Topi: Institucionet e ligjit të thonë fjalën e tyre
Presidenti Bamir Topi, së bashku me Ambasadoren e Britanisë së Madhe, Fiona Mcllëham, dhe ministrin Arben Imami morën pjesë dje në Manovrën Ushtarake Detare, që u zhvillua në ujërat territoriale të Republikës së Shqipërisë, në gjirin e Vlorës, nisje e cila u krye nga distrikti detar i Pashalimanit. Duke ju përgjigjur interesimit të medias, në lidhje me situatën politike në vend, pas zgjedhjeve të 8 majit, kreu i shtetit tha se jemi në pritje pikërisht të këtij momenti, ku institucionet e ligjit duhet të thonë fjalën e tyre. Pra, vijoi ai, nuk jemi në atë situatë kur një institucion i konsideruar epror do të gjykojë dhe do të flasë në emër të tyre. “Jo, ata duhet të flasin dhe duhet të flasin duke pasur në konsideratë statusin e tyre. Statusi i tyre është shumë i rëndësishëm, është status ligjor, por është edhe status moral, sepse duhet të ketë një kompaktibilitet midis integritetit moral, profesional dhe ligjor. Të gjitha këto japin standardin e arrirë”, sugjeroi Topi. Duke marrë shkas nga aktiviteti në fushën e mbrojtjes, Topi u shpreh se anëtarësimi në NATO nuk ka ardhur si dhuratë. “Ne e vlerësojmë të gjithë predispozicionin e vendeve të Aleancës për ta përfshirë Shqipërinë në gjirin e saj, por kjo padyshim ka ardhur edhe si rrjedhojë e reformave që janë bërë në Shqipëri, e përmirësimit të disa standardeve që kanë të bëjnë me anëtarësimin në NATO”, u shpreh Topi. Në analizën e tij, përfshirja në NATO nuk është thjesht një moment i një vlerësimi gjeostrategjik, por edhe një plotësim i atyre standardeve që kërkon NATO. Tani, insistoi Topi, përpara kemi një sfidë tjetër shumë të rëndësishme që është sfida e integrimit në Bashkimin Europian që ka kërkesa të tjera. “Ato standarde që ishin për NATO-n ishin shumë të rëndësishme, por të limituara, sepse ka standarde të tjera specifike për Bashkimin Europian. Patjetër që kjo është një sfidë. Në radhë të parë duhet thënë që është një sfidë e institucioneve dhe institucionet në një vend demokratik, siç është Shqipëria, prodhohen nga politika. Dhe institucioni i parë është institucioni i zgjedhjeve. Institucioni i zgjedhjeve formon institucione demokratike”, këmbënguli Topi. Presidenti përsëriti deklaratën e tij se Shqipëria nuk është një shtet pa ligje, ligjet janë prodhuar, por problemi është te zbatimi i ligjeve dhe secili institucion. Çdo individ që është në një pozicion të caktuar, sqaroi Topi, çdo individ që ka në dorë një proces të caktuar dhe kuptohet që këto procese që ne po kalojmë janë shumë të rëndësishme, sepse japin një notë për demokracinë, japin një notë për stadin aktual ku ne zhvillojmë të gjithë dialogun politik, por edhe institucional dhe patjetër çdo njeri duhet të kuptojë që është ligji dhe vetëm ligji.