E Shtunë, 31 Tetor 2026

Videoja Meta-Prifti, prokuroria në kërkim të ekspertëve të huaj

SHKRUAN: Leonard Bakillari 15-01-2011 10:17

Tiranë- Debati mbi vërtetësinë e videos, ku flitet për një koncesion, një tender e punësime në administratë, i ka diktuar organit të akuzës një tjetër mënyrë për përcaktimin e autenticitetit të materialit filmik. Ndryshe nga rastet e tjera, kur materiali audio dhe video janë analizuar nga ekspertë vendës, këtë radhë prokuroria ka vendosur të pajtojë ekspertë të huaj, të cilët pritet të japin një version të plotë e përfundimtar për vërtetësinë e videos, çka do të shuajë edhe debatet mbi të. Lajmi për marrjen e ekspertëve të huaj pohohet për gazetën MAPO nga burime zyrtare pranë Prokurorisë së Tiranës, të cilat thanë se tashmë kanë nisur kërkimet për gjetjen e personave që do të kryejnë ekspertizën e videos Meta-Prifti. Sipas prokurorisë, mësohet se ekspertët do të kontaktohen nga grupi i hetimit, i cili do të caktojë një sërë pyetjesh të cilat do të marrin përgjigje kundrejt pagesës që do të kërkohet për kryerjen e këtij shërbimi. Deri ditën e djeshme, Prokuroria ende nuk ka mundur të sigurojë ekspertët të cilëve do t’u besohet videoja e shumëpërfolur, por burimet siguruan se një gjë e tillë do të bëhet së shpejti. Sipas prokurorisë, zgjidhja e kësaj çështjeje mbetet një nga prioritetet aktuale për dosjen hetimore, pasi në varësi të saj do të vendosen edhe hapat e mëtejshëm të hetimit. Ekspertimi, sipas burimeve, pritet të kryhet mbi versionin origjinal të videos, që Dritan Prifti dorëzoi dy ditë më parë në prokurori, filmim ky që është parë dje edhe nga prokurorët e çështjes. Sipas burimeve, mësohet se pjesa më e madhe e videos dëgjohet qartë, ndërsa në disa momentet të veçanta, nevojiten ndërhyrje për pastrimin e zërit dhe eliminimin e zhurmave që e bëjnë bashkëbisedimin të padëgjueshëm. Nga analizimi i videos, prokuroria mund t’u japë përgjigje edhe një sërë dilemash apo çështjesh të paqarta, të cilat jo vetëm që janë sqaruar nga ish-ministri Prifti në dëshminë e tij, por janë dëgjuar edhe nga anëtarët e grupit hetimor. Një nga momentet që nuk u sqarua as nga Prifti në intervistën e dhënë dy ditë më parë, ku përmendet edhe Prokuroria, është sqaruar nga hetuesit e çështjes, të cilët kanë mundur t’i japin një shpjegim arsyeve përse përmendet Prokuroria në bisedën Meta-Prifti. Në fund të bisedës, ish-zv.kryeministri i thotë ish-ministrit Prifti: “E di çfarë kam merak unë, që të dërgova mesazh dje. Për atë përfundon në gjyq. E pe? Duhet me pas shumë kujdes me ato që bëjmë ... Prokuroria e hap... më pas në dy, tre veta pjesa tjetër, sa më pak”. Kjo pjesë e bisedës është analizuar nga prokuroria, e cila ka mundur t’i japë shpjegim se gjithçka duhet të mbahet në konspiracion të plotë, pasi prokuroria mund të hapë çështje penale. Madje, sipas përmbajtjes së videos, meraku më i madh i ish-ministrit të Jashtëm, ka të bëjë me një sms që i kishte dërguar Priftit, një ditë para takimit të tyre, kur është regjistruar edhe videoja. Por detajimi i indicieve dhe veprave penale për të cilat mund të hetohet nga përmbajtja e videos pritet të bëhet pas kryerjes së ekspertimit nga ekspertët e huaj, të cilët do të analizojnë gjithë materialin e regjistruar. Ndërkohë, prokuroria ka nisur mbledhjen e dokumenteve për të gjitha çështjet që përmenden në bisedën Meta-Prifti. Oficerë të njësisë “Task Forcë” kanë kërkuar zyrtarisht nga Ministria e Ekonomisë praktikat e dy prej çështjeve që përmenden në video: tenderin në “Albpetrol” dhe HEC-in në Shushicë të Elbasanit, ku përmendet shifrat 7 për qind, apo 700.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›