Rama: Kolegji Zgjedhor të mos sillet si KQZNga TemaKryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, doli dje në një konferencë për shtyp për të thënë se shpreson se Kolegji Zgjedhor nuk do të sillet si Komisioni Qendror i Zgjedhjeve me ligjin. Në ditën kur k
Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.
Rama: Kolegji Zgjedhor të mos sillet si KQZNga TemaKryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, doli dje në një konferencë për shtyp për të thënë se shpreson se Kolegji Zgjedhor nuk do të sillet si Komisioni Qendror i Zgjedhjeve me ligjin. Në ditën kur kanë nisur të mbërrijnë ankesat e para për Kolegjin, Rama e quajti procesin tërësisht të degjeneruar. Kryetari i PS akuzoi KQZ për vendimet e saj e tha se socialistët nuk kanë ndërmend të tërhiqen nga detyrimi për të zbardhur krimin zgjedhor.
Kryetari socialist tha se në këtë rast bëhet fjalë për fatin e demokracisë. Rama tha se nuk mund të lejohet që vota e qytetarëve të tjetërsohet e sido që të ndodhë këtu të fitojë vetëm pushteti.
Drejtuesi i opozitës komentoi dhe situatën ekonomike në vend duke thënë se kriza ka mbërritur.
“Vazhdon maskarada e KQZ, vazhdon pengmarrja e zgjedhjeve, vazhdon farsa e kryeministrit në detyrë që bën sikur ecën pa paterica, që rrit taksa e inauguron rrugë të pambuluara me financime duke thelluar gropën e buxhetit të shtetit, ndërkohë që kriza ekonomike po troket fort në derë dhe gjendja e demokracisë në Shqipëri është përditë e më dramatike.
Angazhimi ynë për të konsumuar deri në fund hallkat ligjore të një procesi tërësisht të degjeneruar është i plotë dhe pavarësisht abuzimit të skajshëm të KQZ me ligjin zgjedhor e me të drejtën tonë të padiskutueshme për hapjen e kutive në Berat, Tiranë e Shkodër, ne nuk kemi ndërmend të tërhiqemi asnjë milimetër nga detyrimi ynë për ta zbardhur krimin elektoral të 28 qershorit.
Urojmë që Kolegji Zgjedhor të mos sillet si KQZ me ligjin e me të drejtën tonë për të kërkuar zbatimin e tij, ashtu sikundër i siguroj të gjithë votuesit e mbështetësit tanë se ne nuk do të tërhiqemi asnjë milimetër në këtë përpjekje që s’ka të bëjë thjesht me fatin e një beteje elektorale, po me fatin e demokracisë në Shqipëri dhe me domosdoshmërinë për të mos lejuar që zgjedhjet në këtë vend të bëhen një skemë e mbyllur ku fiton gjithnjë pushteti pavarësisht si voton qytetari”, - tha Rama.