Nuset nga jashtëNga Xha Xhai, Peizazhe të FjalësMë datë 27 prill 1938, mbreti i shqiptarëve Zogu I u martua me konteshën Géraldine Margit Virginia Olga Mária Apponyi de Nagyappony, vajzë e një konti hungarez dhe e një amerikaneje joaristokrate. E kom
Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.
Nuset nga jashtëNga Xha Xhai, Peizazhe të FjalësMë datë 27 prill 1938, mbreti i shqiptarëve Zogu I u martua me konteshën Géraldine Margit Virginia Olga Mária Apponyi de Nagyappony, vajzë e një konti hungarez dhe e një amerikaneje joaristokrate. E komentuar nga shumë anë, në atë kohë dhe më pas, kjo martesë u shqua edhe ngaqë e vendosi në lidhje mbretin shqiptar me familjet aristokrate të Evropës, lidhje që, përndryshe i kishte munguar.
Natyrisht, edhe para mbretit Zog, aristokratët e vendit të shqipeve ishin martuar rregullisht me gra “të huaja”, ndonëse historia dhe gjenealogjia e familjeve të bejlerëve shqiptarë nën Perandorinë Osmane mbetet për t’u shkruar. Me përkufizim, aristokracia i përdor martesat e përziera për të përmirësuar dhe kthjelluar gjakun, por edhe për qëllime politike dhe të pronës; dhe nga ky rregull nuk do të bënin përjashtim as shqiptarët.
Edhe historia e familjeve bujare gjatë shekujve XIV-XV, e cila kulmoi me përpjekjen e Gjergj Kastriotit për t’u bërë ballë ushtrive osmane, flet për natyrën e përzier të aristokracisë arbre; vetë i ati i Gjergjit, Gjon Kastrioti, ishte martuar me një vajzë nga një familje sllave (bullgare).
Të tjera dëshmi kuptimplote martesash të largëta i gjen në folklor; Doruntinën e legjendës së njohur e kishin martuar në Bohemi dhe logjika ta do që edhe ndonjë prej vëllezërve të asaj princeshe ta merrte nusen prej Evropës qendrore, ose zonave edhe më të përtejme. Ekzogamia ndeshet rëndom në arbër e më pas në shqiptarë pavarësisht nga rangu social ose klasa, por martesa rituale me një nuse të largët ishte, si rregull, shenjë e forcës dhe e mirëqenies; sikurse provë e përpjekjeve për ekspansion.
Gjatë Mesjetës e deri në dekadat e fundit të shekullit XIX, barriera më e madhe për lidhjet martesore nuk ishte distanca gjeografike, as përkatësia etnike ose kombëtare, por feja. Askush nuk do të habitej kur një himarjot ose një lunxhiot të martohej me një greke; por lidhjen mes një myslimani e një të krishtereje do ta pavdekësonte kënga, sepse ajo lidhje e sillte dramën, në mos tragjedinë me vete.
Vetëm duke filluar nga viti 1945 martesat fetarisht të përziera, mes shqiptarëve të feve të ndryshme, do të shndërroheshin në diçka normale, madje të nxitur tërthorazi nga atmosfera super-krahinore e shoqërisë totalitare. Fëmijët e këtyre martesave, ose shqiptarët e rinj të cilët e kishin më të lehtë ta gjenin identitetin në shqiptari, sesa në krahinë e në traditë, e kishin gjithnjë diçka aristokratike në fatin e tyre; meqë i destinoheshin, njëfarësoj, të ardhmes.
Përndryshe, pas perëndimit të Mesjetës edhe në Shqipëri, gjatë viteve 1920-1939 martesat me të huaja vazhduan ta luanin rolin e tyre si riprodhuese të aristokracisë, meqë tanimë ishin studentët në universitetet e Evropës që sillnin me vete, kur ktheheshin në atdhe nga Italia, Franca, Gjermania dhe Austria gra që i kishin “gjetur” aty, njëlloj sikurse sillnin me vete kulturën e vendeve ku kishin studiuar, dijen dhe modernitetin e Evropës.
Lufta II Botërore e ndërpreu këtë osmozë gjenesh dhe memesh, por vetëm përkohësisht; meqë Shqipëria, menjëherë pas 1945-ës, do të vihej sërish në punë për të krijuar aristokracinë e vet, nëpërmjet lidhjeve dhe aleancave me botën përtej; i vetmi dallim, themelor, ishte se si pikë referimi për gjakun dhe idetë do të shërbente tash e tutje Lindja – Bashkimi Sovjetik dhe vendet e Bllokut Lindor.
Gjithsesi, rruga e mblesërisë mbetej e njëjtë si më parë - nëpërmjet studentëve. Ka diçka të ngjashme midis universalitetit të dijes dhe pasurimit të gjeneve që sjell me vete një martesë me të huaj; prandaj edhe këto martesa, sikurse ato të aristokracisë së dikurshme, janë gjithnjë të rrezikuara nga po ato forca që i rezistojnë së ardhmes.
