Shqipëria mund të përjetojë sërish një valë në rritje trafiku të qenieve njerëzoreNga Dan Bilefsky, “New York Times”Vlorë, Shqipëri - Vetëm pasi trafikanti i saj ia mbylli gojën me izolant, e drogoi dhe kërcënoi se do t’i vriste familjen, gruaja me p
Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.
Shqipëria mund të përjetojë sërish një valë në rritje trafiku të qenieve njerëzoreNga Dan Bilefsky, “New York Times”Vlorë, Shqipëri - Vetëm pasi trafikanti i saj ia mbylli gojën me izolant, e drogoi dhe kërcënoi se do t’i vriste familjen, gruaja me pamje fëmijërore, tashmë në moshën 27 vjeç, thotë se, e kuptoi se burri me të cilin kishin planifikuar të martohet, e kishte joshur me një mashtrim të tmerrshëm.
Udhëtimi i saj në moshën 18-vjeçare nga një fshat i Shqipërisë në një nga shtëpitë publike të Londrës, ku kaloi pesë vite duke punuar si prostitutë, filloi me një unazë të artë fejese, premtimin për një jetë më të mirë jashtë vendit - e ashtu si shumë të tjerë para saj - me një udhëtim me gomone nëpër terrin e natës drejt Italisë.
Aq shumë gra janë trafikuar jashtë vendit për të punuar si prostituta, për të bërë punë të detyruara e për të lypur, aq sa qeveria shqiptare tre vjet më parë vendosi të ndalojë të gjithë qytetarët shqiptarë që të përdorin mjete të shpejta lundrimi që favorizonin transportimin e përdorur nga trafikantët për të nxjerrë njerëzit jashtë vendit.
Kjo masë drastike, e shoqëruar me kontrolle më strikte të kufijve dhe vrasjet për hakmarrje të trafikantëve nga familjet e viktimave, ka patur një efekt domethënës, duke reduktuar trafikun në më shumë se gjysmën e tij dhe duke i dhënë fund rolit të Shqipërisë si një pikë madhore e transitit të trafikut njerëzor drejt Evropës Perëndimore nga pjesët jugore dhe lindore të kontinentit, thonë ekspertët që merren me çështjet e trafikimit.
Por ky kufizim solli protesta të forta nga peshkatarët dhe njerëzit e industrisë së turizmit, e në muajin maj u hoq.
Zyrtarët e policisë dhe ata që merren me të drejtat e njeriut thonë se si shkak i kësaj trafiku njerëzor mund të shpërthejë sërish - veçanërisht në këto kohëra të vështira.
Shumë ekspertë thonë se kriza financiare mund të rrisë trafikun njerëzor në mbarë botën. Një raport i Departamentit të Shtetit i qershorit paralajmëronte për rrezikun potencial duke thënë se kriza po shkakton “një kërkesë në rritje për punë dhe një angazhim në rritje të punonjësve për të marrë rreziqe më të mëdha për të pasur mundësi ekonomike.”
Në rastin e Shqipërisë, një vend i varfër në Ballkanin Perëndimor që u bashkua me NATO-n në prill dhe që kërkon të anëtarësohet në Bashkimin Evropian, aftësitë e qeverisë për të luftuar trafikun shihen si një test kritik.
Për viktima si gruaja nga fshati i vogël, që u mashtrua nga premtimet e gënjeshtërta nga trafikanti i saj, kjo betejë është një çështje mbijetese.
“Isha e dashuruar me të, ëndërroja të jetoja me të, por ishte vetëm një gënjeshtër e madhe”, - thotë ajo në një intervistë të realizuar në një strehë për viktimat e trafikut. “Doja të arratisesha, por në sytë e ligjit unë isha një prostitutë me dokumente të rreme. Ku mund të shkoja?”
Ajo thotë se, burri që e rrëmbeu, kishte fituar besimin e saj prej muajsh dhe vetëm më pas e kishte mbyllur në një dhomë dhe i kishte marrë pasaportën dhe telefonin celular. Ajo thotë se ai e rrihte dhe e kishte goditur disa herë me thikë për ta paralajmëruar se çfarë do t’i ndodhte, në rast se tentonte të arratisej. Ajo thotë se ishte detyruar të bënte prostitutën në Londër dhe në Antwerp, Belgjikë. Për të mbuluar gjurmët, familja e burrit kishte telefonuar prindërit e saj dhe u kishte thënë se çifti kishte lëvizur drejt Kosovës fqinje.
Gruaja nuk është e gatshme të japë emrin e saj nga frika e hakmarrjes nga trafikanti duke e bërë të pamundur bashkëpunimin me policinë. Por koordinatori dhe drejtori i strehës ku po qëndron ajo thotë se ka parë me kujdes detajet e historisë së saj dhe i beson plotësisht.
Në kulmin e trafikimit, ekspertët përllogarisin se mijëra gra, burra dhe fëmijë janë dërguar në Greqinë dhe Italinë fqinje, por dhe në vende të tjera për shfrytëzim seksual dhe punë të detyruar.
Kombet e Bashkuara përllogarisin se 12.3 milionë njerëz në gjithë botën janë të punësuar në shërbimet e seksit dhe bëjnë punë të detyruar. Shumë prej tyre mashtrohen me premtime të gënjeshtërta, martesa reale dhe me oferta false për punë. Në disa raste viktimat janë shitur nga familjet e tyre. Në raste të tjera ata shkojnë dhe vullnetarisht.
Edhe me moratoriumin për ndalimin e skafeve, Departamenti i Shtetit thotë në raportin e tij të qershorit se Shqipëria nuk ka arritur “as standardet minimale për të eliminuar trafikun”, edhe pse “ka bërë përpjekje domethënëse për të arritur këtë”. Raporti thotë se korrupsioni mbetet shumë i përhapur.
