E Martë, 3 Nëntor 2026

Skuadra e PS në Vlorë, kandidatja e komunitetit rom: Bashkë do të shkruajmë të ardhmen e tyre në Shqipëri

TIRANË, 15 mars /ATSH/ Kryeministri Edi Rama, njëherësh kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama në sesionin e tretë të podkastit maratonë për prezantimin e skuadrës garuese të PS për zgjedhjet e 11 majit, kishte të ftuar sot tre kandidatë të qarkut të Vlorës, Briseida Çakërri, Erjona Ismaili dhe Endri Hyseni.

Kandidatja e PS-sdë për Vlorën, Erjona Ismaili ndau mënyrën se si ajo është njohur me Kryeministrin Rama, një njohje që ajo e quajti “ezauruese” për nga natyra e bisedës dhe komunikimit.

“Unë nuk mbahem për zbukurime, jam e drejtpërdrejtë, po mendoj që është ezauruese mënyra se si jemi njohur. Unë jam 35 vjeçe, por në energji ndihem mirë, kam një grintë që më mban në aktivitetet e përditshme të shumta. Jam rritur në një familje të madhe me gjashtë fëmijë, pesë motra dhe një vëlla, unë jam e vogla. Im atë është 85 vjeç sot, e keni parasysh vetë ndryshimin e mentaliteteve dhe botëkuptimeve kështu që kam qenë gjithmonë “delja e zezë” e shtëpisë në gjithçka që kam kërkuar. Ne bashkë jemi njohur duke u zënë, pas përmbysjes së dytë në Vlorë, ku një prej shtëpive të përmbytura ishte e imja. Jo më pak sherr kam bërë edhe herën e parë, por herën e dytë sherri arriti tek ju. Ju kam nisur një mesazh, bashkëlidhur një telefonatë me shërbimin në Vlorë, deri sa më pyetët a e ke të siguruar shtëpinë dhe zgjati në 13 minuta sherr”, tha Ismaili.

Kandidatja tjetër, Briseida Çakërri bëri një panoramë të angazhimit të saj personal dhe familjar, ndërsa tha se familja e saj është ndër themelueset e para të PS-së në Vlorë.

“Unë dua që të jem në atë varkën e përbashkët që do e çojë Shqipërinë drejt Evropës, ”, vijoi ajo, teksa shtoi se kontributi i saj në këtë forcë politike ka qenë i pandërprerë edhe në ato beteja ku PS ka fituar edhe në ato ku ka humbur.

Kryeministri Rama ndau me kandidatët, faktin që në takimet me drejtuesin politik të PS në Vlorë, Bledi Çuçi qasja ka qenë e kahershme që kjo forcë politike të hapet tek më të rinjtë dhe të “thyhet” muri se në PS ka vend vetëm për ata që janë brenda.

“Unë thjesht i kam ndjekur këto lista, ose këto idera nga drejtuesit politikë. Kur bëmë diskutimin me Bledin dhe përmendi emrin tënd foli me superlativa. Bledi Çuçin e kam çuar në Vlorë që të thyejë me vare murin rrethues të PS që ishte bërë i pathyeshëm dhe i kam thënë që do u japësh mundësi të gjithëve. Kjo parti është e të gjithëve dhe jo e disave që janë brenda dhe që e shohin nga jashtë dhe vijnë e votojnë. Për këtë arsye është bërë rinovim total dhe janë futur edhe persona kontrovers, për t’u thënë të gjithëve që kjo parti nuk është qëllimi i disave, por mjet në dispozicion të gjithkujt që do ta përdori dhe ka kapacitetin ta përdori për të bërë punë të mira”, tha Kryeministri Rama.

Kandidati i radhës për qarkun e Vlorës, Endri Hyseni është 37 vjeçari, me origjinë nga Çamëria, por lindur dhe rritur në Vlorë. Ai u shpreh se e ka nisur rrugëtimin si aktivist që në gjimnaz, pjesëmarrës në të gjitha aktivitetet që zhvilloheshin në shkollën, ndërsa ka studiuar për drejtësi.

