Berisha: Rama nuk plotëson asnjë kriter për integrimin e vendit në BE

TIRANË, 15 mars/ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha zhvilloi sot një bashkëbisedim me qytetarët në rrjetet sociale ku fol për procesin e integrimit të vendit në BE.
“Një nga shtyllat më themelore të programit tonë është integrimi në BE”, theksoi Berisha duke u shprehur se “Rama nuk plotëson asnjë kriter tjetër, përveç kriterit gjeostrategjik, që është një kriter i rëndësishëm, por ky është një kriter natyror”.
“Me këto rroga dhe pensione nuk të pranon kush anëtare të BE, mos të ketë asnjë iluzion. Unë ju garantoj ju, se me këtë farsë elektorale nuk pranohet Shqipëria në BE. Unë ju garantoj ju, se me këto lidhje të tmerrshme të qeverisë me krimin, për Shqipërinë me Edi Ramën, anëtarësimi në BE do të jetë një horizont që largohet me shpejtësi. Pra, në rast se bëhet fjalë për integrimin e plotë, për anëtarësimin e Shqipërisë në BE ka vetëm vetëm një rrugë, dhe kjo është rruga e bazuar në parimin në meritë, një proces i bazuar në meritën, në performancën, në arritjen e kritereve. Kështu që, këtë proces do e kompletojë PD në kohën më të parë të mundshme”, tha Berisha.
Kreu i PD-së tha se “lehtësimin e vizave me SHBA e filluam dhe lobuam fuqishëm në fundin e mandatit të dytë të qeverisjes së kaluar. Garantoj e do të bëjmë çdo përpjekje, për të standardin më të lehtë të mundshëm”.
“Unë nuk mund të them heqjen e plotë të vizave, sepse siç e shikoni është bërë një problem madhor emigracioni në SHBA, por ne do të kërkojmë dhe garantojmë miqtë tanë se, do të plotësojmë çdo kriter për standardet më të lehta të hyrjes dhe daljes së shqiptarëve nga SHBA”, u shpreh Berisha.
Gjithashtu, Berisha tha ndër të tjera se “PD me ardhjen në pushtet ka përcaktuar si paketë emergjence, paketën e dhembshurisë, e cila do të zbatohet tre muajt e para të qeverisjes. Kjo paketë përfshin së pari, vendosjen e minimumit jetik për çdo shqiptar që merr nën 200 euro. Vendosja 200 euro e minimumit jetik për të gjithë ata që marrin pension më të ulët se 200 euro dhe për të gjithë invalidët dhe të tjerë”.
Së dyti,vijoi ai, karta e konsumatorit. Rikthimi i taksës që paguajnë në blerje, të gjithë rrogëultëve dhe pensionistëve.
Për njerëzit me aftësi ndryshe, kreu i PD-së tha se “do të ju paguhen të plota sigurimet shoqërore kujdestarëve, sikundër do të krijohen qendrat më të fuqishme të rehabilitimit në mënyrë që këto qytetarë të mund të bëjnë një jetë sa më normale”.