Rama: Kemi video tjetër për një anëtar të familjes së Berishës
Videoja e skandalit “Meta-Prifti” duket se nuk është e fundit që ekziston dhe që flet për afera korruptive me pasuritë publike dhe ku janë përfshirë zyrtarë të lartë. Pas deklaratës së dy ditëve më parë, se dispononte një tjetër video-skandal, dje ka qenë vetë kreu socialist Edi Rama ai që ka konfirmuar këtë fakt, duke paralajmëruar publikimin e saj në ditët në vijim. Gjithashtu, Rama ka bërë të ditur se krahas saj PS do të vijojë paralelisht të denoncojë një sërë skandalesh të tjera që kanë të bëjnë me kriminalitetin dhe përmbytjet në Shkodër.
Videoja tjetër
Duke marrë rolin e përditshëm të deputetes Ermonela Felaj, kreu i PS dje nga foltorja e Asamblesë Kombëtare i ka drejtuar një pyetje provokuese kryeministrit Sali Berisha, nëse ky i fundit ka dijeni për përfshirjen e një familjari të tij në ndarjen e një pjese të parave publike me një biznesmen të huaj, duke lënë të kuptohet kështu se disponon një regjistrim audio dhe video për këtë çështje. “Ne do të formojmë një qeveri që do të ketë kurajën të ndërmarrë operacione radikale të munguara prej 20 vjetësh, për të shpëtuar territorin e atdheut të fëmijëve tanë nga skandalet e TEC-eve me qymyr deri edhe në bregdetin e Durrësit, ku prokuroria duhet të kishte filluar me kohë hetimin për blerjen e paligjshme me sasi të mëdha të tokës nga një shtetas i huaj – të cilin Saliu e ka quajtur publikisht në Parlament “miku im”, por që në fakt e ka mik me bllok në dorë, ministri më ministri e pasuri më pasuri, njësoj si zëvendësin e tij. Kemi të dhëna të reja, seriozisht mbresëlënëse, për këtë miqësi fitimprurëse dhe sot e kam unë një pyetje për Saliun: A ka fituar ai drejtpërdrejt apo, nëse jo, a është ai në dijeni për ndonjë anëtar të familjes së tij që ka fituar para të thata në dorë në kurriz shqiptarësh të zakonshëm e të mjerë nga kjo miqësi?”, - tha Rama në fjalën e vet. Në mënyrë ironike Rama është shprehur se videoja në fjalë nuk është as montazh dhe as truk, siç edhe u konsiderua nga shumica qeverisëse videoja e regjistruar nga Prifti. “Sqaroj se nuk bëhet fjalë për shërbime avokatie. Të mos më keqkuptojë i ashtuquajturi kryeministër i koalicionit të Integrimit dhe as të mos ngutet të mbiprodhojë baltë, për të mbuluar ndonjë të vërtetë shqetësuese lidhur me sa e pyeta. E siguroj se nuk është truk, nuk është montazh, nuk është as komplot vizual. Është thjesht një pyetje në kuadrin e procesit të transparencës që ia kam thënë e ia përsëris Kryeministrit”, - tha Rama, duke mos bërë të ditur asnjë informacion më shumë rreth kësaj çështjeje. Burime pranë tij kanë bërë të ditur se bëhet fjalë për një regjistrim të ri, ku protagonistë janë familjarë të zyrtarëve të lartë dhe ku flitet për një fitim prej dy milionë eurosh të ndara në dy pjesë.
Kriminaliteti
Krahas betejës me videot, opozita do të vijojë dhe luftën me denoncimin e manipulimeve që, sipas saj, bën qeveria me të dhënat e kriminalitetit në vend. Këtë fakt e ka bërë të ditur kryetari i PS-së, Edi Rama, në fjalën e vet mbajtur në Asamble, kur ka deklaruar se forca që ai drejton ka tashmë mundësi që të mbrojë çdo akuzë që bën me dokumente origjinale. “Së shpejti do të publikojmë një skandal të patolerueshëm qeveritar, që lidhet me shifrat reale të kriminalitetit në Shqipëri. Të cilat fshihen e manipulohen njësoj si shifrat e zgjedhjeve, si shifrat e ekonomisë, si shifrat e ullinjve që mbjell Saliu në mbledhjet e qeverisë dhe që u dyfishuan tamam ditën kur duhej kërkuar dorëheqja e Metës”, - theksoi kryesocialisti në fjalën e vet. Një tjetër çështje që PS do t’i kushtohet gjatë kësaj periudhe është edhe ajo mbi shkaqet që sollën përmbytjet në Shkodër. Rama ka bërë të ditur dje se PS disponon dokumentacionin e duhur që vërteton keqmenaxhimin, sipas tij të qëllimshëm, të situatës së kaskadës së Drinit gjatë periudhës së verës dhe vjeshtës, çka dhe solli përmbytjen në gjithë zonën veriperëndimore të vendit. “Ka radhën e publikimit edhe e vërteta e dokumentuar e përmbytjes së fundit. Për të cilën arritëm t’i sigurojmë dokumentet zyrtare në një rrugë strapacimesh e vështirësish, si të siguronim sekretet që kanë krijuar botën. Ato dokumente provojnë tmerrin e madh të përmbytjes së parashikuar e plotësisht të pranuar nga Meta e Saliu si një domosdoshmëri për interesa ekonomike, pikërisht sepse nuk kanë asnjë fije respekti për popullin që përmbysin”, - shtoi kreu i selisë rozë, Edi Rama.