E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Presidenti Topi, përgjegjës për degradimin e sistemit gjyqësor”

30-10-2011 / Gazeta 55

Ish-ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, flet për reformën në drejtësi dhe problemet e gjyqësorit 

Deputeti i Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj, bën përgjegjës kryetarin e KLD-së, Bamir Topi, për problemet që shoqërojnë sistemin gjyqësor në vend. Anëtari i komisionit parlamentar të ligjeve, Alibeaj, sjell në vëmendje dy raporte të ekspertëve të Këshillit të Evropës, të cilët nxjerrin në pah, problemet serioze të gjyqësorit, të cilat lidhen kryesisht me emërimin e gjyqtarëve, pa transparencë dhe pa kaluar më parë në procesin e promovimit, por vetëm përmes pagesave nën duar. 

“Së paku në këtë rast nuk jam i vetmi që kam prekur historinë e nxirë të promovimit në sistemin gjyqësor. Një vit më parë, janë bërë publike dy raporte të Këshillit të Evropës, të cilët erdhën, vëzhguan dhe u interesuan brenda rrethit të gjyqtarëve. Raporti përkatës, i cili thotë se gjyqtarët për të kaluar nga gjykata periferike në të Tiranës, apo në shkallët më lart, paguanin para. Emërimet, transferimet nga një nivel në tjetrin, bëhen nga Presidenti i Republikës. U bë që në vitin 2008, kur edhe u miratua ligji bazë për Organizimin e Sistemit Gjyqësor, i cili ngarkon KLD, për të përpiluar aktet ligjore, për të vendosur rregullat në transferimin e gjyqtarëve. Po të ishin rregullat, do të minimizonin problemet e sotme, të cilat kanë degraduar në arbitraritet. Janë të gjitha këto kushte që tregojnë se kjo periudhë ka qenë periudha më e zezë në atë që quhet komponenti kryesor në pavarësinë e sistemit gjyqësor. Asnjë gjyqtar në Shqipëri, nuk di se çfarë rregullash duhet të ndjekë për t’u promovuar”, u shpreh Alibeaj. 

Për sa i takon tryezës së thërritur nga Partia Socialiste, Alibeaj tha se Partia Socialiste nuk po e trajton me seriozitet reformën në sistemin e drejtësisë, pasi bëhet fjalë për një çështje ligjore, e cila miratohet në parlament vetëm me votat e të dy krahëve politik. Alibeaj përmendi ligjin për ngritjen e Gjykatës Administrative, si pjesë e reformës në sistemin e drejtësisë, që nuk votohet nga Partia Socialiste. 

“Nëse bëhet fjalë për reformë në drejtësi, së pari kjo është reformë ligjore dhe i takon parlamentit. Parlamenti bën reformën në drejtësi. Ajo që kërkohet është reforma ligjore. Këto reforma nuk bëhen në ambiente partiake, apo në ambiente të hoteleve. Mos ardhja, mos marrja pjesë, mos shfaqja e interesit nga ana e opozitës, për ligjet më 3/5, për ngritjen e Gjykatës Administrative, do të thotë se Partia Socialiste nuk e sheh me seriozitet këtë reformë”, deklaroi më tej, Alibeaj. 

Më herët deputeti Enkelejd Alibeaj ka deklaruar se Presidenti Topi nuk është serioz në raportet e tij me institucionet Kushtetuese. 

“Në kohën kur isha ministër i Drejtësisë kam pasur në vëmendje të përqendruar sistemin gjyqësor, dhe sidomos çështjen e promovimit të gjyqtarëve. Dhe në pjesën më të zezë që sistemi gjyqësor ka njohur gjatë presidencës ‘Topi’ ka qenë promovimi i gjyqtarëve, në bazë të parave, në bazë të korrupsionit. Një prej personave është propozimi i presidentit për kreun e Kontrollit të Lartë të Shtetit”, u shpreh Alibeaj. 

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›