E Martë, 3 Nëntor 2026

Rama: Kandidatët e Shkodrës, treni i gjatë i transformimit

TIRANË, 15 mars/ATSH/ Kryeministri Edi Rama e vijoi prezantimin e skuadrës së PS-së në zgjedhjet parlamentare të 11 majit me kandidatët e Shkodrës.

Në podkastin e tij “Flasim”, me episodin ekskluziv “Parti e re për Shqipërinë në BE”, Rama prezantoi 9 kandidatë, duke i cilësuar ata si treni i gjatë i transformimit në funksion të Shkodrës.

Vera Ndreca, Marjana Koçeku, Kejsi Spahija, Xheni Çela, Besmir Lezha dhe Onid Bejleri, Holta Duda, Marjan Ndërshtiqaj dhe Bujar Rexha janë disa nga kandidatët e rinj për deputetë në Shkodër.

“Jepini besim skuadrës më të re e më të bukur që ka pas Shkodra ndonjëherë“, bëri thirrje Rama.

Ai u ndal edhe te investimet e fundit në këtë zonë ku përmendi Rrugën e Dukagjinit dhe të Komanit.

Shkodranët, tha Rama, duhet ta bëjnë të qartë dallimin.

“Pas 30 vitesh hodhën hapin, e ndërruan drejtimin dhe po i shikojnë hajrin. Beneti Beci jo vetëm po bën punë shumë të mirë, por ka krijuar edhe një atmosferë shumë të mirë, ku vajza e djem që nuk mund t’i afroheshin fare politikës apo administrimit, na ka dhënë mundësinë të kemi një ofertë komplet ndryshe. Nëse na japin votën e ribesimit, do t’i shërbejnë vetes së tyre dhe Shkodrës shumë më tepër se sa ne”, tha Rama.

Vera Ndreca, e shkolluar në Britaninë e Madhe, është autore e disa artikujve shkencorë, dhe njëkohësisht punon për përmirësimin e arsimit të lartë në Shqipëri. Pranë Universitetit “Cardiff” në Britaninë e madhe ajo ka hapur shkollë shqipe, me qëllim për t’i dhënë mundësi çdo shqiptari të trashëgojë gjuhën e bukur shqipe.

Marjana Koçeku, e njohur si “Neomalsorja” kandidate në listën e mbyllur të Shkodrës ka folur për jetën e saj në podcastin e kryeministrit Rama, si edhe rrugëtimin për zgjedhjen e përfshirjes në politikë. “Neomalsorja” tregoi se vinte nga një familje tradicionale e madhe në malet e Dukagjinit.

Bujar Rexha, pjesë e kandidatëve nga diaspora thotë se trupi është jashtë, ndërsa mendja e secilit mbetet në Shqipëri.

“Kam vendosmërinë të kontribuoj për malësorët e Malësisë së Madhe, Kam disa sfida. Ndër të cilat regjistrimi i pronës, për t’u hapur rrugën investimeve të emigrantëve jashtë“, tha Rexha.

Kryeministri informoi se tashmë kjo situatë është zgjidhur, pasi është miratuar ligji “Për paketën e maleve”, që lejon investimin në zonat malore edhe në rastet kur investitori nuk ka letrat e tokës.

/a.gj/ /a.g/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›