Midis viteve 1945 dhe 1960, një numër i madh studentësh shqiptarë, të dërguar për të studiuar në universitetet e Lindjes, u kthyen në Shqipëri të martuar me ruse, polake, çeke, sllovake, rumune, hungareze, jugosllave, bullgare… Këta studentë ishin destinuar të shndërroheshin në shtresën teknokratike që do të merrte në duar Shqipërinë, për ta pilotuar drejt së ardhmes komuniste; jo si shtet të shqiptarëve për shqiptarët, por si shtet të proletarëve për proletarët. Në atë kontekst, martesa me një grua të huaj ishte një gjest po aq politik sa edhe martesa me një grua të fesë tjetër; meqë në të dy rastet i shërbehej homogjenizimit – pavarësisht nga dëshirat individuale gjenuine të çiftit për të jetuar së bashku.
Dy kategori grash të sjella prej Lindjes tërheqin këtu vëmendjen: hebrejet dhe spanjollet; si në një rast, ashtu edhe në një tjetër, ishte fjala për vajza të cilat e kishin më të lehtë të shkëputeshin prej vendit ku jetonin, për të ndjekur pas burrat që dashuronin - hebrejet ende të traumatizuara nga tmerri i persekutimit nazist; spanjollet ende të pastabilizuara, pasi familjet u ishin larguar një herë prej atdheut të tyre, pas katastrofës së luftës civile, për t’u vendosur në Bashkimin Sovjetik.
Familjet e krijuara mes ish-studentëve shqiptarë tani kuadro në pozicione drejtuese në politikën, ekonominë dhe kulturën shqiptare dhe grave nga Lindja, i ofronin një bazë sociale të sigurt vëllazërimit mes vendeve socialiste nën drejtimin ideologjik të Moskës. Fëmijët e kësaj aristokracie të re socialiste do të shërbenin për t’i homogjenizuar elitat e vendeve të Evropës lindore; si klasë, atyre u takonte e ardhmja, sa kohë që drejt së ardhmes po shkohej nëpërmjet integrimit të gjithanshëm.
Konflikti shqiptaro-sovjetik, në fillim të viteve 1960, i dha fund dramatik kësaj utopie. Brenda pak vjetësh, teksa aleatët e dikurshëm të Shqipërisë po shndërroheshin, me shpejtësi marramendëse, në kërcënim deri edhe për ekzistencën e saj; dhe teksa regjimi në Shqipëri po përfshihej çdo ditë e më tepër nga paranoja e institucionalizuar, krejt shtresa e teknokratëve shqiptarë të martuar me gra të huaja nga vendet e Lindjes e pa veten në buzë të humnerës.
Kush i ka jetuar ato vite, do ta mbajë mend se një pjesë e familjeve u shkatërruan, teksa gratë e nënat u kthyen në vendet e tyre, duke marrë edhe fëmijët me vete, në pamundësi për ta përballuar murin ndarës; të tjera gra u detyruan të marrin me forcë shtetësinë shqiptare dhe të pranojnë perspektivën e ndarjes për së gjalli nga të afërmit e tyre, familjet që kishin lënë përtej murit të hekurt, vendet ku kishin kaluar fëmijërinë, kulturat ku ishin ushqyer; disa prej këtyre grave u dënuan me burg si agjente të shërbimeve sekrete të vendeve nga kishin ardhur – ndonjë agjente edhe do të ketë pasur, por zakonisht këto dënime i bindeshin logjikës totalitare, dhe nuk i përgjigjeshin asgjëje në realitet. Të tjera familje u persekutuan në heshtje, duke u transferuar nga Tirana drejt zonave të padëshiruara. E gjithë kjo u shtjellua si dramë kolektive, duke prekur qindra në mos mijëra familje të burrave nga më të mençurit e të përgatiturit për brezin, në Shqipëri; faji i vetëm i të cilëve ishte që kishin besuar në të ardhmen e premtuar prej po atyre liderëve që tani po i persekutonin.
Heroikisht, një numër i madh i këtyre grave u qëndruan përkrah burrave dhe fëmijëve të tyre; me gjithë padrejtësinë e frikshme që po u bënte regjimi. E madhe do të ketë qenë vuajtja e tyre, sa herë që u dilnin fëmijët përpara; sepse e dinin që ata fëmijë ishin damkosur, që në lindje, me shenjën e armikut ose të dikujt që s’i zihej dot besë; prandaj disa dyer do t’i gjenin përgjithmonë të mbyllura.
