"Kush hynte te Aldo Bare varrosej në Divjakë"
BANDA E LUSHNJES
Dëshmitari Niko Qejvani tregoi dje në Gjykatë gjobën e Arjan Aliçkos dhe torturat e të akuzuarit ndaj tij në "komisariatin nr2"
Sipas dëshmitarit të djeshëm, anëtarët e bandës blutë nuk i ngisnin, ndërsa ata hynin në rajon si drejtorë policie
TIRANË- Fshatari Niko Qevani nga Plugu i Lushnjes, ishte dje dëshmitari i Prokurorisë së Krimeve të Rënda, në procesin penal ndaj të akuzuarve si pjesëtarë të "Bandës së Lushnjes, për të rrëfyer "gjobitjen" e tij me 13 milionë lekë nga i pandehuri Arjan Aliçko dhe torturat në komisariatin e Aldo Bares, e frika për të denoncuar autorët e ngjarjes në Policinë e Shtetit, dhe moskryerja e veprimeve nga policia e Lushnjes pas këllëzimit të tij.
Gjykata pranoi dëshminë e tij, pavarësisht pretendimeve të mbrojtjes për të mos e administruar. Pas dëshmisë së Qevanit, u morën në pyetje edhe katër dëshmitarë të tjerë që deklaruan dhunën që anëtarët e "bandës" kishin ushtruar mbi Niko Qevanin.
Dëshmia
"Në verë të vitit 2002, sapo isha kthyer nga Italia dhe kisha një makinë BMW. Në banesën time kishin shkuar katër çuna me një makinë duke më kërkuar. Nëna dhe goca e dajës më thanë që ishin njerëz të frikshëm.
Mora makinën dhe zbrita në qytet për të larë automjetin bashkë me shokun tim Lulëzim Bluzi. Përballë lokalit "Blerimi" më doli para një makinë "Fuoristradë" që e kishte në përdorim drejtori i Ujërave në Lushnje, por që e mbante gjithmonë djali i tij.
Nga makina doli Sajmir Aliçko, vëllai i Arjan Aliçkos, dhe më tha se iu kisha gërvishur furgonin e tyre dhe duhej ta paguaja. Unë nuk dija që i kam gërvishur makinën, por më pas mësova se ia kisha dëmtuar sinjalistin. I thashë, nuk di gjë, po nëse e kam bërë do ta paguaj.
Më urdhëroi ta ndiqja me makinën time. Shkova pas tyre dhe ndaluam afër Komisariatit të Policisë, te ai vendi që po hyre aty nuk del i gjallë më",- tha dëshmitari Qevani. Më tej ai tregoi: Mu prenë gjunjët, se kisha dëgjuar se po hyre aty të vrasin e të varrosin në Divjakë.
Nga makina më nxori me dhunë Arjan Aliçko dhe më futi pas pallatit ku ishte "Komisariati 2" (garazhi i Aldo Bares). Aty më uli në gjunjë dhe më tha se duhet t'i paguaja 13 milionë lekë për dëmin që i kisha bërë furgonit të tyre.
I thashë se s'kisha aq lekë. Sapo i thashë këtë, ai (Arjan Aliçko) dhe shoku i tij Bledar Flamuri filluan të më qëllonin me sende të forta. Disa herë humba ndjenjat nga dhimbjet. Më qëllonin vetëm pse gjaku im ia bëri pis këmishën Arjanit.
Më pas, më thanë se duhet t'iu paguaja 2 milionë lekë (të vjetra). Me gjak në fytyrë, nën shoqërimin e Sajmir Aliçkos shkuam në një pikë "Western Uninonin" në Lushnje dhe i kërkova para borxh pronarit, për t'i paguar ata që të mos më vrisnin.
Rrugës na ndaloi policia dhe nga frika iu thashë se kisha bërë aksident, por policia nuk iu bënte gjë atyre. Mora paratë e ia dhashë Arjan Aliçkos që më liroi më pas bashkë me makinën.
Këtë e mora falë vëllait të tij Sajmirit që i tha: Jepja makinën, i more ato që doje". Aliçko hynte në Komisariatin e Policisë si të ishte drejtor dhe askush nuk e ndalte edhe pse unë e kam denoncuar tri herë.
Pak ditë pasi më lanë të lirë, sërish më kërkuan 800 euro me një bashkëfshatarin tim. Qava sepse nuk kisha lekë dhe më liruan. Edhe tri herë të tjera e kam takuar Arjan Aliçkon dhe gjithë kohës më bënte presion dhe më kërcënonte se do më vriste.
Ata vendosnin gjoba në qytet dhe askush nuk kishte guxim t'i denonconte pasi Policia nuk iu bënte asgjë,- përfundoi Qevani, duke iu drejtuar gjykatës: Po nuk u dënuan ata jeta ime do jetë e rrezikuar".
Harrohet dosja e dëshmitarit Selmani
TIRANË- Togat e zeza të Gjykatës së Krimeve të Rënda në kryeqytet, morën njoftimin nga Prokuroria e Përgjithshme se procedimi penal ndaj Gramoz Selmanit është regjistruar dhe ndaj tij është caktuar masa e sigurisë "arrest me burg" në mungesë por për këtë nuk është kryer asnjë veprim tjetër.
Ky "arkivim" indinjoi avokatët mbrojtës, të cilët pretenduan para gjykatës se Selmani është autor i gjashtë vrasjeve të ndodhura në Lushnje dhe prokuroria nuk e ka marrë apo dërguar për gjykim, por e ka harruar".
Përfaqësuesit e akuzës, të njohur me faktin se dosja me emrin e shtetasit Gramoz Selmani tashmë ka mbetur pezull, i kërkuan gjykatës të lexohet dëshmia e tij e dhënë në vitin 2006 në ambientet e Ambasadës shqiptare në Greqi. Për avokatët, ky veprim i policisë është skandaloz. "Kanë marrë në pyetje një person të kërkuar për vrasje dhe nuk e kanë arrestuar.
Kjo tregon se me të është bërë ndonjë marrëveshje për të dëshmuar kundër klientëve që ne mbrojmë",-pretenduan avokatët, duke kërkuar të mos lexohet dëshmia e tij. Me këtë mendim ishte edhe trupi gjykues që rrëzoi kërkesën e prokurorisë për leximin e deklarimit të tij me cilësinë e dëshmitarit.
Pas këtij vendimi të ndërmjetëm, prokurori i çështjes kërkoi që shtetasi Gramoz Selmani të pyetet me cilësinë e të pandehurit, duke ditur faktin se ai nuk ndodhet në Shqipëri për të përfituar nga ligji që ta lexonte dëshminë e tij me këtë cilësi. Kjo kërkesë, irritoi avokatët që kërkuan rrëzimin e kërkesës së prokurorisë, duke e cilësuar si të turpshme, ndërsa kërkuan arrestimin e tij.