Reuters: Gjermania ka bllokuar vlerësimin për aplikimin e ShqipërisëNga Tema Kur kryeministri, Sali Berisha, dorëzoi aplikimin për të marrë statusin e vendit kandidat për në BE, shumë zyrtarë të BE ishin mjaft skeptikë për këtë lëvizje. Por
Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.
Reuters: Gjermania ka bllokuar vlerësimin për aplikimin e ShqipërisëNga TemaKur kryeministri, Sali Berisha, dorëzoi aplikimin për të marrë statusin e vendit kandidat për në BE, shumë zyrtarë të BE ishin mjaft skeptikë për këtë lëvizje. Por kryeministri ynë, ky mjeshtër i lobingut, siç shkruante para disa kohësh e përditshmja amerikane “NY Times”, arriti që të merrte një mesazh mbështetjeje nga presidenti francez, Nicolas Sarkozy, për këtë aplikim. Edhe pse mbështetja e tij kishte një tjetër kosto, atë të suportit për një kompani franceze që do garojë për të na shitur disa helikopterë ushtarakë, kryeministri diti ta shesë shumë mirë këtë vizitë si mbështetje politike.
Megjithatë, prej kohësh mediet e huaja raportojnë një ftohje të Brukselit përkundrejt Shqipërisë, e cila nuk po ecën në rrugën e duhur. Por, nëse kryeministri pretendon se ka miqësitë e duhura për të ecur përpara me aplikimin, një shtet shumë i rëndësishëm i BE, lokomotiva e këtij unioni, Gjermania, nuk do të lëshojë aspak pe për Shqipërinë.
Një analizë e agjencisë Reuters zbulon faktin e mësipërm. Duke folur në lidhje me vendimin e parlamentit islandez që i hap dritë jeshile vendit për të hyrë në BE, agjencia në një artikull me titull “Anëtarësimi i shpejtë i Islandës mund të zhgënjejë vendet e tjera që duan të anëtarësohen”, - thotë se kjo mund të sjellë ngadalësim të reformave në vendet e Evropës Lindore.
Agjencia zbulon nga burime në Bruksel se Kroacia mund të mos jetë në të njëjtin hap së bashku me Islandën, ashtu siç ishte parashikuar. Sipas diplomatëve të BE, ka shumë zhgënjim, për shkak se Ballkani nuk po bën hapa të shpejtë për të merituar anëtarësimin. Kroacia nuk bën përjashtim.
Më poshtë artikulli thotë se vendet që duan anëtarësimin mund të përballen me negociata të gjata dhe shumë të lodhshme. Serbia është bllokuar në këto negociata, thotë artikulli, nga Holanda, për shkak të mosdorëzimit të të kërkuarve për krime lufte në Gjykatën Ndërkombëtare të Hagës, Bosnja është pezull i problemeve të thella të brendshme, Maqedoninë e mban peng përplasja për çështjen e emrit me Greqinë, ndërsa marrjen në vlerësim të aplikimit të Shqipërisë po e mban të ngrirë Gjermania.
Ashtu si gjithmonë, zyrtarët e BE thonë se kanë frikë se anëtarësimi i shpejtë i Islandës mund të sjellë probleme në vendet e tjera, por ato si rrallë ndonjëherë nuk druhen se mund të ketë ndonjë luftë apo konflikt në rajon, por thonë se mund të ketë stanjacion ekonomik.
Megjithatë, zyrtarët e BE thonë se do vazhdojnë të lëshojnë mesazhe optimiste për këto vende, të cilat janë mjaft të ndjeshme ndaj çështjeve të integrimit.
Ambasadori gjerman: Sinjali për vizat ishte i qartë, mos bëni premtime boshe, por plotësoni kushtet
Ambasadori gjerman në vendin tonë, Bernd Borchardt, tha dje se sinjali që erdhi nga Komisioni Evropian në lidhje me regjimin e vizave ishte shumë i qartë.
Borchardt tha se nuk duhet të jepen premtime boshe, por duhet të plotësohen kushtet që qytetarët e vendit të lëvizin lirshëm drejt vendeve të Bashkimit Evropian.
Përgjigjja e tij është një qëndrim i fortë ndaj reagimeve krejt qesharake të qeverisë sonë, e cila, pasi dështoi në përmbushjen e kritereve për të lëvizur pa viza dhe pasi e përdori fort si kartë elektorale atë, vazhdoi mashtrimet, edhe pasi u bë e qartë se kishim dështuar.
Ministri i Jashtëm, Lulzim Basha, mashtroi, kur tha se do jetë mesi i vitit që vjen momenti kur shqiptarët do të lëvizin pa viza. Një gjë e tillë nuk u tha për asnjë moment nga zyrtarët e KE. Ata thanë se, nëse do plotësohen kushtet, do ketë një propozim nga mesi ose fundi i vitit që vjen.
Kurse Ministri i Brendshëm, Bujar Nishani, shkon dhe më tej, kur thotë se Shqipëria është përpara fqinjëve në përmbushjen e kritereve për të lëvizur pa viza.
Pikërisht për të sqaruar këtë moment, ambasadori gjerman tha se vendet e tjera të rajonit kanë plotësuar kushtet, ndaj dhe kanë marrë sistem të ri lëvizjeje.
Zyrtarët shqiptarë nuk kanë preferuar asnjëherë gjatë këtyre viteve që të sqarojnë se cilat kanë qenë kushtet që kemi plotësuar dhe cilat jo.
Në deklaratën e përgatitur nga Komisioni Evropian ditën e publikimit të vendimit thuhet se Shqipëria dhe Bosnja nuk kanë arritur të luftojnë krimin e organizuar dhe korrupsionin, kushte kryesore këto për të përfituar liberalizimin e vizave.