I kam përjetuar këto drama nga afër edhe pse jo në lëkurën time; shumë prej moshatarëve, madje edhe shokëve dhe shoqeve të mia, vinin prej familjesh të tilla të përziera. I vogël, mbaj mend vetëm kur e shanim ndonjëherë “çek muti” një shokun tonë, që e kishte nënën çeke; fëmijët janë mizorë nga natyra dhe ksenofobia është armë e pagabueshme e provincës së thellë, siç ishte katandisur atëherë Shqipëria fanar ndriçues i socializmit; por gjithsesi ajo sharja jonë s’ishte asgjë, para rrezikut që atij shokut tonë t’ia thërrisnin ndonjëherë të ëmën në hetuesi, për ta akuzuar si agjente të Dubçekut e për t’ia hedhur hekurat.
Dyzet vjet më vonë, kur mendoj fatet e hidhura të atyre fëmijëve të atëhershëm, nuk dua të mbështetem vetëm në ndonjë histori suksesi madhështor, si Inva Mula (vajzë e një ruseje), për të nxjerrë përfundimin se martesat në masë të studentëve shqiptarë me gra të Evropës lindore do t’i kishin dhënë Shqipërisë një elitë të pazëvendësueshme për nga virtytet intelektuale, kulturore dhe sipërmarrëse; por mbetem i bindur se duke i persekutuar ato familje, duke i trembur, duke i detyruar ta mbanin zërin të ulët, duke i bërë nënat të kishin frikë t’u mësonin fëmijëve gjuhën e tyre e t’u tregonin fotografitë e gjyshërve e tezeve “të ndaluara”, duke i bërë baballarët të druheshin nga hija e tyre, duke i ekspozuar ndaj gjithfarë shantazhesh, trysnish, ofertash për të bashkëpunuar me Sigurimin, kërcënimesh e detyrimesh për të “provuar” besnikërinë ndaj regjimit totalitar në Tiranë, Shqipëria ia privoi vetes një shans unik që i ishte dhënë, sado rastësisht, për të kapërcyer si shoqëri dhe si kulturë nga errësira drejt dritës.
Pas mbylljes njëzetvjeçare, shqiptarët filluan të shkojnë sërish në Evropë për studime universitare e pas-universitare gjatë viteve 1980; ndryshe nga ata të djeshmit, vetëm pak prej këtyre të tanishmëve parapëlqyen të ktheheshin përsëri e të vendoseshin në Shqipëri, pavarësisht nëse të martuar ose jo me gra “të huaja”. Natyrisht, gjithkush e zgjedh vetë vendin për të jetuar (duke filluar nga unë vetë), por nga lartësitë e të sotmes tingëllon edhe më absurde akuza për ndjenjë të dobët kombëtare që mund t’u jetë bërë ish-studentëve shqiptarë të atëhershëm në Moskë, në Leningrad e në Pragë, të cilët jo vetëm u kthyen në Shqipëri për të punuar, por edhe çuan atje çfarë kishin më të shtrenjtë në jetë: gratë!
Sot e kësaj dite, në shtypin tabloid të Tiranës, dëgjon t’i përflitet ndonjë intelektuali shqiptar martesa që ka bërë me grua të huaj, ose vendimi për të jetuar me atë grua në Shqipëri. Vetë bindja se ky argument trogloditësh mund të përdoret ende në publik tradhton një prapambetje të madhe të vetëdijes qytetare në Shqipëri, sa kohë që katundi ende mund të indinjohet, kur dikush guxon t’ua prishë uniformitetin me “gruan e huaj”, duke e kapërcyer barrierën midis shqiptarëve dhe joshqiptarëve edhe biologjikisht. Nga ana tjetër, një diskutim para ca muajsh në një blog të gazetës “Shekulli”, për serbë që kërkonin nuse shqiptare ose diçka të ngjashme, u zgjat me muaj e numëroi me mijëra kontribute nga lexuesit, duke i ofruar lexuesit shembuj nga më flagrantët të egërsisë ksenofobike si llogore e fundit e injorancës.
A mund të funksionojnë martesat etnikisht të përziera, në rrethanat kur Shqipëria kërkon t’i afrohet Evropës, teksa elitave shqiptare u duhet të gjejnë urgjentisht një mënyrë për të kultivuar një kombëtarizëm modern ndër shqiptarët? Madje në përgjithësi, çfarë fati u ruan e ardhmja martesave të përziera në përgjithësi, mes partnerëve nga krahina të ndryshme e nga fe të ndryshme, mes gegut dhe toskes, kaurit dhe myslimanes, malësorit dhe fusharakes, katundares dhe qytetarit, në rrethana kur ndarjet horizontale dhe vertikale në shoqëri po marrin përparësi ndaj urave, lidhjeve, përpjekjeve për komunikim, për aleancë e për gjuhë të përbashkët? Tragjedia që ndodhi në Bosnjë - një vend që i ngjan Shqipërisë nga shumë anë - duhet të na bëjë, së paku, të mendohemi; sepse atje, brenda pak vitesh, fryma e bashkëpunimit dhe e solidaritetit mes të ndryshmëve u zëvendësua nga urrejtja, artileria dhe spastrimi etnik; në mënyrë simbolike, dashurisë ia zuri vendin përdhunimi.
* xhaxhai.wordpress.com