Rama: Jo proporcional kombëtar, favorizon të vegjlit
Shkodër / Ridvan Dibra
Kandidatët për kreun e PS-së, Edi Rama dhe Maqo Lakrori, ishin dje në qytetin e Lezhës dhe atë të Shkodrës. Nuk kanë munguar pyetjet nga të pranishmit në sallë për të dy konkurrentët. I pyetur nëse do të ketë vullnet për të ndryshuar sistemin zgjedhor, në proporcional kombëtar, kryetari në detyrë Edi Rama u shpreh se ai sistem favorizon partitë e vogla. “Nuk do ndryshojmë sistemin që kemi aktualisht. Një sistem proporcional kombëtar do të favorizonte partitë e vogla”, është shprehur Rama. Edhe në këto takime, kryetari në detyrë Edi Rama, në vend të platformës konkurruese, është përqendruar te rezultati i zgjedhjeve të 28 qershorit dhe qëndrimin e PS-së ndaj këtij rezultati. “Nuk mund të pranojmë që të qeverisemi nga një shumicë e krijuar përmes dhunës shtetërore në çdo aspekt të shfaqjes së shtetit për një periudhë të stërzgjatur para, gjatë dhe pas zgjedhjeve, ashtu sikundër nuk mund të pranojmë që të qeverisemi nga një shumicë, e cila nuk na pranon asnjë të drejtë elementare. Ne nuk mund të pranojmë që të drejtohemi nga një qeveri që nxori nga burgjet kriminelë për t’i përdorur për fushatë”, u shpreh kryetari socialist në detyrë. I pyetur në lidhje me përgjegjësinë që kishin komisionerët e PS-së, të cilët kanë lejuar vjedhjen e votës, ashtu siç deklaronte kreu socialist në detyrë, Rama, u përgjigj se “përgjegjësia është vetëm e hajdutit, që në rastin e 28 qershorit është Sali Berisha, dhe jo e atyre që e lejuan një gjë të tillë”. Ndërsa sfidanti i Ramës, Maqo Lakrori, tha se përveç manipulimit të votës, në rezultatin negativ të zgjedhjeve ndikuan dhe defektet dhe gabimet e vetë PS-së. “Fakti që kishte manipulim votash nuk i zbeh përgjegjësitë tona. Nuk u mbajtën premtimet për bashkimin e së majtës, nuk u zhvillua një diskutim i gjerë për ndryshimet kushtetuese, u cenua funksionimi i strukturave të partisë nga qendra në bazë, partia u nda artificialisht në të rinj dhe të vjetër, duke mos parë kontributet dhe vlerat e secilit, etj”, u shpreh Lakrori. Nga salla të dy sfidantët janë pyetur dhe për qëndrimin e tyre ndaj bojkotit të parlamentit. Rama ka mbështetur bojkotin e grupit parlamentar socialist, deri në përmbushjen e kushteve që i janë vënë maxhorancës dhe qeverisë së saj. Ndërsa Maqo Lakrori u shpreh kundër bojkotit, duke e konsideruar parlamentin vendin ku mund të bëhet debati politik dhe nga ku mund të realizosh zgjedhjet e parakohshme që janë vënë dhe qëllim i PS-së. Të pranishmit kanë kërkuar qëndrimin e secilit dhe rreth tezës “Përtej të majtës dhe të djathtës”. Sipas Ramës, ky është një problem që ka të bëjë me ideologjitë. Ndërsa Lakrori e ka cilësuar këtë një problem të kapërcyer dhe sot sipas tij, PS duhet të përcaktojë atë profil që ajo ka si parti, një parti vetëm e majtë.