E Diel, 1 Nëntor 2026

Malaj: PS humbi, por PD nuk fitoiNga Menada Zaimi, RFE“Ne duhet të njohim se çfarë solli të re në drejtimin e Partisë Socialiste Edi Rama dhe ku filozofia e tij nuk funksionoi realisht. Pastaj, veprimet statutore besoj se do të jenë të respektueshme

Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.

Malaj: PS humbi, por PD nuk fitoiNga Menada Zaimi, RFE

“Ne duhet të njohim se çfarë solli të re në drejtimin e Partisë Socialiste Edi Rama dhe ku filozofia e tij nuk funksionoi realisht. Pastaj, veprimet statutore besoj se do të jenë të respektueshme nga të gjithë”, - thotë Arben Malaj, anëtar i Kryesisë së PS

Zoti Malaj, një vlerësim tuajin të përgjithshëm për këto zgjedhje... Çfarë sollën këto zgjedhje për Shqipërinë?

Është e vërtetë se zgjedhjet e 2009-ës janë zgjedhje që priteshin më me tepër interes, mbi të gjitha se janë zgjedhjet e para, pasi që Shqipëria është bërë vend anëtar i NATO-s, pra detyrimisht standardet duhej të ishin më të mira.

E dyta, të gjitha institucionet ndërkombëtare e kushtëzuan shqyrtimin e kërkesës së Shqipërisë për vend anëtar të Bashkimit Evropian me standardet e zgjedhjeve 2009.

Në këtë këndvështrim, përgjegjësia për t’i përgatitur zgjedhjet dhe përgjegjësia për t’i plotësuar standardet ka qenë jashtëzakonisht e madhe.

Në anën tjetër, skaneri në të cilin këto zgjedhje janë vëzhguar, duket se është më i plotë dhe ka mundur t’u tregojë defektet, që akoma po duket se mund të jemi në situatën, kur raportin përfundimtar dhe certifikimin e tyre do ta bëjë OSBE-ODIHR, e fatkeqësisht mund të na çojë në konkluzionin që këto zgjedhje nuk i arritën standardet që priteshin.

Këto standarde nuk erdhën për shkak të sistemit të ri, për shkak të Kodit të ri? Çfarë ndodhi?

Po të shikojmë elementet parapërgatitore të fushatës, pra u synua të ishte një regjistër kombëtar sa më i plotë, u premtua që procesi i identifikimit të votuesve të përmirësohej rrënjësisht, gjë që nuk u arrit dot, nuk u arrit në atë nivel që pritej, janë vënë re edhe nga raportet e ndërkombëtarëve. Qeveria keqpërdori në mënyrë maksimale influencën ndaj administratës dhe faktorit tjetër social.

Është për të habitur kostoja e shtrenjtë e zgjedhjeve dhe njëkohësisht një keqpërdorim i fondeve buxhetore në funksion të një fitoreje elektorale, duke prishur dhe disa ekuilibra të rëndësishëm të funksionimit të buxhetit të një vendi, e aq më tepër në një situatë që tenton të jetë në krizë.

Këto zgjedhje opozita i humbi...?!

Sigurisht që, nëse flasim për zgjedhjet dhe certifikimin e tyre, për shkak se edhe në aspektin real është qeveria ajo që i organizon; nëse flasim për rezultatin e zgjedhjeve, atëherë flasim se cili është ky rezultat, sa ka fituar kjo mazhorancë, sa ka fituar opozita dhe sa kanë fituar partitë e tjera.

Por, nëse flasim për standardet, edhe një herë theksoj se përgjegjësia më e madhe dhe pasojat negative që mund t’i ketë vendi në procesin e integrimit, vijnë për shkak se qeveria nuk përmbushi angazhimin ligjor, detyrimin ligjor dhe premtimin politik se zgjedhjet e 2009-ës do t’i plotësonin standardet.

Megjithatë, zoti Malaj, po e riformuloj pyetjen - ka një koalicion fitues, që drejtohet nga Partia Demokratike. Në këto kushte, në këto momente që ndodhemi, pasi ka dalë, le të themi një rezultat, nuk e quaj zyrtar, sepse duhet të ecë edhe Kolegji Zgjedhor në shqyrtimin e animimeve - Partia Socialiste, partia më e madhe në opozitë, a duhet të pranojë që i ka humbur këto zgjedhje?

Besoj që procesi duhet të mbarojë i gjithi. Ky debat u hap edhe përpara se KQZ të merrte vendimin për Fierin, i cili realisht vërtetoi shqetësimin dhe i ktheu Partisë Socialiste mandatin e nëntë.

