Rama me kandidatët e PS në Has: Qeverisja në katër vitet e ardhshme ka nevojë për një shtysë të re

TIRANË, 15 mars /ATSH/ Në podkastin “Flasim”, me episodin ekskluziv “Parti e re për Shqipërinë në BE”, Kryeministri Edi Rama prezantoi tre kandidatët për qarkun e Hasit, Ali Hallaçi, Aristogena Poga Geca dhe Alban Zeneli në mungesë, pasi sipas Ramës përvoja e tij e gjatë në politikë nuk e bënte të nevojshme praninë në podkast, në dallim nga dy më të rinjtë që duhet të prezantojnë veten.
Kandidatja Aristogena, u shpreh se ka lindur dhe është rritur në Has nga dy prindër të thjeshtë, ku babai dikur kishte një punë minimaliste, ndërsa e ëma kujdesej që të rriste gjashtë fëmijët.
“Vij nga dy fise të mëdha të Hasit, kam një vajzë të vogël, por që kur isha vetë e vogël dëgjoja që Edi Rama kryetari i Bashkisë së Tiranës promovonte gratë dhe vajzat, kishte shumë drejtuese që ishin gra. Që atëherë kam guxuar të mendoj që do jem një si ato. Jam inkurajuar nga ju për fuqizimin e gruas dhe atëherë isha studente dhe mendoja të kthehesha në vendin tim për të kontribuuar sapo të mbaroja studimet. Nuk është e thjeshtë të thyesh tabunë atje, jam paragjykuar e gjykuar por nuk kam reshtur. Ju kam admiruar për mbështetjen dhe inkurajimin e grave sepse burrat në Has thoshin nuk ka gra”, tha ajo.
Kandidati Ali Hallaçi tha në fjalën e tij, se pasi mbaroi arsimin 8-vjeçar, lindi ideja e të vazhduarit të shkollës jashtë. “Burri i hallës, insistojë të shkoja në Damask të Sirisë. Asokohe ishte e vështirë, pasi ishte e vështirë të nisje e të merrje letra me postë. Qytet që na ka lënë mbresa të mëdha. Kam bashkëshorten nga Libani, kam tre fëmijë me të. Në aktivitetin tim social kemi menaxhuar 5 000 jetim në Shqipëri”, u shpreh Hallaçi.
Kryeministri Rama theksoi në bashkëbisedimin me dy kandidatët e PS për qarkun e Hasit, se ata janë prova që personat e përfshirë në këtë skuadër që është një Parti Socialiste e re, por që ka edhe themelin e eksperiencës së një pjese.
“Do të jeni shumë të vlefshëm dhe të rëndësishëm më pas, jo thjesht se do të shkoni në Parlament, por edhe qeverisja në katër vitet e ardhshme do të ketë nevojë për një shtysë të re, por edhe pse PS-në duhet ta bëjmë të re, jo thjesht në përfaqësimin e lartë, por në të gjitha nivelet. Shpresoj, fakti që shumë si ju jeni në këtë skuadër duhet të shërbejë që ju të jeni kampionët e hapjes dhe përfshirjes së tjerëve”, pohoi Rama.
/a.f/