Rusmali e Xhafa: Kodi, produkt i konsensusit
Dy partitë e mëdha përmes bashkëkryetarëve të komisionit sigurojnë bashkëpunimin në të ardhmen
TIRANË- “Kodi i ri Zgjedhor është më i miri në kushtet aktuale, por padyshim jo zgjidhja më e mirë e mundshme”. Kështu është shprehur dje bashkëkryetari socialist në komisionin e reformës zgjedhore, Fatmir Xhafaj, në seancën e djeshme plenare, gjatë diskutimit për miratimin e Kodit të ri Zgjedhor. Edhe bashkëkryetari demokrat në këtë komision, Ilir Rusmali është shprehur dje se kodi i ri zgjedhor do të mbahet mend si shembulli më i mirë i konsensusit, ndaj së cilës duhet t’i bashkohen edhe deputetët që e kundërshtuan atë. “Jam i sigurt se ky kod do të mbahet mend gjatë në Shqipëri si kodi produkt ekzemplar i një procesi shembullor konkurrues, i një procesi shembullor konsensusi, i cili për hir të këtij modeli ekzemplar është mirë që t’i bashkohen edhe kolegët që e kundërshtojnë atë. Unë shpresoj që ashtu si në komisionin ad-hoc kur ky projektligj mori më shumë vota sa ç’është shumica e cilësuar që duhet të marrë, më shumë se 84 vota, edhe në parlament do të marrë më shumë se kaq, sepse është koha që ne t’i tregojmë shqiptarëve që produktet e mira ne i nxjerrim vetë dhe i nxjerrim me bindje dhe siguri të plotë”,- tha Rusmali në seancën e mbrëmshme parlamentare. Ndërsa bashkëkryetari socialist, Fartmir Xhafaj, është shprehur se bashkëpunimi politik i arritur në formulimin e këtij Kodi Zgjedhor nuk duhet parë as si flirt i opozitës me pushtetin, as si dobësi e shumicës karshi balancave politike në vend. Xhafaj theksoi se hartimi i kodit nuk ka qenë një procedurë që ka filluar e mbaruar vetëm me dëshirën e mirë të dy forcave kryesore politike në vend. Ndryshe nga herët e tjera, për asnjë nga dispozitat e këtij ligji, sipas Xhafës, nuk u arrit deri në përdorimin e të drejtës së vetos nga dy partitë e mëdha, duke u përpjekur të kapërceheshin pikat e diskutueshme me negociata e konsensus maksimal. “Projektligji ka një korpus prej rreth 180 nenesh të cilat janë miratuar me konsensusin e 7 anëtarëve të komisionit që përfaqësonin vullnete politike dhe parlamentare të 7 grupeve parlamentare me rreth 116 deputetë të përfaqësuar nëpërmjet tyre. Vetëm për 8 nene ka pasur kontestim e votë kundër prej 2 anëtarëve të komisionit, përfaqësues të dy grupeve parlamentare, përfaqësues të 16 deputetëve”,- tha dje Xhafaj. Ai ka shtuar se konkretisht formula e përzgjedhur në përbërjen e komisionerëve ka tipar thelbësor balancimin e krahëve politikë dhe paracakton përgjegjësinë politike të dy forcave të mëdha politike në administrimin e procesit elektoral. Xhafaj ka siguruar gjithashtu se në të ardhmen opozita do të jetë bashkëpunuese, për aq sa i takon asaj, në përgatitjen e gjithë asaj infrastrukture të domosdoshme që nis që me regjistrin e zgjedhësve, listën e zgjedhësve, mënyrën e identifikimit të tyre përpara kutisë së votimit, me karta identiteti apo pasaporta të njohura ndërkombëtarisht, procese që ngarkojnë me përgjegjësi strukturat qeveritare përkatëse.