Përderisa një proces nuk ka përfunduar në të gjitha fazat, unë do të thosha që është plotësisht e arsyeshme që fokusi i Partisë Socialiste, më shumë sesa tek humbja apo tek fitorja, është tek përfundimi i procesit ligjor, i cili mund t’i sjellë edhe një mandat tjetër Partisë Socialiste, një skemë e qartë për t’i identifikuar të gjitha shkeljet, të cilat nesër do të jenë pjesë e detyrimeve për të përmirësuar kuadrin ligjor, por dhe implementimin real në procesin zgjedhor.

E treta që duket shqetësuese, është keqpërdorimi që po vazhdon pas zgjedhjeve me anëtarë mbështetës të Partisë Socialiste, aty ku Partia Demokratike ka humbur.

Sigurisht që do të duhej të presim përfundimin ligjor. Edhe në Amerikë u prit vendimi i Gjykatës Kushtetuese dhe pastaj u shpall fituesi real në garën George Bush-Al Gor.

Pra, nuk kemi pse të nxitojmë për të shpallur humbjet pa përfunduar plotësisht procesi. Ndoshta përfundimi i procesit nuk do të ndryshojë kahun, por, nga ana tjetër, do të tregojë diferencën reale, së pari, midis Partisë Demokratike dhe koalicionit të saj dhe Partisë Socialiste dhe koalicionit të saj. Pastaj, të gjitha oportunitetet për mazhoranca dhe koalicione mbeten të vlerësohen.

Megjithatë, ka një deklarim të qartë tashmë që Partia Demokratike do të qeverisë së bashku me Lëvizjen Socialiste për Integrim, do t’i bëjnë së bashku mandatet për të qeverisur vendin. Nuk e sheh veten ende në opozitë Partia Socialiste?

Besoj që nuk duhet të ketë mbivendosje të prioritetit që ka një forcë politike. Pra, e para, përfundimi i procesit; e dyta, njohja saktësisht e rezultateve dhe diferenca me Partinë Demokratike; e treta, vlerësimi për legjitimitetin e zgjedhjeve, sepse nëse këto zgjedhje certifikohen si zgjedhje që nuk arritën standardet, nuk ka fitues real.

Mund të ketë mazhoranca qeverisëse, afatgjata apo afatshkurtra, por nuk ka humbës real më shumë sesa mazhoranca, e cila nuk përmbushi atë obligim, i cili nuk është deklaratë politike, por ka impakte politike negative në ekonominë e këtij vendi, për shkak të vonesave në procesin e integrimit.

Pra, ju po thoni me pak fjalë se Partia Socialiste është humbëse, por Partia Demokratike nuk është fituese e këtyre e zgjedhjeve?

Që Partia Demokratike nuk është fituese, patjetër që këtë e them me zë. Ndërsa, këtë të dytën e them pak me dhimbje.

Nga ana tjetër, si e shikoni mënyrën se si po sillet lidershipi i Partisë Socialiste në këto momente? Ka akuza që vijnë edhe nga aleatë të Partisë Socialiste se është ndjekur një filozofi që i ka shkatërruar ata - kujtoj që Partia Socialdemokrate apo Demokracia Sociale tashmë nuk përfaqësohen në parlament...

Nuk mund ta anashkalojmë faktin që koalicioni nuk ka funksionuar si i tërë. Nëse Partia Socialiste, për nga votat popullore ka rreth 40.08 dhe Partia Demokratike ka 40.01, kur vjen puna te numri i mandateve, për shkak edhe të rezultateve më optimiste që ne prisnim nga aleatët tanë, për shkak dhe të një solidariteti dhe kohezioni më të mirë të koalicionit, duket se nuk kemi maksimizuar rezultatin tonë elektoral. Sigurisht që këto debate do të vazhdojnë.

Unë besoj që më shumë se sa për të negativizuar njëri-tjetrin dhe për të krijuar një ambient disi acid midis nesh dhe kolegëve tanë, ata do të duhej të jenë pjesë e një analize më të qetë, e cila duhet të ristartojë frymën e bashkëpunimit.

Partia Socialiste e ka të detyrueshme të ketë një strategji bashkëpunimi në rritje, jo vetëm me partitë e spektrit të majtë, por edhe me faktorët e tjerë socialë. Sigurisht që lidershipi i Partisë Socialiste do të duhej të rikrijojë kredibilitet për partneritet dhe natyrshëm në momentin kur mazhoranca është e qartë dhe opozita është e qartë, do të duhej një strategji për të rritur eficiencën e opozitës parlamentare.