Në qershor 2007, Ministria e Brendshme arrestoi 12 oficerë policie të akuzuar për trafik njerëzor në tri raste, përfshi gjashtë oficerë me përgjegjësi direkte në strukturën që merret me antitrafikimin.
Zyrtarët e zbatimit të ligjit në Shqipëri thonë se shpesh mungon ndihma nga vende të tjera për të mbledhur prova e për të dënuar trafikantët.
Iva Zajmi, koordinatorja për antitrafikun në Ministrinë e Brendshme, nënvizon se si rezultat i prostitucionit të toleruar dhe legal në vende si Belgjika, Gjermania dhe Holanda, shumë gra të trafikuara nuk identifikohen si viktima në këto vende.
“Legalizimi i prostitucionit ka krijuar një mur, pas të cilit trafikantët mund të fshihen dhe të dhunojnë viktimat e tyre”, - thotë ajo.
Trafikimi ka zënë rrënjë në Shqipëri në vitin 1991, pas rënies së komunizmit dhe për pothuajse dhjetë vjet trafikantët kanë punuar pa u ndëshkuar për shkak të mungesës së ligjeve për trafikimin. Problemi arriti kulmin në vitin 1997, kur skemat piramidale financiare shokuan Shqipërinë dhe e shtynë vendin në prag të luftës civile.
“Shqiptarët po shisnin motrat e tyre për pará”, - thotë Ilir Yzeiri, një gazetar shqiptar që ka bërë një dokumentar për trafikun njerëzor.
Në vitin 2004, qeveria krijoi gjykata për të proceduar çështjet e trafikimit dhe miratoi ligje të forta për trafikimin që përfshijnë madje dhe dënimin me më shumë se 15 vjet burg për trafikantët.
Por ekspertët e të drejtave të njeriut thonë se procedimet janë shumë të rralla, pjesërisht për shkak se shumë viktima janë shumë të frikësuara për të dëshmuar. Vitin e kaluar, 22 raste të trafikimit u proceduan, sipas raportit të Departamentit të Shtetit, më pak se gjysma e numrit të procedimeve në vitin 2007.
Brikena Puka, drejtoreshë ekzekutive e “Vatrës”, një grup që ndihmon viktimat e trafikut, thotë se procedimet janë të pakta, pjesërisht për shkak se shumë viktima gjykohen për prostituim. Në disa raste gratë burgosen, pasi deportohen nga vendet e tjera.
“Gratë e trafikuara në këtë mënyrë viktimizohen dy herë”, - thotë ajo. “Një herë nga trafikantët e më pas nga sistemi i drejtësisë në Shqipëri.”
Edhe në rast se do të duan të ngrenë akuza, gratë e trafikuara, që u intervistuan, thonë se është jashtëzakonisht e vështirë që të arratisesh prej trafikuesve, të cilët janë pjesë e rrjeteve të organizuara ndërkombëtare.
Një viktimë e trafikut që po tregonte historinë e saj kujtonte se trafikanti i saj kishte kontakte në çdo qytet që ata kishin vizituar. Ajo thotë se trafikanti kishte punësuar një person që u ofronte dokumente false.
Ajo thotë se më në fund u çlirua, kur trafikanti i saj u arrestua në Londër në vitin 2006 dhe u soll në Shqipëri. Por në fakt, vëllezërit e tij dhe gratë e tyre, që ishin gjithashtu në Londër, e rifutën atë sërish për të punuar si prostitutë. Ajo thotë se në atë kohë ajo bënte më shumë se një mijë euro në ditë, por nuk lejohej kurrë që t’i mbante ato.
Brenda disa javësh, ajo telefonoi policinë britanike, që shumë shpejt e solli atë në Shqipëri, ku ajo ngriti dhe një padi në policinë shqiptare ndaj trafikuesit të saj.
Ajo thotë se, kur familja e saj mori vesh çfarë kishte ndodhur, e braktisi atë. Brenda disa javësh ajo sërish ishte në duart e trafikantit të saj që ishte liruar nga burgu. Ai e kërcënoi se do e vriste, në rast se nuk tërhiqte denoncimet e bëra në polici. Kështu ajo i tha policisë se “kishte gënjyer për shkak të xhelozisë”.
Koordinatori i strehës ku ajo po qëndron thotë se deklarata origjinale e gruas dhe historia e saj ishte aq e detajuar - dhe ajo kishte aq shumë shenja të dhunës fizike dhe psikologjike - sa policia vendosi të mos e pranojë tërheqjen e denoncimit.
Ajo u dërgua te streha, që e inkurajoi atë të ngrinte një padi për trafikantin. “Ajo e bëri këtë dhe burri u burgos për një muaj për t’u liruar për të dytën herë”, - thotë koordinatori, që kërkon të ruajë anonimatin për shkak të arsyeve të sigurisë.
Ish-prostitutë prej pak kohësh, ajo po përballet me terrorin e përditshëm të trafikantit të saj, por është e detyruar të jetojë nën mbikëqyrjen konstante të policisë dhe në maksimumin e sigurisë në strehë, prej së cilës nuk është larguar prej tre vitesh.
Ajo e kalon kohën duke parë televizor dhe është duke mësuar të bëhet parukiere.
“Ti pret që vendi yt të mbrojë qytetarët e tij?” - thotë ajo. “Ti pret që ligjet të mos e bëjnë viktimën kriminel?! Jashtë Shqipërisë ishte ndryshe, por sërish këtu në vendin tim po abuzohet me mua”.