-------------------------------------------------------------------------------------------------------------Kryetari i Asamblesë Kombëtare i PS-së flet për arsyet e bashkëpunimit me PD-në
Ruçi: Bashkëpunimi me PD-në i pashmangshëm
TIRANË- Kryetari i Asamblesë Kombëtare i PS-së, deputeti Gramoz Ruçi, deklaroi dje në Kuvend se me këtë kod zgjedhor shqiptarët do ta kenë më të thjeshtë zgjidhjen e tyre politike nga sa është bërë deri më sot. “Edhe ne nuk besojmë tek zgjedhjet që bën Sali Berisha me të tijtë. Nuk e kemi harruar as '96-tën e as 2007-ën. Përkundrazi, e kemi analizuar dhe mendojmë se kemi mësuar si të sillemi me këtë njeri, edhe pa qenë nevoja të radikalizojmë sjelljen politike vetëm 7 muaj para zgjedhjeve. Nuk ka për të qenë i lehtë zhvillimi i zgjedhjeve me Ferdinand Ponët e kompani, këtë e dimë. Por dimë gjithashtu, se shumica dërrmuese e shqiptarëve sot duan ndryshimin demokratik të këtij realiteti politik, prandaj detyra jonë është jo rendja pas interesave momentale apo ekstremizmi i situatës, por bashkimi me këtë shumicë plebishitare të shqiptarëve”,- tha dje Ruçi. Ai shtoi se, sot duhen miratuar rregullat e lojës dhe jo të diskutohet për rezultatin e saj ende pa filluar. Ruçi u shpreh se, PS u angazhua në këtë reformë, me bindjen e plotë se klasa politike e sotme ka nevojë për reformim. “Këtë bindje e kishim dhe e kemi të fortë dhe të argumentuar nga shembuj të pafundmë, por një gjë mbetet evidente, se asnjë reformë tjetër nuk ka sukses pa reformimin e vetë politikës. Kjo është e perceptuar gjerësisht nga të gjithë shqiptarët dhe nga ne politikanët. Pra vjen një moment dhe të gjithë i themi STOP, kësaj katrahure politike që kemi ndërtuar”,-tha ai. Ruçi sqaroi se, bashkëpunimi me PD-në ishte i pashmangshëm sepse ajo parti përfaqëson krahun tjetër politik të elektoratit shqiptar, duke shpresuar që edhe partitë aleate të rreshtohen me PS-në.
-------------------------------------------------------------------Blushi: Kodi, shans për të votuar kundër Berishës
TIRANË- “Kodi i ri është një shans më shumë për të votuar kundër Sali Berishës vitin tjetër”. Ky ishte mesazhi që dha dje Ben Blushi në sallën e kuvendit duke iu drejtuar deputetëve grevistë. Duke hedhur poshtë akuzat e LSI-së për një marrëveshje me qellim vjedhjen e votës së tyre, Blushi tha se zgjedhjet e 2007 treguan se PS nuk i ka vjedhur asnjë votë LSI-së pasi ajo mori pothuajse të njëjtat vota si në 2005 e për këtë arsye nuk mund të akuzohet PS për një gjë të tillë. “Ne në 2005 nuk kishim as dëshirë dhe as mundësi dhe nuk e bëmë që të vidhnim votat e tyre, ku do të ishim më shumë në krah dhe në pushtet, sepse për shkak të LSI, 15 prej nesh u dogjën dhe nuk janë më në këtë sallë. Është një argument për t'u provuar, se, edhe pse mund të kishim mundësi administrative, nuk kishim vullnet t'i vidhnim votën askujt, sepse ky është një defekt që ne nuk e kemi përgjithësisht, nuk e kemi këtë defekt që ka ky krah, që e ka që në 1992. Nuk e kemi. Hajdutët e votave, kushdo mund t’i kërkojë nga ky krah,”-tha ai, duke u drejtuar pikërisht nga ministrat e qeverisë Berisha. Blushi siguroi se PS do të garantojë zgjedhjen e votës së shqiptarëve dhe mbi të gjitha “çdo votë që hidhet kundër Sali Berishës sepse ky kod mund të mos jetë i drejtë, por qëllimi është që Sali Berisha të nxirret nga politika”.