E Diel, 1 Nëntor 2026

PS: ‘Qeveria Berisha’ dështim me transparencën mbi rrugët, votuesit të kërkojnë llogari

TIRANË- Partia Socialiste në sajë të nismës “100 arsye për të larguar Berishën”, akuzoi qeverinë se ka dështuar me transparencën mbi rrugët. Në një konferencë për shtyp nga selia rozë, anëtari i grupit të punës për programin në PS, Artan Lame deklaroi se në bazë të llogarive del se në 8 vite qeverisje të kryeministrit Berisha janë shtruar dhe rikonstruktuar gjithsej 1515 km rrugë.

Lame solli në vëmendje deklaratat që ministri i Transportit Sokol Olldashi bëri dje në emisionin “360 Gradë” në TV "News 24" të gazetarit Artur Zheji, si dhe deklaratat që kolegu tjetër ministër i Bujqësisë Genc Ruli ka bërë për publikun pak kohë më parë, duke i akuzuar për mosrakordim shifrash.

“Sot mbeten 51 ditë nga fundi i pushtetit të Sali Berishës.Që prej një jave Partia Socialiste ka publikuar me tabela të detajuara rrugë për rrugë dhe me gjatësitë përkatëse, rrugët e shtruara dhe të rikonstruktuara në këta 8 vjet të qeverisjes së zotit Berisha. Llogaria përfundimtare deri sot, del 1515 km gjithsej rrugë, që nga ato me 4 korsi, e deri tek rrugët rurale me 1 korsi. I kërkuam qeverisë dhe kryeministrit, të publikojnë edhe ata tabelat e tyre të rrugëve kombëtare të ndërtuara në Shqipëri në këto 8 vjet, emër për emër, dhe me gjatësitë përkatëse. Deri tani nuk ka asnjë përgjigje serioze për kërkesën tonë të ligjshme. E vetmja përgjigje deri tani ka qenë ajo e z. Olldashi që u përgjigj duke na thënë “Merrni metrin dhe shkoni t’i matni”. Në fakt, ne këtë kemi bërë dhe na dolën 1515 km. Tani po presim tabelat e Saliut. U përgjigj edhe z. Ruli, i cili në vend t’i vinte vetullat i nxori sytë fare qeverisë. Z. Ruli më dt. 28.04.2013 deklaroi, citoj: “Rrugët që janë realizuar nëpërmjet granteve apo Fondit të Zhvillimit të Rajoneve, në këta vite të qeverisjes së PD janë 1.500 km”. Ndërkaq Ministri Olldashi, një vit më parë më 29.03.2012 ka deklaruar, citoj: “Kemi financuar përmes grantit konkurrues dhe Komitetit të Zhvillimit të Rajoneve një total prej 5.957 km”. I ftoj të dy ministrat t’i telefonojnë njëri-tjetrit përpara se të shpallin shifra të tilla, njëri vjet 6000 dhe tjetri sivjet 1500”, tha Lame.

Deputeti socialist i bëri thirrje në emër të PS-së “jo vetëm votuesve të majtë, por edhe atyre të djathtë, t’i kërkojnë kryeministrit të tyre të publikojnë tabelat e tyre të rrugëve kombëtare të ndërtuara në Shqipëri në këto 8 vjet, emër për emër dhe me gjatësitë përkatëse”.
(e.m/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›