Çfarë i mungoi Partisë Socialiste konkretisht në zgjedhjet e 28 qershorit, që u paraqit me këtë rezultat më pas?

Po ta kemi parasysh edhe në raport me sondazhet që u bënë nga kompani shumë të mirënjohura, rezultati real i Partisë Socialiste është besoj optimist në atë që arriti, por nuk u maksimizua si rezultat elektoral për një mazhorancë qeverisëse, për faktorë, të cilët i përmenda.

Domethënë, fryma e bashkëpunimit me aleatët, maksimizimi i bashkëpunimit me ta, eliminimi i çdo gare të brendshme, disa herë edhe të tensionuar midis përfaqësuesve të Partisë Socialiste dhe aleatëve tanë, mungesa e harmonizimit për maksimizimin e votës së përbashkët më shumë sesa maksimizimin e votës si Parti Socialiste.

Ishin një sërë faktorësh që mund të na kishin ndihmuar neve, që atë votë popullore ta kthenim në mazhorancë qeverisëse.

Çfarë përgjegjësie konkrete ka kryetari i Partisë Socialiste në gjithë këtë zhvillim?

Sigurisht që Partia Socialiste në vitin 2005, pas dorëheqjes së ish-kryetarit të saj Nano, për t’i eliminuar eksperiencat negative nga partitë e majta në vendet evropiane, në statut të saj përfshin një klauzolë, që kryetarit të partisë, në momentin që nuk fiton zgjedhjet parlamentare, mandati i bie. Pra, nuk është problemi dorëheqja, por krijohet një vakuum, i cili kërkon zgjedhje të reja në parti.

Unë do ta mendoja më shumë sesa një përgjegjësi individuale e kryetarit të partisë, pavarësisht se ky sistem brenda funksionimit të partisë i jepte më shumë autoritet dhe më shumë përgjegjësi kryetarit.

Nëse do të kemi një analizë, e cila në frymë ka një garë negativizimi për rolin e kryetarit më shumë sesa një analizë konkrete, unë besoj se do të kemi plagë të hapura brenda Partisë Socialiste, që do ta vonojnë arritjen e një kohezioni.

Pra, nuk mund të kemi një vlerësim bardh e zi. Ne duhet të njohim se çfarë solli të re në drejtimin e Partisë Socialiste Rama dhe ku filozofia e tij nuk funksionoi realisht. Pastaj, veprimet statutore, unë besoj se do të jenë të respektueshme nga të gjithë.

Edhe nga kryetari i partisë?

Partia Socialiste duhet t’i shpëtojë krijimit të një ambienti jobashkëpunues, një gare se kush kë negativizon më shumë, kush kë bën më shumë përgjegjës, dhe rruga më e mirë në këto raste, prandaj është vepruar me qetësi në vitin 2005, është respektimi i statutit.

Ky respektim nuk duhet parë si një mundësi për një garë abuzive brenda Partisë Socialiste; duhet parë si një moment qetësie.

Dhe, njëkohësisht, periudha deri në plotësimin e një procesi statutor për garë brenda partisë, duhet të jetë e tillë që të gjithë personalitetet e Partisë Socialiste më shumë të bëhen pjesë e së ardhmes, sesa të vrapojnë për të shkuarën.

Si e shikoni kontributin e ish-kryetarit të Partisë Socialiste, Fatos Nano, në gjithë këtë proces të humbjes së Partisë Socialiste në këto zgjedhje? Ndikoi, nuk ndikoi, ishte i papërfillshëm?

Është akoma shpejt që të bëjmë një analizë të detajuar dhe të thelluar. Ajo që unë do të kisha shpresuar është që ish-kryetari i partisë, edhe në shenjë mirënjohjeje për forcën politike, të cilën e krijoi, e modernizoi, e solli në pushtet për tetë vjet, të kishte një angazhim më të drejtpërdrejtë, më publik dhe më pozitiv për sfidat e Partisë Socialiste në zgjedhjet parlamentare.

Ndoshta e kërkoi, por nuk iu ofrua. Kam parasysh këtu listat e kandidatëve për deputetë, ku ai nuk u pranua...

Me përvojën, me eksperiencën, besoj që e kishte të lehtë për t’u angazhuar edhe kur mundësitë ishin të kufizuara, nëse i vlerëson se ishin të kufizuara.