“Jam licencuar dhe si avokat në Dhomën Kombëtare të Avokatisë. Kam bërë edhe disa sipërmarrje modeste, dhe ja erdhi momenti që të bëhesha pjesë e jetës publike përmes politikës”, pohoi ai.

Kryeministri Rama ndau me tre kandidatët e qarkut të Vlorës, kërkesën e tij për ta hapur në katërt anët PS-në në Vlorë dhe për të bërë të mundur atë që rasti i tyre të shërbejë si shembull për të tjerët.

“Nëse njeriu merret me politikë, nuk është si shkallët e jetës universitare, akademike apo të karrierës profesionale që ti bën një parashikim. Ky është det i hapur ku ka dallgë, rrjedha që të marrin, ka momente që koha është e duhura, por ti s’je aty etj”, tha Rama.

Ina Majko është një nga kandidatet e reja në listën e PS, në qarkun e Vlorës, e cila përfaqëson Komunitetin Rom.

E ftuar në podkastin “Flasim” së bashku me kryeministrin Edi Rama, ajo foli për sfidat e saj dhe se çfarë e shtyu që të bëhej pjesë e garës për deputete në zgjedhjet e 11 majit.

“Si fillim, shumë faleminderit që më ftove në shtëpinë tënde dhe unë nuk mund të vija duarbosh. Ju kam sjell një libër për historinë e romëve gjatë komunizmit, duke marrë shembull familjen time. Ky libër flet për të shkuarën e romëve dhe jam shumë e sigurt që bashkë do të shkruajmë të ardhmen e tyre në Shqipëri. Unë quhem Ina, Ina Majko. Jam 32 vjeç, nga qyteti i Delvinës, lindur dhe rritur nga një familje romësh arsimtarësh, ku edukimi ka qenë shtylla dhe prioriteti i tyre. Kam mbaruar fakultetin e shkencave për biologji. Bëra një master jashtë shtetit për shkencat dhe politikat mjedisore. Pata mundësinë të rrija aty, por si shumë shqiptarë, u ktheva se dua të kontribuoj në vendin tim. Dua ta theksoj që Shqipëria është edhe vendi im dhe ndihet e tillë brenda meje.

Në këto momente të jetës time, punoj si copy-righter. Jap klasa në copy-righter dhe drejtoj një podkast që quhet “Romët krenarë”. Brenda shtëpisë time kam pasur dy këshilla. E para, ajo e mamit që ka dashur gjithmonë të më mbajë me këmbë në tokë, duke më thënë që kaq e kemi hapi, për të kuptuar që identiteti im etnik ka limite. Unë nuk mund të bëhem dhe nuk mund të jem si gjithë të tjerët. Pastaj vjen babi, i cili gjithmonë më ka thënë që mos u dorëzo kurrë dhe lufto. Dhe mendoj se ju e kuptoni kë kam vënë vath në vesh nga këto dy këshilla. Më vjen keq për mamin, por unë nuk jam dorëzuar kurrë dhe nuk dua që identiteti im etnik të më limitojë. Sot kam vendosur dy vathët që janë me flamurin e etnitetit tim, për t’i përfaqësuar.

Unë kam një podkast timin, ku kam imagjinuar shpesh një bisedë me ju z. kryeministër. Kam dashur t’ju kem aty dhe t’ju bëj shumë pyetje, por edhe një kritikë. Kjo kritika kishte të bënte me faktin që kur do të kemi një kandidat për deputet në listat tuaja zgjedhore. Nuk ma mori kurrë mendja që përgjigjen nuk do e merrja në podkastin tim, por në jetën reale, me z.Cuçi që dua ta falënderoj, i cili mori këtë hap historik dhe vendosi që në listë të isha unë. Dhe them që është një hap historik sepse shpesh kemi dëgjuar që romët nuk mund të jenë akademik, romët nuk mund të jenë lider, romët nuk mund të jenë vendimmarrës, por unë kam dashur gjithmonë ta thyejë këtë mentalitet dhe mendoj që bashkë me ju do ia arrijmë”, u shpreh Majko.
/a.f/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›