E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: Jo besnikëri qorre pas partisë, pas 23 Qershorit të Rilindim dhe PD

TIRANË-Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama zhvilloi bashkëbisedimin e përditshëm me komunitetin, sot në Tiranë në njësinë 7 në Tiranë.

Ai bëri thirrje që me 23 qershor t’i jepet fund besnikërisë qorre ndaj partisë dhe të votohet për Rilindjen.

“23 qershori, tha ai, është dita për t’i qëndruar besnik aspiratave të Shqipërisë dhe me votën për “Aleancën për Shqipërinë Evropiane” të rilindim edhe Partinë Demokratike, duke e çuar në opozitë”.

Shëndetësia
I pyetur nga banorët e kësaj zone lidhur me ndryshimet që programi i PS parashikon për sistemin shëndetësor, Rama tha se, “shëndetësia është një plagë e kalbëzuar dhe histori të trishta nëpër spitale ka pafund”, tha Rama.

“Kur nuk ka punë, nuk ka as sigurime dhe çdo vizitë bëhet me lekë në dorë. Tarifat janë pesëfishuar. Në Shqipëri harxhohen rreth 800 milionë dollarë në vit, shpenzim i përgjithshëm. Vetëm 7 % dalin nga skema e sigurimeve shëndetësore, 66% dalin drejtpërdrejtë nga xhepat e shqiptarëve “, shpjegoi Rama.

Ai premtoi se, për PS kujdesi shëndetësor pas 23 Qershorit nuk do të jetë mall.

“Është një e mirë publike që duhet të afrohet sipas nevojës për këdo në punë apo të papunë, në fshat a në qytet. Prandaj ne do e ndryshojmë këtë sistem që është themeluar në vitin 1994 mbi sigurimet, do heqim skemën e sigurimeve dhe do të sigurojmë shërbimin shëndetësor falas për cdo qytetar. Këta thonë se kjo nuk është e mundur. Patjetër që kushton se kushtojnë spitalet për t’u ndërtuar, mirëmbajtur, trupa e mjekëve, infermierëve sanitarëve dhe kushtojnë dhe shpenzimet e përditshme, ilaçet gjithë pjesa e së përditshme, problemi është kush do e paguajë, Ata që s’kano lekë, apo ata që shesin bagëtitë që i mbajnë gjallë, apo shoqëeria përmes shtetit do marrë përsipër, që t’ua japë këtë shërbim të gjithëve duke qenë shteti ai që paguan njësoj për të gjithë. Dhe Saliu thotë që kjo është komuniste, kjo është aq komuniste sesa është komuniste, Britani e Madhe apo ndonjë vend tjetër që funksionojnë me këtë sistem., vijoi Rama fjalën e tij në bashkëbisedim me banorët e njësisë 7, në kryeqytet.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›