E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topi: Shqipëria, përballë sfidës së integrimit

“Pas anëtarësimit të vendit në NATO, Shqipëria gjendet përballë një tjetër sfide të cilën ne kemi bindjen se do e përmbyllim me sukses, sfidën e integrimit në Bashkimin Evropian”.
Kështu është shprehur presidenti Topi në një takim me Lordin britanik Riçard Best, Presidentin e Bordit Ndërkombëtar Këshillimor të Qendrës Kërkimore për Evropën Juglindore (SEERC.
Sipas tij shqiptarët janë të vetëdijshëm për reformat dhe standardet që duhet të përmbushim në këtë drejtim, po aq sa besojmë në mbështetjen e partnerëve ndërkombëtarë për t`ia arritur këtij qëllimi.
Gjithashtu presidenti Topi theksoi se “Britania e Madhe është për Shqipërinë një vend mik dhe një aleate e fuqishme në plotësimin e aspiratave integruese të popullit shqiptar”.
Duke vlerësuar marrëdhëniet e shkëlqyera mes Shqipërisë me Britanisë e Madhe, Kryetari i Shtetit shprehu mirënjohjen për ndihmën dhe mbështetjen e vazhdueshme që qeveria e Britanisë së Madhe ka dhënë për konsolidimin e demokracisë dhe të institucioneve shqiptare, sidomos për mbarëvajtjen e proceseve integruese euroatlantike të Shqipërisë.
Nga ana e tij, Presidenti i Bordit Ndërkombëtar Këshillimor të Qendrës Kërkimore për Evropën Juglindore (SEERC), Lordi britanik Riçard Best e falënderoi Presidentin Topi për pritjen dhe vuri në dukje ndryshimet e mëdha pozitive dhe përparimin e Shqipërisë gjatë viteve të fundit.
Lordi Best e informoi Presidentin Topi lidhur me projektet e përbashkëta rajonale për të zgjeruar rrjetin e kërkimeve shkencore dhe për t`u dhënë mundësi studentëve shqiptarë dhe nga vendet e tjera ballkanike që të përfitojnë bursa studimi në universitetet britanike.
 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›