Si e shikoni raportin e Partisë Socialiste me Lëvizjen Socialiste për Integrim, kur kjo e fundit ka deklaruar tashmë se do të bashkëpunojë me Partinë Demokratike në qeveri? Katër vitet e ardhshme a do të duhen që t’i sjellin në të njëjtat llogore këto dy forca politike?

Sot, të paktën sipas analizave të të gjithë politikologëve, duke e ndjekur çfarë ndodh edhe në vendet tjera në jetën politike, si janë raportet midis të majtës e të djathtës, pse e majta në disa vende nuk është në pushtet, për shkak të fragmentarizimit të saj, për shkak të një gare disi edhe tekanjoze të personaliteteve, besoj që për çdo forcë politike, e cila synon pushtetin, e cila synon të kthehet në një mazhorancë, për t’i përmbushur më mirë ambiciet e saj, sigurisht që fryma e opsioneve të hapura, fryma e mundësive të së nesërmes për partitë e spektrit të majtë dhe për aleatë potencialë nga shoqëria civile dhe faktorë të tjerë pozitivë, duhet të jetë pjesë e një mentaliteti që vjen dhe bëhet më dominues.

Ne duhet ta largojmë Partinë Socialiste ose pjesë të lidershipit të saj nga ideja që një humbje përballohet më mirë me një frymë militante, sesa me një këndvështrim më afatgjatë.

Pra, në zhvillimet e ardhshme, Partia Socialiste duhet të orientohet gjithnjë e më tepër nga respekti maksimal për mbështetësit e saj, por me mundësi në rritje dhe për faktorë të tjerë politikë dhe shoqërorë. Në rast të kundërt, pjesa militante është cilësi shumë e mirë e Partisë Socialiste, por, nga pikëpamja numerike është e pamjaftueshme për të na rikthyer në pushtet.

Zoti Malaj, edhe një pyetje - deri në këto momente, se si po zhvillohen ngjarjet, ju shikoni ndonjë tendencë nga ana e Partisë Socialiste për të parë në gjithë këtë filozofi që ka ndjekur deri te procesi zgjedhor për t’u thelluar më tej, për të marrë secili përgjegjësitë e veta?

Në mënyrë njerëzore, sigurisht se politikanët së pari janë qenie sociale. Momenti i tanishëm kur rrezikohet në opozitë tetëvjeçare, është një moment në të cilin nuk mund të presësh që lidershipi i Partisë Socialiste në mënyrë urgjente dhe të menjëhershme të merret me analiza kaq të thella dhe pastaj me riorganizimet e domosdoshme për të krijuar optimizmin real.

Kështu që në këtë moment, fokusi ynë dhe besoj fokusi i të gjithëve në Partinë Socialiste, e ritheksoj edhe një herë, është një përfundim total i procesit ligjor.

Të shikojmë certifikimin, ndërkohë që ne mendojmë se legjitimiteti i këtyre zgjedhjeve është cenuar rëndë nëse ato do të certifikohen me standarde të paplotësuara dhe me atë refrenin, që edhe ju më pyetët që gjithmonë theksohet, një hap përpara në raport me zgjedhjet e mëparshme, por larg standardeve evropiane. Sigurisht se analizat në Partinë Socialiste janë analiza të sfidave dhe jo të problemeve të trashëguara.

Mbase është herët për të bërë këtë pyetje, në bazë edhe të zhvillimeve në Partinë Socialiste, por zoti Malaj, a ka ndonjë lidhje konkrete emri juaj me kreun e Partisë Socialiste?

Unë e kam theksuar se angazhimi në politikë është diçka inspirues. Sigurisht, njerëzit në politikë preferohet të jenë ambiciozë, pra më pëlqen më shumë një politikan ambicioz, se sa të jetë shikues lajmesh.

Në raport me zhvillimet në Partinë Socialiste dhe vetëm me një sens pozitiv si të maksimizojmë bashkëpunimin brenda partisë sonë, si të maksimizojmë eficiencën me aleatët tanë, si të jemi të hapur në kompromiset e nevojshme, të cilat na sjellin në pushet dhe na japin një cilësi të mirë të qeverisjes së vendit në sfidat e ardhshme.

Patjetër që mbetem ambicioz që nëse do të ketë një garë, të jem pjesë e kësaj gare, duke respektuar të gjitha detyrimet për një solidaritet maksimal me të gjithë ata që do të konkurrojnë dhe një detyrim maksimal me të gjithë votuesit që do të votojnë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›