicë të thjeshtë votash.

Akti-normativ

Në rend të ditës së seancës së sotme, Konferenca e kryetarëve përfshiu pa pëlqimin e opozitës edhe miratimin e Aktit Normativ, për ndryshimin e Buxhetit të Shtetit. Për rrjedhojë, miratimi i kësaj nisme gjatë seancës së sotme pritet të shkaktojë debate në sallë, mes përfaqësuesve të majtë dhe shumicës qeverisëse, kjo pasi përfaqësuesit e majtë pretendojnë se Buxheti i Shtetit nuk mund të ndryshohet me akt normativ, dhe aq më keq në kushtet e emergjencës. Pavarësisht kundërshtimit të opozitës, tashmë ky akt ka kaluar fazën e miratimit të tij në komisionet parlamentare, ende pa u hapur në mënyrë zyrtare sesioni parlamentar, kjo për shkak se në seancën e ardhshme mazhoranca nuk do jetë e plotë në numrat e saj në sallë, pasi një pjesë e mirë e deputetëve të saj do jetë e angazhuar në punimet e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës në Strasburg. Akti normativ bën të mundur që një shumë prej 5 mld lekësh, të papërdorura nga buxheti i vitit që lamë pas, t’i kalojë në buxhetin e vitit 2011, me qëllim që ato të përdoren për të shlyer firmat të ndërtimit, që kanë bërë punime në një sërë veprash publike dhe që për arsye të ndryshme nuk janë paguar nga qeveria. Në total bëhet e ditur se qeveria i ka borxh firmave të ndërtimit rreth 200 mln dollarë për punimet e kryera.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›