Berisha shpall prioritet kartat e identitetit
Kryeministri Sali Berisha deklaroi se qeveria e drejtuar prej tij ka shpallur si prioritetin e saj më madhor prodhimin e kartave të identitetit, regjistrin elektronik dhe pasaportat dixhitale. “Qeveria i ka shpallur këto procese si përparësi kryesore, për faktin se ato lidhen me zgjerimin e lirive të qytetarëve, lëvizjen e tyre të lirë dhe me zgjedhjet", - tha Berisha gjatë mbledhjes së djeshme të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike. “Ky proces është marrë me seriozitetin më të madh. Procesi deri tani ka patur një ecuri realisht të mbarë dhe të suksesshme. Shtyrja që u bë për një muaj nuk ka patur asnjë arsye tjetër përveç ekspertizës shtesë ndërkombëtare, e cila erdhi dhe ne e mirëpritëm. Në proces kanë marrë pjesë mbi 18 kompani, ndër më të mëdhatë, të bashkuara me njëra-tjetrën, meqenëse janë të pakta ato kompani që marrin përsipër t’i prodhojnë të gjitha vetë, por kooperojnë për realizimin e procesit”, - u shpreh kryeministri Berisha.
4 Mars 2008