Rama: Kandidatët e PS-së në Elbasan, vlerë e shtuar për qeverisjen në këtë mandat të katërt

TIRANË, 15 mars/ATSH/ Kryeministri Edi Rama, njëherësh kryetar i Partisë Socialiste prezantoi sot në podkastin e tij “Flasim”, në episodin ekskluziv, “Parti e re për Shqipërinë në BE”, kandidatët e PS-së në zgjedhjet e 11 majit për Elbasanin.
Në këtë podcast janë të ftuar Aulona Bylykbashi dhe Arlind Kulloli nga lista e hapur dhe Adi Qose nga lista e mbyllur në këtë qark.
Rama tha se “Elbasani është një tjetër skuadër që na jep shumë optimizëm sepse edhe ne Elbasan kemi vendosur të thyejmë rekordin”.
Kandidatja për deputete e PS-së në Elbasan, Aulona Bylykbashi në zgjedhjet e 11 majit, ka përfunduar studimet për Drejtësi në Universitetin e Tiranës, dh pas studimeve ka kryer një cikë dy vjeçar për drejtësi fiskale në Universitetin Evropian të Tiranës.
Bylykbashi ka ushtruar prej 3 vitesh detyrën e nënkryetares së bashkisë Elbasan.
Pyetjes së kryeministrit Rama se përse u angazhua në këtë betejë, Bylykbashi iu përgjigj se “për mua propozimi për të kandiduar ka ardhur nga drejtuesi politik i qarkut. Nuk e mendoja se do të vinte propozimi se kishte të tjerë që do t’ju jepej mundësia përpara meje”.
Kandidati për deputet i PS-së në qarkun e Elbasanit në zgjedhjet e 11 majit, Arlind Kullolli me profesion mjek është diplomuar në 2020 në Fakultetin e Mjekësisë dhe aktualisht është në vitin e fundit të specializimit për Kirurgji Ortopedike.
Pyetjes së kryeministrit Rama se përse u angazhua në këtë betejë, Kullolli iu përgjigj se “propozimi për qenë në listë ishte një surprizë shumë e bukur për mua. Gjatë rrugëtimit në platformën ‘Deputeti që duam” herë pas here mund të kisha një indicie që mund isha pjesë e listës, por në fund erdhi si një surprizë e bukur”.
Kandidati për deputet i PS-së për qarkun e Elbasanit në zgjedhjet e 11 majit, Adi Qose është angazhuar në forumet e rinisë së PS-së në vitin 2005.
Pyetjes së kryeministrit Rama se përse u angazhua në këtë betejë, Qose iu përgjigj se “nuk e mendoja se do isha në listën e mbyllur të kandidatëve të PS-së. do ta shikoj si një përgjegjësi të madhe që kjo skuadër të shkojë më shumë se kaq”.
Kryeministri Rama u shpreh se “një nga objektivat që kemi vënë kur kemi përcaktuar perimetrin e skuadrës së re të kemi një numër të konsiderueshëm të zgjedhurish që të vazhdojnë të jenë aty, natyrisht do të vazhdojnë të vijnë në parlament, por të jenë edhe pranë komunitetit. Sepse u bë histori e lodhshme që deputetët të zgjidheshin, vinin dhe merrnin shtëpi në Tiranë dhe nuk dukeshin më gjëkundi dhe njerëzit thoshin ku janë këta”.
Por, vijoi Rama, kështu duke qenë pranë komunitetit dhe duke ushtruar profesionin e mjekut në këtë rast apo të tjera profesione që i mbajnë njerëzit aty ose biznes, bën të mundur që njerëzit të jenë aty gjatë gjithë kohës dhe ta kenë derën e hapur, jo thjesht derën e hapur si mjek, por edhe si e një njeriu, deputeti.
“Sepse një gjë që PS filloi të çedonte ishte cilësia e dëgjimit besoj se me këtë skuadër ne do të kemi një cilësi të lartë dëgjimi”, shtoi Rama.
Rama u ndal edhe platforma “Deputeti që duam” duke theksuar se “kemi një numër më të madh se e prisja unë të kandidatëve nga platforma “Deputeti që duam” sepse me sa duket puna që kemi bërë veçanërisht e Bora Muzhaqit ka dhënë rezultat se iu dha mundësinë të gjithëve të shkojnë në terren, të promovojnë vete në rrjetet sociale dhe ata të mund të shohin sa mund të bëjnë, por edhe ne të shohim sa mund të japin se kjo është edhe çështje eksperience se mund të jesh i zoti sa të duash , tjetër gjë është të jesh kur s’ka kamera, mitraloza para sysh që të drejtohen dhe tjetër është ti qëndrosh asaj pjese”.
“Më vjen mirë që shumë nga ju janë në listë do të jenë vlerë e shtuar, për qeverisjen në këtë mandat të katërt që e kemi mandatin me kurorëzimin e një rrugëtimi shumë të gjatë jo thjesht tonin”, tha Rama.
/vijon/k.s/ /a.g/